Ndërlidhjet

Korrupsioni në luftën anti-drogë


Fotografi ilustruese (Bimë narkotike)
Fotografi ilustruese (Bimë narkotike)
Parandalimi dhe lufta kundër trafikimit me narkotikë, si një fenomen negativ dhe shqetësues brenda vendit, është vendosur në agjendën e prioriteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thonë zyrtarë të kësaj ministrie.

Ndryshe, Kosova nga autoritetet ndërkombëtare, po edhe ato vendore, në raporte të ndryshme është identifikuar si vend transit, por edhe vend ku kultivohen substancat narkotike.

Autoritetet e rendit thonë se në vitin 2010, policia ka konfiskuar 364 kg substanca narkotike, duke përfshirë lloje të ndryshme si marihuanë, kokainë, heroinë, si dhe janë shkatërruar mbi 9700 fije kanabis.

Zëdhënësi i Policisë se Kosovës, Baki Kelani, thotë për Radion Evropa e Lirë se krahasuar me vitin 2009, policia ka sekuestruar 82 kg substanca narkotike, kurse në vitin 2010 ka pasur plane më konkrete për luftimin e kësaj dukurie.

”Policia e Kosovës bazuar në strategjinë nacionale për luftën kundër drogave dhe krimit të organizuar, në kuadër të shtyllës së hetimeve dhe në kuadër të drejtorive rajonale, ka planet e saj konkrete për luftimin, në këtë rast, të drogës. Mund të them se Kosova përdoret më shumë si vend transit, por ne i kemi rastet konkrete që tashmë është duke u luftuar ky fenomen”
, bën të ditur Kelani.

Në anën tjetër, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, tregon se zyrtarët doganorë në pikat kufitare janë shumë të përqendruar për luftimin e kësaj dukurie, por ai thotë se doganat nuk janë hyrja ose dalja e vetme e trafikimit të drogës.

Stavileci, megjithatë, përmend disa të arritura në këtë drejtim.

”Kapaciteti ynë për luftimin e drogave nuk është ai që ne e dëshirojmë, por që në vitin 2010 ka qenë një përparim i theksuar krahasuar me vitin 2009. Kemi kapur në kufi gjatë hyrje-daljes mbi 120 kg lëndë narkotike”,
thotë Stavileci.

Ndërkaq, raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, thotë se lufta kundër trafikut të narkotikëve mbetet një sfidë e madhe për institucionet e Kosovës.

Mes tjerash raporti përmend edhe korrupsionin te policia kufitare e Kosovës dhe zyrtarët e doganave.

Ndërkaq, Stavileci e konfirmon një gjë të tillë dhe shton se vetëm në vitin 2010 janë suspenduar nga puna 10 për qind e stafit, si pasojë e gjetjes së fakteve korruptive ndaj tyre.

"Gjatë vitit 2010 kemi marrë masa kundër oficerëve tanë, te mbi 10 për qind e stafit, sepse puna e kufitarëve është që të luftohen dukuritë negative dhe korruptive. Pra, ndaj atyre zyrtarëve që janë gjetur fakte, janë marrë masa si suspendime, e deri te përjashtimi”,
konfirmon Stavileci për Radion Evropa e Lirë.

Për sa i përket konsumit të drogës, organizatat joqeveritare në Prishtinë thonë se numri i përdoruesve të drogave është në rritje.

Safet Blakaj, drejtues i qendrës rehabilituese “Labirinth”, thotë se nëse llogariten edhe përdoruesit e marihuanës, atëherë numri i përdoruesve është rreth 20 mijë persona.

Kurse, rreth 5000 persona në Kosovë, sipas Blakajt, konsiderohen që janë të varur nga drogat.

”Problematika e drogave është në rritje të madhe dhe është shqetësuese për ne, sepse në qendrën tonë janë të regjistruar 820 persona dhe vetëm vitin e kaluar, 15 prej tyre kanë vdekur”
, thekson Blakaj.
XS
SM
MD
LG