Ndërlidhjet

S’ka vlera pa arsim


 Marta Nusbaum
Marta Nusbaum
“Të rinjtë në të gjithë botën, që janë pjesë e vendeve demokratike, nevojitet të rriten në mënyrë të tillë që ta kuptojnë se duhet të jenë pjesëmarrës në një formë qeverie, ku qytetarët informojnë veten rreth temave kyçe, për të cilat si votues duhet të japin mendimin e tyre”.

Këto janë disa nga qëndrimet e filozofes amerikane Marta Nusbaum në librin e saj të botuar në vitin 2010 “Not for Profit: Why Democracy needs the Humanities?” (“Jo për fitim: Përse demokracia ka nevojë për shkencat humane?”.

Pa mbështetjen e qytetarëve të arsimuar, asnjë demokraci nuk mund të jetë e qëndrueshme, shkruan Nusbaum e cila është profesoreshë e së Drejtës dhe Etikës në Universitetin e Çikagos.

Argumenti kryesor në librin e saj është se qysh në vitet e hershme arsimimi duhet të bazohet tek eksplorimi dhe studimi në thellësi, në mënyrë që të zhvillohet mendimi kritik.

Nusbaum kundërshton një sistem arsimor që ofron dije të natyrës teknike. Për akademiken amerikane, një demokraci e qëndrueshme ka nevojë për një mori cilësish që duhen ushqyer qysh në hapat e para të sistemit arsimor.

Libri i Marta Nusbaum, “Jo për fitim: Përse demokracia ka nevojë për shkencat humane?”

“Ka tri elemente, në të cilat fokusohem. Elementi i parë është aftësia jonë për të menduar në mënyrë kritike rreth të gjitha propozimeve që na vijnë, analizojmë argumentet dhe ndajmë argumentet pozitive nga ato negative. Të gjitha qeniet njerëzore e kanë këtë aftësi, por ajo duhet të forcohet me kohën përmes arsimimit”.


“Një tjetër element është që njerëzit jo vetëm të mendojnë për shoqërinë, por është e rëndësishme që njerëzit të flasin me njëri-tjetrin. Në thelb, demokracia ka të bëjë me dëgjimin e tjetrit”.

“Cilësia e dytë e rëndësishme, sipas meje, është aftësia që njeriu të mendojë si qytetar i botës. Elementi i tretë është ajo që e quaj imagjinata narrative, e cila është aftësia për ta vendosur veten në pozitën e tjetrit. Vetëm kështu mund ta kuptosh pamjen dhe qasjen e tjetrit ndaj botës dhe dukurive”,
sqaron Nusbaum për Radion Evropa e Lirë.

Një tjetër shtyllë e shoqërisë është dimensioni i zhvillimit të burimeve njerëzore. Nusbaum shpjegon se matja e zhvillimit shoqëror vetëm përmes treguesve ekonomikë nuk është e mjaftueshme.

“Për shumë vjet modeli kryesor i zhvillimit që matej nga ekonomistët e zhvillimit në agjencitë ndërkombëtare, ishte matja e të ardhurave për frymë. Ajo çfarë ka zhvilluar ekipi, që kemi punuar bashkë, ka qenë një model sipas të cilit një vend, që të ketë rezultate më të mira, duhet të nxisë aftësitë e njerëzve që të jetojnë jetë të plota e të kuptimshme”,
thotë Nusbaum.

Për filozofen amerikane, shëndeti, zhvillimi i të menduarit kritik, imagjinata e mendimi, si dhe mundësitë për të qenë pjesë e grupimeve shoqërore dhe politike, janë kyçe për përparimin. Shëndeti emocional është një tjetër faktor i rëndësishëm i nënvizuar nga akademikja amerikane.

Problemi është që shumë qeveri, qofshin ato edhe perëndimore mund të mos jenë të gatshme për të nxituar e zhvilluar këtë lloj qytetarie të angazhuar, për të cilën flet Nusbaum. Megjithatë, ajo beson se edhe në këto kushte ka gjasa që të zbatohen politika që mbështesin një qytetari të angazhuar.

“Mendoj se ajo që është interesante, ka të bëjë me faktin se edhe vendet, të cilat absolutisht nuk i duan qytetarët e angazhuar, e shohin se për zhvillimin e biznesit këto cilësi janë të rëndësishme. Singapori dhe Kina janë dy vende që gjatë pesë viteve të fundit kanë ndërmarrë reforma të thella arsimore pasi e kanë vërejtur që kultura e tyre e biznesit vuante nga mungesa e imagjinatës dhe të menduarit kritik”.

“Problemi është se mund të krijoni një kulturë të tmerrshme korrupsioni kur askush nuk është i gatshëm të thotë fjalët e pakëndshme apo të kritikojë”
, pohon Nusbaum. (i.b)
XS
SM
MD
LG