Ndërlidhjet

Opozita: Kosova e papërgatitur për bisedime


Foto arkiv
Foto arkiv
Kuvendi i Kosovës pritet të nisë të hënën një debat në lidhje me bisedimet e ardhshme që pritet të zhvillohen me Serbinë. Përderisa kryeministri Hashim Thaçi shprehu besimin e tij se Kuvendi do t’i japë mbështetje procesit të dialogut, opozita tha se do ta kundërshtojë nisjen e këtyre bisedimeve, duke vlerësuar se Kosova po hyn në këtë proces e papërgatitur.


Dialogu me Serbinë mund të nxisë një përplasje të re qëndrimesh në Kuvendin e Kosovës ndërmjet pozitës dhe opozitës. Seanca e së hënës është thirrur për të diskutuar çështjen e dialogut të shumëpërfolur.

Pritjet e Qeverisë dhe kryeministrit Hashim Thaçi janë që Kuvendi ta mbështesë këtë dialog. Duke folur para kabinetit qeveritar gjatë kësaj jave, Thaçi tha se Kuvendi do t’i japë përkrahje nisjes së bisedimeve.

“Presim që edhe Parlamenti i Kosovës të japë fjalën e vet, të debatojë, të diskutojë, të kontribuojë dhe natyrisht ta mbështesë këtë angazhim tonin të përbashkët dhe të gjithë politikës kosovare”,
u shpreh Thaçi.

Pavarësisht pritjeve të kryeministrit dhe Qeverisë që ai drejton, nisja e dialogut po kundërshtohet nga opozita.

Përderisa partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, para se të shprehë qëndrimin e saj është në pritje të një drafti që partitë në pushtet mund ta iniciojnë në seancë, dy partitë tjera nga tabori i opozitës qysh tash janë vënë kundër këtyre bisedimeve.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se Kuvendi duhet të pengojë nisjen e këtyre bisedimeve, pasi që, sipas tij, ato janë të dëmshme për Kosovën.

“Negociatat duhet të ndalen me çdo kusht. Ne mendojmë që prej këtyre negociatave Kosova do të humbë shumëçka dhe Serbia do të fitojë, sepse ato po bëhen vetëm për territorin e Kosovës dhe jo edhe për Serbinë”,
tha Konjufca.

Ndërkohë, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh kundër bisedimeve në formën se si po iniciohen ato nga Qeveria e Thaçit.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, rikujtoi se kjo parti politike ka kërkuar qysh moti që të hartohet një platformë e Kosovës, e cila do të siguronte unitetin politik të spektrit kosovar dhe më pas të hyhet në bisedime.

“Krijohet bindja që krejt këto bisedime janë me qëllim që Serbia të fitojë statusin e kandidatit (për në BE). Së dyti, të gjitha ato që ndodhën në proceset në Kosovë, që nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, legjitimiteti i brishtë i institucioneve, zgjedhja e presidentit, krijojnë hapësirë të mjaftueshme për të besuar se Kosova nuk është e gatshme për bisedime. Nuk është e qartë as lista e kërkesave që do të duhej t'i kishte Kosova në këto bisedime”
, theksoi Arifi.

Bazuar në pozicionet aktuale të pozitës dhe opozitës, ka të ngjarë që në seancën e së hënës të ketë jo një, por dy draft-rezoluta të propozuara. Njëra nga ana e partive në pushtet, me të cilën Qeveria pretendon të marrë bekimin e Kuvendit për dialogun, dhe tjetra nga partitë opozitare, sidomos nga Vetëvendosja, që i kërkon Kuvendit ta pengojë Qeverinë që të përfshihet në bisedime.

Sidoqoftë, Qeveria nuk pret që Kuvendi t’ia marrë mandatin për dialogun me Serbinë.
Kryeministri Thaçi dhe Qeveria që ai drejton tashmë kanë caktuar zëvendëskryeministren Edita Tahiri në postin e koordinatores për bisedimet me Serbinë, si dhe kanë paralajmëruar formimin e shpejtë të grupeve punuese.
XS
SM
MD
LG