Ndërlidhjet

Bajden fillon turneun në Evropë


Xho Bajden me të arritur në Helsinki
Xho Bajden me të arritur në Helsinki
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara Xho Bajden ndodhet në Finlandë në ndalesën e parë të turneut një javor, i cili kryesisht fokusohet në përmirësimin e marrëdhëneve amerikano-ruse. Pas Helsinkit, Bajden do të vizitojë Rusinë dhe Moldavinë.

Bajden mbërriti në Helsinki të hënën pasdite dhe të martën do të zhvillojë takime me presidenten Tarja Halonen dhe kryeministrin Mari Kiviniemi. Finlanda ka rreth 200 ushtarë që shërbejnë në Afganistan, dhe Shtëpia e Bardhë tha se bisedimet dypalëshe do të mbulojnë “një varg çështjesh”, përfshirë luftën, BE-në, dhe teknologjinë e gjelbërt në të cilën Finlanda është pioniere.

Në Moskë, vizita e Bajdenit do të fillojë të mërkurën me një drekë në ambasadën amerikane me udhëheqësit e biznesit nga Shtetet e Bashkuara. Grupi pastaj do të udhëtojë në Skolkova, verzion rus i Luginës së Silikonit, ku do të bisedojë me udhëheqës të biznesit nga Rusia. Bajden do takohet me presidentin Dimitri Medvedev dhe kryeministrin Vladimir Putin, si dhe do të mbajë një ligjëratë në universitetin shtetëror të Moskës.

Të premten, Bajden do udhëtojë në Moldavi ku përveç takimit me udhëheqësit e lartë, do të mbajë një fjalim, ku pritet të shprehë mbështetjen amerikane për ndryshimet demokratike dhe ekonomike në Moldavi.

Por Toni Blinken, këshilltar për siguri kombëtare i nënpresidentit, thotë se qëllimi i udhëtimit të Bajdenit në Moskë është përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe. Këtë e parashikoi presidenti Barak Obama kur erdhi në zyrë në vitin 2009, dhe shumica e analistëve e kanë gjykuar si sukses.

“Sot, dy vjet më pas, mund të shohim rezultate praktike dhe në rëndësishme, si traktati i ri START, marrëveshja për bashkëpunimin bërthamor, bashkëpunimi më i thellë rreth Afganistanit, Iranit dhe Koresë Veriore. Ky udhëtim i nënpresidentit është mundësi për të vlerësuar arritjet”, thotë Blinken.

Në krye të agjendës së diskutimeve me udhëheqësit rusë do të jetë statusi i Rusisë në përpjekjet për t’u anëtarësuar në Organizatën Botërore të Tregtisë, të cilën Uashingtoni e mbështet dhe e ka lehtësuar. Pengesë në këtë drejtim ka qenë Gjeorgjia, anëtare e plotë e OBT-së me të drejtën e vetos. Teksa trupat ruse vazhdojnë t’i mbajnë të pushtuara territoret separatiste të Osetisë Jugore dhe Abhazisë, marrëdhëniet ndërmjet Tbilisit dhe Moskës mbeten të ngrira.

Drejtori për çështje të Rusisë dhe Euroazisë në Shtëpinë e Bardhë, Majkëll MekFoll, thotë se bisedimet Rusi-Gjeorgji janë çështje bilaterale. Ai e quan të nevojshme qasjen e politkikës së jashtme amerikane, dhe jo vetëm me Rusinë. MekFoll nënvizon se në Moskë, pas takimit me Putinin, Bajden do të takojë udhëheqësit e opozitës dhe të shoqërisë civile.

“Ne e shohim udhëtimin e nënpresidentit si përpjekje për të zgjërruar bashkëpunimin, me fokus të veçantë në organizatat joqeveritare dhe biznes. Kjo është një strategji që e kemi me shumë vende në botë, ne besojmë në të dhe mendoj se struktura e vizitave të nënpresidentit dëshmon se jemi të përkushtuar ndaj saj”, thotë MekFoll.

Bajden poashtu do ta ngritë çështjen e mburojës raketore me Putinin dhe Medvedevin. Kjo është një fushë ku Uashingtoni dëshiron të shohë më shumë përparim, por refuzimi i Moskës paraqet pengesë ndaj sistemit amerikan të mbrojtjes raketore në Evropë.

Vizita në Moldavi në 11 mars do të jetë e para e një presidenti apo nënpresidenti amerikan në këtë vend. Ajo shihet si përpjekje e Shtëpisë së Bardhë për të mbështetur përparimin demokratik të Moldavisë në dy vitet e fundit. Bajden u ftua nga kryeministri Vlad Filat në janar 2010, kur ai e vizitoi Uashingtonin.

Blinken thotë se përparimi që ka shënuar ky vend i vogël shërben si model për vendet tjera të Evropës Lindore, të cilat duan t’i afrohen Perëndimit.

“Vizita realizohet në kuadër të kremtimit të 20 vjetorit të pavarësisë së Moldavisë, kur ky vend po bën përpjekje të mëdha për të ndërtuar demokracinë dhe ekonominë e lirë”,
tha këshilltari për siguri kombëtare.

Blinken poashtu tha se Bajden do ta përcjellë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e konfliktit të ngrirë në Transnistri, e cila “respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Moldavisë”. (v.p.)
XS
SM
MD
LG