Ndërlidhjet

Rusia dhe Pakistani forcojnë marrëdhëniet shtetërore


Rusia dhe Pakistani janë zotuar sot që të rrisin lidhjet ekonomike dhe përpjekjet e kordinuara kundër terrorizmit. Presidenti rus, Dmitri Medvjedev, si dhe homologu i tij nga Pakistani që po qëndron për vizitë në Moskë, Asif Ali Zardari, mbikqyrën nënshkrimin e disa marrëveshjeve për bashkëpunim ku përfshihej energjia dhe agrokultura.

Ata gjithashtu e kanë miratuar një marrëveshje të përbashkët që nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit më të fuqishëm ekonomik.

Në këtë dokument, liderët, shprehën përkrahjen për kompanitë ruse që kanë dëshirë të nisin projekte ekonomike, në infrastrukturë dhe projekte të bankave në Pakistan.

Duke folur gjatë këtyre bisedimeve me Zardarin, Medvedjev është zotuar që të koordinojë përpjekjet në luftën kundër terrorizmit duke shtuar: “ne duhet të bëjmë çdo gjë që së bashku t’i kundërvihemi kësaj të keqeje kryesore të shekullit të 21-të”.

Zardari në anën tjetër ka thënë se udhëtimi i tij është një mundësi historike për marrëdhënie më të mira me Rusinë.

“Sa i përket anës time, kjo është një vizitë shumë historike, fillimi i një marrëdhënie të re me Rusinë”, tha Zardari

Vizita katër ditore e Zardarit në Rusi bëhet në kohën kur disa politikanë në SHBA i akuzojnë autoritetet pakistaneze se e kanë ndihmuar Osama bin Ladenin, kryeterroristin që u vra pas një sulmi ushtarak amerikan në territorin e Pakistanit gjatë këtij muaji.
XS
SM
MD
LG