Ndërlidhjet

Vëllazëria Myslimane: Radikalë islamikë apo demokratë të pavendosur?


Për më shumë se 30 vjet imazhet e rrëzimit të regjimit të Shahut në Iran dhe zëvendësimin e tij me një qeveri fundamentaliste islamike, kanë qenë në qendër të shqetësimeve të politikëbërësve perëndimorë kur diskutohet Lindja e Mesme.

Trazirat në Egjipt këtë frikë të perëndimorëve e kanë nxjerrë në sipërfaqe. Në vend të forcave pro Homeinit në Iran, tani kemi Vëllazërinë Myslimane në Egjipt.

Në mendjet liberale emri Vëllazëria Myslimane përkon me autoritarizmin fetar. Në mënyrën më të qartë shqetësimet e perëndimorëve i artikuloi Uilliam Hejg, shefi i diplomacisë britanike.

“Padyshim që nuk duam të shohim një qeveri të bazuar te Vëllazëria Myslimane
”, tha Hejg.

Madje, këtë shqetësim e shprehu dhe aktori Omar Sharif, ndoshta figura më famshme e Egjiptit në perëndim. Sharif kërkon largimin e Mubarakaut, por nuk dëshiron në pushtet Vëllazërinë Myslimane.

Me gjithë frikën e perëndimit, Fauaz Gerges, drejtor në Qendrën për Lindjen e Mesme në Londër thotë se historia radikale e këtij grupimi nuk duhet t’i verbojë politikanët perëndimorë përballë faktit se ata kanë përparuar në një forcë pragmatike.

“Vëllazëria Myslimane dëshiron largimin e Mubarakut. Por, kështu ata duan të luajnë një rol kyç në procesin politik. Megjithatë, Vëllazëria Myslimane e ka bërë shumë të qartë se nuk janë të pajisur dhe nuk janë të gatshëm për të qeverisur Egjiptin. Në këto kushte pyetja nuk është nëse Vëllazëria Myslimane do të marrë pushtetin, por çfarë roli planifikon të luajë brenda qeverisë së unitetit”,
thotë Gerges për Radion Evropa e Lirë.

Një dëshmi e realizmit të këtij grupimi është dhe pranimi që lëvizja i bëri Muhamed el Baradeit për të drejtuar bisedimet për largimin e Mubarakut. Të njëjtin mendim ndan dhe Maha Azam nga Chatham House në Londër.

“Qëndrimi i Vëllazërisë Myslimane për momentin ka të bëjë me thirrjen për reforma politike dhe një qasje gjithëpërfshirëse të partive politike. Dua t’ju kujtoj se kur El Baradei bëri thirrje në Facebook për të mbështetur reformat Vëllazëria Myslimane e ndihmoi të mblidhte nënshkrues”,
tha Azam.

Toni i kompromisit ndihet dhe te Mohamed Habibi ish-numri dy i lëvizjes Vëllazëria Myslimane, i cili hedh poshtë zërat se lëvizja e tij kërkon vendosjen e një regjimi autoritar si në Iran.

“Jo, aspak. Ne duam qeveri demokratike bazuar në pluralizëm real politik dhe rotacion paqësor të pushtetit. Duam një qeveri që e konsideron popullin si burim fuqie dhe autoriteti”,
thotë Habib.

Ai shton se dëshiron që raportet me Shtetet e Bashkuara të mbeten miqësore për aq kohë sa janë të bazuara në respektin reciprok.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse El Baradei duhet të jetë presidenti i ardhshëm i Egjiptit, Habibi përgjigjet:

“Jo. Ne jemi kundër personalizimit të çështjes në këtë mënyrë. Duhet të kemi fillimisht një qeveri tranzicioni që do jetë njëherësh një qeveri shpëtimi”.

Sipas Habibit, zgjedhjet e lira parlamentare janë zgjidhja e problemit.
Megjithatë, fjalët nuk janë të mjaftueshme për perëndimin që të dëbojë hijet e frikës të shkaktuara nga revolucioni islamik iranian i vitit 1979.(i.b)
XS
SM
MD
LG