Ndërlidhjet

Rexhepi: Kosova përmbushi kushtet teknike për vizat


Autoritetet kosovare thanë se do t’u kërkojnë përfaqësuesve të Komisionit Evropian të jenë më pro-aktiv në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, vlerësoi se Kosova ka përmbushur tashme të gjitha kushtet teknike për t’u përfshirë në liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, por nuk hodhi poshtë mundësinë që për shkak të përvojave që BE-ja ka pasur me vendet e rajonit në këtë drejtim, edhe Kosova të pësojë dëme paralele.

“Ne presim, me të drejtë, që në pjesën e parë të vitit 2012 t’i plotësojmë kushtet teknik, mirëpo tash ka edhe dëme kolaterale. E dini se në muajin qershor do të bëhet një vlerësim për Serbinë dhe Maqedoninë, se si ata e kanë përdorë liberalizmin, a ka pas keqpërdorime dhe ai Komision vlerësues mund t’i kthej mbrapa proceset dhe prapë të vendos regjimin e vizave. Kështu që edhe ne nuk mund të jemi të ndarë nga ky proces”, tha Rexhepi në mbledhjen e fundit të Grupit punues për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian.

Deklarata e Rexhepit vjen një ditë para vizitës së paralajmëruar në Prishtinë të Presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso dhe komisionari për zgjerim, Shtefan Fyle.

Në dhjetor të vitit të kaluar vizat me Bashkimin Evropian ishin liberalizuar për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, ndërsa Kosova ende nuk ka marrë udhërrëfyesin zyrtar e as nuk ka nisur dialogun për këtë proces.
XS
SM
MD
LG