Ndërlidhjet

Janjiq: Gjithçka politike në dialogun Prishtinë-Beograd


Dushan Janjiq
Dushan Janjiq

“Të gjitha çështjet do të jenë politike. Mund të përdoret metodologjia e shqyrtimit të tyre si çështje teknike, por të gjitha çështjet ndërlidhen me çështjen e statusit”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë koordinatori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq.





RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq, një nga parakushtet për nisjen e dialogut në mes të Prishtinës e Beogradit ishte themelimi i institucioneve të reja në Kosovë. Këto janë vendosur tani dhe autoritetet në Prishtinë kanë emëruar gjithashtu kreun e ekipit që do ta përfaqësojë Kosovën në këto bisedime. Mirëpo, ende nuk është caktuar ndonjë kornizë kohore. Çfarë ka mbetur për t’u bërë në mënyrë që të nisë dialogu?

DUSHAN JANJIQ
Në këtë moment kemi një situatë mjaft normale; do të thotë, kemi një qeveri të re dhe institucione të tjera në Kosovë. Beogradi është disa muaj para nisjes së fushatës elektorale, që do të thotë se Beogradi dhe Prishtina do të mund ta nisnin dialogun tani.

Mirëpo, parakushtet janë të tilla që më shtyjnë të besoj se dialogu nuk mund të zgjasë shumë dhe se nuk do të mund të arrihen rezultate serioze. Më e rëndësishmja është që të nisë dialogu.

Kur i krahasojmë kapacitetet institucionale të të dyja palëve mund të themi se janë të njëjta. Kemi një qeveri të sapoformuar në Kosovë, një president të sapozgjedhur, i cili është zgjedhur në mënyrë plotësisht legale. Por, vlerësimet në publik për legjitimitetin e të dyjave nuk janë aq të larta.

Të njëjtën situatë e kemi në Serbi - kemi një qeveri, e cila është duke u riformatizuar; kemi një president, imazhi i të cilit po zbehet.
Opinioni publik në të dyja anët nuk u beson shumë politikanëve të tyre, gjë që është keq për një dialog politik.

Sidoqoftë, opinioni publik në të dyja anët nuk u beson shumë politikanëve të tyre, gjë që është keq për një dialog politik.

Sa i përket përgatitjeve për zhvillimin e një dialogu serioz, kjo është normale për Ballkanin. Kur përpiqemi të definojmë se çfarë mund të arrihet gjatë dialogut, del që jo aq shumë, siç e thashë edhe në fillim. Nuk besoj se dialogu do të zgjasë më shumë se dy apo tre muaj - deri në nisjen e fushatës elektorale në Serbi.

Megjithatë, do të mund të caktohej agjenda, përfshirë disa çështje si: bashkëpunimi i doganave, dokumentet, apo disa çështje si ajo e personave të pagjetur, që do të mund të vendoseshin mbi tryezë.

Unë pres përsëritjen e një procesi të ngjashëm me atë në Bosnjë. Dialogu, i cili do të nisë, do të ndërpritet për shkak të zgjedhjeve, për të rinisur pas disa muajve. Sido që të jetë, dy vjetët e ardhshëm do të jenë në frymën e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi ka emëruar ekipin që do të zhvillojë bisedimet me Kosovën disa muaj më parë. Kanë kaluar më se tre muaj që kur zyrtarët në Beograd pretendonin ta kenë të gatshme strategjinë e tyre për dialogun me autoritetet kosovare. A mendoni se kjo mund të jetë një disavantazh për Kosovën?
DUSHAN JANJIQ
Sipas informatave të mia, qeveria e kaluar e kryeministrit të njëjtë të Kosovës, Thaçi, ishte gjithashtu duke punuar në agjendë, por nuk është aq e përgatitur sa duket. Është vështirë të thuhet se kush është në avantazh.

Nëse i krahasojmë CV-të e udhëheqësve, më vjen keq të them, por Edita Tahiri është një negociatore më e shkathtë dhe më me emër. Megjithatë, çështja kryesore ka të bëjë me gatishmërinë dhe vullnetin politik të udhëheqësve Tadiq dhe Thaçi, për të negociuar dhe për të arritur me të vërtetë diçka.

Në këtë moment, të gjthë njerëzit, me disa përjashtime të vogla, që do të jenë në ekipin kosovar, kanë qenë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga Ahtisari, disa nga ai i Rambujesë - pra, njerëz që kanë përvojë me çështje të tilla.

Pala në Beograd nuk është aq e kualifikuar; kemi njerëz të rinj si lideri i ekipit, Borko Stefanoviq, i cili ka qenë pjesë e stafit serb gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Ahtisari, por që nuk ka më shumë përvojë.

Shteti serb është duke punuar normalisht në këtë drejtim dhe burokracia është e gatshme për të ndihmuar. Pavarësisht kësaj, mendoj se të dyja palët janë në pozicione të njëjta dhe nuk mund të themi se cila palë është në avantazh.

RADIO EVROPA E LIRË
Pamë së fundmi publikimin e raportit të Dik Martit. Ky raport vlerësohet ta ketë dobësuar pozicionin e Kosovës në dialog. A do të çonin rezultatet e hetimeve të EULEX-it mbi këtë gjë në zvarritjen eventuale të dialogut?

DUSHAN JANJIQ
Raporti i Dik Martit ka dëmtuar imazhin e lidershipit kosovar, i cili edhe ashtu nuk ishte i lartë, nëse kemi parasysh çështjet si: krimi i organizuar apo korrupsioni. Nëse hetimet do të ndodhin, nuk pres që të ketë diçka brenda muajve të ardhshëm apo një viti, sepse shumë gjëra duhet të rishikohen.
Nëse kryeministri hetohet, atëherë kjo do ta dëmtojë pozicionin politik të Kosovës në dialog, por dialogu mund të vazhdojë megjithatë, sepse kryeministri nuk është udhëheqës i ekipit.

Nëse kjo ndodh dhe nëse, për shembull, kryeministri do të hetohet, atëherë natyrisht se kjo do ta dëmtojë pozicionin politik të Kosovës në dialog, por dialogu mund të vazhdojë megjithatë, sepse kryeministri nuk është udhëheqës i ekipit.

Jam i sigurt se Qeveria e Kosovës do të qëndrojë së paku deri në pranverë dhe ekipi do të mund ta vazhdonte punën, por për Kosovën do të ishte e vështirë të punohet nën atë presion.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq, dua të kthehem te vullneti politik, të cilin ju e përmendët. Ekziston një vullnet politik në Prishtinë dhe Beograd për t’i pasur këto bisedime, por duket se të dyja palët nuk pajtohen në atë se a do të duhej të ishte tërësisht teknik ky dialog apo jo. Cila është pikëpamja e juaj?

DUSHAN JANJIQ
Natyrisht se të dyja palët janë të gatshme ta hapin dialogun dhe të marrin pjesë në të, por sidomos në Beograd ekziston një vullnet për të arritur diçka konkrete. Dialogu si proces mirëpritet nga Tadiqi, por disa nga arritjet e tij do të mund të ishin jo vetëm teknike, por edhe politike. Ato kanë ndikime të mëdha mbi gjendjen politike. Pasi që Qeveria e Serbisë është në përgatitjet për zgjedhje, ajo do të përpiqet të negociojë dhe të shtyjë zgjidhjet.

T’i kthehem prapë pyetjes suaj - natyrisht se të gjitha çështjet do të jenë politike. Mund të përdoret metodologjia e shqyrtimit të tyre si çështje teknike, por të gjitha çështjet ndërlidhen me çështjen e statusit.

Në fund të fundit, mund të themi se lista e standardeve që mund të arrihen gjatë të ashtuquajturit dialog teknik, do ta definojë zgjidhjen përfundimtare të çështjes së statusit.

Lidhur me këtë, të dyja palët do të jenë shumë të kujdesshme, mirëpo ato nuk janë të motivuara në të njëjtën masë. Kosova është e motivuar të hyjë në një dialog teknik, me qëllim që t’i njihet pavarësia dhe të pranohet realiteti i ri.

E kundërta qëndron me Beogradin - Beogradi e di që realiteti i ri, i cili do të krijohet nga dialogu teknik dhe arritjet e tij, do të mund të dëmtonte qëndrimin serb për ndalimin dhe bllokimin e njohjes së Kosovës dhe veçanërisht pjesëmarrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të jetë veriu i Kosovës një nga çështjet politike që ju i përmendët, e cila do të mund të çonte në një kompromis ndërmjet dy palëve?

DUSHAN JANJIQ
Unë jam njëri nga ata që insistojnë që kjo çështje të vihet mbi tryezë. Duhet të nisë diskutimi mbi të, sepse në kushte të tjera është e mundshme gjithçka -përfshirë ndarjen.

Kjo (veriu) është një çështje e hapur, e cila kërkon të diskutohet dhe të zgjidhet. Do të ishte mirë për Beogradin që ta shtrojë këtë çështje në tryezën e diskutimeve, bashkë me çështjen e statusit apo të statuseve, ashtu sikurse çështjen e mbrojtjes së minoritetit serb dhe çështjen e statusit.

Nga këndvështrimi i palës kosovare, kjo (veriu) do të vlerësohet si çështje e integrimit në jetën institucionale të Qeverisë së Kosovës. Sido që të jetë, mendoj se kjo çështje duhet të hapet, por nuk pres që ajo të zgjidhet në një apo dy vjetët e ardhshëm.

Duke e diskutuar këtë çështje, të dyja palët ndoshta do të mund të arrinin një kompromis për të pasur një qëndrim të pranueshëm e të përbashkët për veriun, që në fakt do të ishte një autonomi më e lartë apo një pavarësi nga institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG