Ndërlidhjet

Thellim i krizës


Foto arkiv
Foto arkiv
Institucionet e reja të Kosovës tashmë kanë nisur aktivitetet e përditshme, me gjithë dilemat që vazhdojnë të qarkullojnë në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

Dy parti opozitare pritet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të marrë përgjigje nëse në ditën e zgjedhjes ishte shkelur Kushtetuta, siç kishte deklaruar vetë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Sidoqoftë, analistët për çështje politike thonë se kriza në Kosovë nuk u zgjidh me zgjedhjen e institucioneve të reja, por u thellua më shumë.

Ata mendojnë se Kuvendi Kosovës duhet të mblidhet dhe t’i diskutojë këto procese.

Analisti Agron Bajrami thotë për Radion Evropa e Lirë se “kriza institucionale” në ditët në vijim do të thellohet edhe me shumë.

Sipas tij, një gjë e tillë ka qenë e pritur menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor të 12 dhjetorit, i cili u përcoll me parregullsi të shumta.
Pjesa më e madhe e shoqërisë nuk ndihet se përfaqësohet në mënyrë të denjë e të duhur, posaçërisht nga presidenti i vendit.

“Përçarja do të bëhet edhe më e madhe, distanca në mes të pozitës dhe opozitës do të bëhet edhe më e thellë. Pjesa më e madhe e shoqërisë nuk përfaqësohet me këto institucione, apo nuk ndihet se përfaqësohet në mënyrë të denjë e të duhur posaçërisht nga presidenti i vendit”, thotë Bajrami.

Ai mendon se për një kohë të gjatë nuk mund të pritet ndonjë përmirësim apo zgjidhje në këtë rrafsh.

Sipas Bajramit, mënyra më e mirë për zgjidhjen e këtyre problemeve do të ishte kthimi i debatit në Kuvendin e Kosovës.

“Mendoj se ai kuvend duhet të ulet dhe të debatojë seriozisht për drejtimin, të cilin e ka marrë shteti me këto zhvillime, që kanë nisur prej fundit të vitit të kaluar dhe tash po e marrin këtë kthesë shumë dramatike, negative, me zgjedhjen e presidentit dhe formimin e qeverisë së koalicionit tepër të dobët dhe të brishtë”, shprehet Bajrami.

Ndërkaq, analisti tjetër politik, Ismail Hasani, thotë se kontestimi i zgjedhjes së presidentit nga ana e opozitës, dëmton edhe më tepër imazhin e Kosovës, i cili u dëmtua shumë në muajt e fundit, për shkak të manipulimeve të zgjedhjeve, si dhe për shkak të publikimit të raportit të Dik Martit.

Ky i fundit akuzon kryeministrin Hashim Thaçi për përfshirje në rrjetin e trafikimit të organeve njerëzore.
Situata në të cilën ndodhet Kosova, është alarmuese - kur edhe më tutje kemi legjitimitet të kontestuar.

“Situata në të cilën ndodhet Kosova, është alarmuese - kur edhe më tutje kemi legjitimitet të kontestuar, posaçërisht me aktin e votimit për presidentin e Republikës së Kosovës. Kështu që kjo është një situatë shtesë, e cila sfidon Kosovën. Lidershipi kosovar do të duhej urgjentisht të merrej me këtë problematikë”, thekson Hasani.

Sfidat e mëdha, si bisedimet me Serbinë dhe integrimet evropiane, sipas Agron Bajramit, do të jenë të pamundura të kalohen pa u zgjidhur problemet e brendshme.

“Unë mendoj se është e pamundur të ketë çfarëdolloj progresi në raport me integrimet evropiane apo në dialog me Serbinë, me këtë lloj situate të brendshme që ka Kosova, me këto institucione të kontestuara”.

“Në anën tjetër, institucionet e tilla do ta kenë të pamunduar t’i trajtojnë problemet enorme që i kemi brenda, nisur nga situata e rëndë ekonomike sociale deri te problemet me mungesën e reformave në shumë sfera, përfshirë dhe reformat zgjedhore
”, thekson Bajrami.
XS
SM
MD
LG