Ndërlidhjet

Vestervelle mbron vendimin e Gjermanisë për Libinë


Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, hodhi poshtë akuzat se Berlini është izoluar ndërkombëtarisht, pas refuzimit për t'iu bashkuar aleatëve në organizimin e sulmeve ushtarake në Libi.

"Përshtypja se Gjermania është izoluar, është plotësisht e gabuar. Shumë vende të tjera në Bashkimin Evropian, jo vetëm që e kuptojnë pozitën tonë, por edhe e kanë një të tillë", tha Vestervelle.

I pyetur se cilat shtete të BE-së ndajnë të njëjtën politikë me Berlinin, Vestervelle përmendi Poloninë.

Gjermania është njëra nga anëtaret e Këshillit të Sigurimit që ka abstenuar gjatë votimit të rezolutës për zonën e ndalim fluturimit mbi Libi. Vendimi i saj ka nxitur kritika të shumta.

Vestervelle tha se 7,000 trupa gjermane shërbejnë në misione të huaja. "Ne i përmbushim detyrimet tona ndërkombëtare", shtoi ai.
XS
SM
MD
LG