Ndërlidhjet

Reagon opozita


Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)
Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)
Opozita në Prishtinë e cilësoi të papërgjegjshme dhe jolegjitime pjesëmarrjen e delegacionit qeveritar të Kosovës në takimin e parë me palën serbe në Bruksel, pa miratimin paraprak nga Kuvendi. Ndërkaq, zyrtarë të Qeverisë dhe partisë më të madhe në pushtet thanë se qeveria ka kompetenca të plota që të përfaqësojë vendin në bisedime me shtetet tjera.


Shkuarja e delegacionit qeveritar të Kosovës në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e parë inicial me delegacionin nga Serbia pa miratimin e Kuvendit u kritikua ashpër nga opozita.

Ky veprim i Qeverisë së Kosovës, nga deputetët e opozitës u cilësua si i papërgjegjshëm.

Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës dhe partia më e madhe në pushtet thanë se ekzekutivi ka të drejtë të zhvillojë takime me vendet tjera edhe pa miratimin e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se Kuvendi mund të ketë rolin e vet vetëm në rast të arritjes së ndonjë marrëveshjeje.
Qeveria ka të drejtë të bisedojë për çështjet teknike pa miratimin e Kuvendit...


“Qeveria ka të drejtë të bisedojë për çështjet teknike pa miratimin e Kuvendit, sepse ka kompetenca me Kushtetutë dhe me ligje. Vetëm nëse arrihet ndonjë marrëveshje dhe që ajo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend, atëherë ratifikimi i saj do të bëhet me dy të tretat e deputetëve”
, tha Krasniqi.

Bisedimet me karakter politik kanë përfunduar në Vjenë, tha Krasniqi, duke shtuar se tani bëhet fjalë për bisedime teknike. Sipas Krasniqit, Kuvendi, me rezolutën e re që pritet të miratohet të enjten, do të përcaktojë vijat e kuqe, për të cilat Qeveria nuk do të mund të negociojë me Beogradin.

Pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës në takimin e Brukselit, jo vetëm që u arsyetua, por u cilësua si pjesë e përgjegjësive kushtetuese nga ana e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryejë obligimet e veta të parapara me Kushtetutë, por edhe përballë partnerëve ndërkombëtarë”
, deklaroi Kuçi.

Ndërkohë, opozita e kritikoi ashpër Qeverinë e Kosovës për përfshirje në këto bisedime, pa miratimin e Kuvendit. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se anashkalimi i Kuvendit, paraqet një papërgjegjësi nga Qeveria aktuale.

“Konsiderojmë që është veprim i papërgjegjshëm në këtë rast. Ndërkaq, se a do ta marrin parasysh atë që është diskutuar në Kuvend, mendoj se nuk kanë rrugëdalje tjetër”,
u shpreh Beqiri.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi veprimin e Qeverisë. Sipas shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, pjesëmarrja e delegacioni të Kosovës në bisedime me Beogradin pa miratimin e Kuvendit përbën një veprim jolegjitim.
Ky takim do të jetë plotësisht jolegjitim, për shkak se takimi po mbahet kryesisht dhe kryekëput vetëm me vendim të Qeverisë...


“Ky takim do të jetë plotësisht jolegjitim, për shkak se takimi po mbahet kryesisht dhe kryekëput vetëm me vendim të Qeverisë, pa e marrë lejen nga Kuvendi”
, tha Visar Ymeri.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se debati, të cilin e kërkoi vetë Qeveria të hënën në Kuvend, për bisedimet me Serbinë, tregon se ishte një farsë, ngase Qeveria nuk e respekton Kuvendin me vetë faktin se është përfshirë në bisedime pa lejen e këtij institucioni.

Në lidhje me bisedimet me Serbinë, Kuvendi ka në procedurë edhe hartimin e një rezolute për seancën e së enjtes, me anë të së cilës do të përcaktoheshin vijat e kuqe për palën kosovare në bisedimet me Serbinë.

Megjithatë, bazuar në pozicionet aktuale, do të jetë tejet sfiduese që pozita dhe opozita të gjejnë një tekst të përbashkët për këtë rezolutë, pasi që pjesa më e madhe e opozitës kundërshton jo vetëm përmbajtjen, por edhe vetë fillimin e bisedimeve.

Lexoni edhe këto:

Kuvendi shtyn miratimin e rezolutës
Raportet pozitë - opozitë ndikojnë në dialog
XS
SM
MD
LG