Ndërlidhjet

Plas sherri edhe për librat


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe Unioni i Botuesve të Kosovës kanë hapur polemika ndërmjet vete për shkak se ky i fundit ka organizuar Panairin ndërkombëtar të librit –Prishtina 2011.


Organizimi i Panairit ndërkombëtar të librit, i cili këto ditë po mbahet në Prishtinë, është bërë mollë sherri për dy organizatat, të cilat përfaqësojnë botuesit e Kosovës.

Drejtuesit e Shoqatës së Botuesve të Kosovës po e akuzojnë Unionin e Botuesve të Kosovës, i cili ka organizuar panairin ndërkombëtar të librit, për, siç thonë ata, kopjimin e terminëve të mbajtjes së panairit, si dhe vjedhje të vlerave dhe traditës, të cilat i ka krijuar Panairi i librit, që është organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës tash e 12 vjet.

Daut Demaku, drejtues i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo shoqatë ka paralajmëruar organizimin dhe mbajtjen e Panairit të librit, prej 3 deri më 8 qershor, ndërkohë që Unioni i Botuesve po e mban panairin saktësisht një muaj më herët.

“Është synim i disa përfituesve që nuk kanë kurrfarë konsiderate ndaj asaj që quhet vlerë, që quhet kulturë. Por, janë të interesuar që të fitojnë lekë për vete dhe kjo është e tëra. Po të ishte organizuar ky panair në vjeshtë, ose po të ishte organizuar me 3-4 muaj distancë, po të mos ishte organizuar më 3 deri më 8 maj, pikërisht më 3 deri 8 qershor kur ne kemi pasur të dalim me panairin tonë, do të ishte çdo gjë në rregull. Le të urdhërojnë, le ta begatojnë hapësirën kulturore me manifestime kulturore. Pse jo?! Mirëpo, fillim e mbarim kjo punë është punë e hilesë”
, thotë Demaku.

Në anën tjetër, drejtuesi i Unionit të Botuesve të Kosovës, Behxhet Bici, thotë se Panairi ndërkombëtar i librit nuk është organizuar për të zbehur vlerat e Panairit të librit, që e organizon tradicionalisht Shoqata e Botuesve. Sipas tij, me gjithë përpjekjet e Unionit të Botuesve që të sqarohet me Shoqatën e Botuesve, nuk është arritur të sqarohet kjo.
Stendë librash...

“Vërtet, ne kemi bërë përpjekje që të komunikojmë me ta, që të gjejmë eventualisht ndonjë kompromis. Mirëpo, unë nuk arrij dot që t’i kuptoj tendencat e monopolizimit të vlerave të një panairi. Aludohet në atë, që ne e kemi caktuar fiks një muaj më herët. Realisht, terminin për mbajtjen e Panairit ndërkombëtar të librit e kemi bërë që në dhjetor. As që e kemi ditur terminin e organizimit të pretenduar për qershor. Ne i kemi bërë të gjitha tentativat e mundshme të komunikimit, por na janë përgjigjur negativisht”
, sqaron Bici për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, Demaku shpreh mendimin se Panairi i organizuar nga Unioni i Botuesve, nuk është fare ndërkombëtar.

“Ky panair, së pari nuk është fare ndërkombëtar. Po të ishte ndërkombëtar, do të duhej që të paktën që 51 për qind të jenë botues të jashtëm. E, aty nuk janë as 2 apo 3 botues të jashtëm”,
shprehet Demaku.

Por, Bici thotë se tashmë ka pasur disa botues të huaj pjesëmarrës në panairin që e organizoi Unioni i Botuesve dhe se viteve të ardhshme pritet shtim i interesimit.

Ai gjithashtu thekson se në këtë panair marrin pjesë edhe botues, të cilët janë pjesë e Shoqatës së Botuesve të Kosovë.

“Pa dyshim që do të jetë panair ndërkombëtar dhe tradicional. Ta kemi parasysh që prej 5 anëtarëve të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, 3 janë të pranishëm në panair”
, thekson Bici.

Sidoqoftë, drejtuesi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Demaku, ka paralajmëruar se Panairi, siç e quajti ai, tradicional i librit, të cilin e organizon kjo shoqatë, do të mbahet në qershor, ndonëse, sipas tij, kjo është mjaft problematike.

“Në qoftë se mbahen dy panaire brenda një muaji, mund ta merrni me mend se çka ndodh aty. Por, për shkak të një tradite, për shkak të një ngjarjeje kulturore, për shkak të një qëndrueshmërie të një manifestimi, siç është panairi, ne do ta organizojmë”.

“Do të bëjmë përpjekje maksimale, madje qoftë edhe me shpenzimet tona private, që ta ndërtojmë dhe ta vazhdojmë traditën që ta kemi një manifestim dinjitoz dhe ta kemi një përfaqësim. Nga shkrimtarët e jashtëm, kemi paralajmërime se do të na vijnë rreth 17 prej tyre, emra shumë të rëndësishëm të letërsisë evropiane”
, shpjegon Demaku.

Ndryshe, drejtuesi i Unionit të Botuesve të Kosovës, Bici, thotë se pavarësisht mosmarrëveshjeve me Shoqatën e Botuesve të Kosovës, ata me dëshirë do të marrin pjesë edhe në panairin që e organizon në qershor shoqata rivale e tyre.

“Nëse na bëjnë ftesë ata, të Shoqatës së Botuesve, nëse eventualisht kanë kurajën të na thirrin në Panair të librit, do të shkojmë. Pse jo? Kur bëhet fjalë për librin, duhet t’i bëjmë edhe disa tolerime”,
thotë Bici.

Sidoqoftë, Panairi ndërkombëtar i librit Prishtina-2011, sipas drejtuesve të Unionit të Botuesve të Kosovës, do të vazhdojë të organizohet edhe viteve të ardhshme.

Gjithashtu, edhe Shoqata e Botuesve të Kosovës thotë se do ta vazhdojë traditën e organizimit të panairit të librit. Rrjedhimisht, në vitet e ardhshme pritet që në Kosovë brenda vitit të organizohen dy panaire të librit.
XS
SM
MD
LG