Ndërlidhjet

Kosova pa preferenca tregtare


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Me vendimin e Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, Kosova aktualisht nuk mund të përfitojë nga masat autonome tregtare. Frymëzim Isufaj, këshilltar në Ministrinë në dorëheqje të Integrimeve, thotë se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare nga Komisioni Evropian për arsyet e këtij vendimi, të cilin ai e vlerëson të motivuar politikisht. Ngjashëm vlerëson edhe Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, sipas të cilit, ky vendim do të ketë ndikim negativ në ekonominë kosovare.


Që nga fillimi i këtij viti Kosova nuk i gëzon preferencat tregtare, të cilat i vendos Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Tashmë produktet kosovare nuk mund të eksportohen në vendet e Bashkimit Evropian pa iu nënshtruar tarifave doganore apo kufizimeve për sasitë.

Frymëzim Isufaj, këshilltar në Ministrinë e Integrimeve, thotë se propozimi i Komisionit Evropian që të vazhdohen masat autonome tregtare edhe për Kosovën, nuk është miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian.

Sipas tij, lidhur me këtë çështje Kosova e ka pranuar vendimin me 14 janar.

Arsyet se pse ka ndodhur një gjë e tillë, ne nuk i kemi ende. Më 20 janar, ministri për Integrime Evropiane, zoti Beqaj, i ka dërguar një letër komisionarit për tregti, zotit De Gut, për sqarim të mëtutjeshëm dhe natyrisht, që të shfrytëzojë edhe ndikimin e tij që Kosovës t’i mundësohet që prapë të përfitojë nga masat autonome tregtare, në mënyrë që produktet e Kosovës të eksportohen në tregun e Bashkimit Evropian. Deri më tash, ne ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga komisionari për tregti dhe jemi në pritje të një njoftimi të tillë”, thotë Isufaj.

Në anën tjetër, ekspertët e çështjeve ekonomike vlerësojnë se humbja e statusit preferencial nga ana e Kosovës, do të ketë pasoja në ekonominë e vendit.

Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se dëmi më i madh që i bëhet Kosovës nga mungesa e preferencave tregtare, është rënia e atraktivitetit të ekonomisë kosovare për investitorët e huaj potencialë.

“Tash vendet tjera të rajonit gëzojnë tretmanin e statusit preferencial, për eksporte në Bashkimin Evropian. Pra, Kosova tash nuk e ka këtë status dhe ato kompani, të cilat janë të interesuara të investojnë në rajon, natyrisht se do të investojnë në vendet tjera, sepse ka kushte më të favorshme për t’i plasuar produktet e tyre në Bashkimin Evropian. Ky status preferencial, i cili ka ekzistuar për Kosovën, ka qenë një shpresë për ekonominë e Kosovës dhe atraktivitetin e saj”,
vlerëson Musa.

Ndryshe, Isufaj thekson se lënia e Kosovës jashtë masave autonome tregtare, në momentin e tanishëm, lë për të kuptuar se vendimi i tillë është produkt i trysnive politike.

“Po ju e dini që ne ende kemi 5 vende anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën. Natyrisht që në momente të caktuara, kur gjithmonë tentohet të arrihet ndonjë marrëveshje kontraktuale dhe futje në marrëdhënie kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian, Kosova si shtet i pavarur, realisht has në bllokimin e këtyre 5 vendeve anëtare”
, shpjegon Isufaj.

Mendim të ngjashëm ka edhe zoti Musa, i cili thekson se zyrtarët e Komisionit Evropian kanë shkelur premtimet që kanë bërë.

“Neve, përfaqësuesve të biznesit në Kosovë, na është premtuar nga vetë zyrtarët e Komisionit Evropian se kjo marrëveshje do të vazhdohet në mënyrë automatike. Mirëpo, siç po shihet, kjo nuk ka qenë e saktë dhe për shkaqe politike, tani ne jemi faktikisht në këtë pozitë”.

“Çështja e emërtimit të Kosovës në vetë këtë marrëveshje ka qenë çështje problematike. Do të thotë, të emërtohet si shtet, ka qenë problematike për 5 vendet që nuk e kanë pranuar Kosovën”,
thekson Musa.

Sidoqoftë, Kosova deri më 31 dhjetor të vitit 2010, ka pasur preferencat autonome tregtare. Mbetja e Kosovës jashtë këtij regjimi, sipas zyrtarëve qeveritarë dhe ekspertëve të ekonomisë, e thellon edhe më tutje izolimin e saj, i cili, sipas tyre, është bërë i vërejtshëm edhe me rastin e mbetjes së Kosovës jashtë regjimit të liberalizimit të vizave.
XS
SM
MD
LG