Ndërlidhjet

Lufta deklarative kundër korrupsionit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Megjithëse është ngritur zëri disa herë, përmes fushatave të ndryshme, për luftën kundër korrupsionit, kjo dukuri në Kosovë është e pranishme pothuaj në të gjitha institucione publike të vendit - të paktën kështu thonë zyrtarë nga Agjencia Kundër-korrupsion.

Organizatat joqeveritare që mbikëqyrin luftën kundër korrupsionit, thonë se janë të fokusuara në fushata të ndryshme, si presioni në institucione për të siguruar një transparencë më të madhe me paranë publike, pjesëmarrja në hartimin e ligjeve etj.

Avni Zogiani nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, shpreh mendimin se roli i shoqërisë civile është i madh në këtë drejtim.

Zogiani thotë se OJQ-të, janë duke kontribuar me të gjitha kapacitetet që korrupsioni në vend të mos jetë në nivel të lartë.

“Dy janë kryesore, mendoj; një është roli në mbikëqyrjen e sektorit publik, po natyrisht edhe të sektorit privat, dhe eventualisht në nxjerrjen e opinioneve sugjerimeve dhe vërejtjeve në lidhje me mënyrën si po menaxhohet paraja publike. Roli tjetër është pjesëmarrja në procese të ndryshme, sidomos në procesin e krijimit të ligjeve”
, thotë Zogiani.

Nga ana tjetër, sipas drejtorit të organizatës “Fol”, Ramadan Ilazi, roli i shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit është i shtrirë në disa drejtime.

Një nga to, sipas Ilazit, është edhe mbështetja teknike për institucionet, të cilat e luftojnë korrupsionin.

“Mbi të gjitha, shoqëria civile kontribuon më së shumti në kuadër të rolit të saj mbikëqyrës ndaj mënyrës se si shpenzohen paratë e taksapaguesve apo fondet publike. Në këtë aspekt, shoqëria civile është treguar shumë e aftë, vigjilente duke reaguar me kohë në rastet kur është vërejtur mënyra se si janë shpenzuar paratë publike”
, deklaron Ilazi.

Edhe Merita Mustafa, menaxhere në programin “Transparenca dhe anti-korrupsioni”, në Institutin Demokratik të Kosovës, pohon se organizatat joqeveritare që merren me luftimin e dukurisë së korrupsionit, në vazhdimësi e kanë ngritur zërin dhe po japin kontribut të madh.

Si çështje të rëndësishme, Mustafa përmend faktin kur OJQ-të kanë marrë pjesë në grupet punuese parlamentare për hartimin e disa ligjeve kundër korrupsionit.

“Organizatat që merren me luftën kundër korrupsionit, kanë kontribuar në vazhdimësi dhe kanë dhënë rekomandime konkrete për përmirësimin e një legjislacioni anti-korrupsion”,
thekson Mustafa.

Megjithatë, drejtuesit e shoqërisë civile konsiderojnë se lufta kundër korrupsionit, ende nuk ka treguar ndonjë rezultat konkret, përveç, siç thonë ata, deklaratave politike.

Nevoja për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në Kosovë, është theksuar disa herë edhe nga zyrtarë të lartë ndërkombëtarë.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile pohojnë se në Kosovë, institucionet që duhet ta luftojnë korrupsionin, nuk tregojnë seriozitet dhe angazhim të duhur në këtë drejtim. Sipas tyre, institucionet, të cilat vetë janë të korruptuara, nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.

Lexoni edhe këto:

Preteni: Korrupsioni në përmasa shqetësuese
Nis në praktikë lufta kundër korrupsionit?
XS
SM
MD
LG