Ndërlidhjet

Integrimi me rritje aktivitetesh?!


Mitrovicë
Mitrovicë

Kërkesa për një rol më pro-aktiv të EULEX-it në veri vlerësohet të jetë e qëndrueshme nga zyrtarët evropianë, të cilët thonë se duke shtuar praninë dhe aktivitetet në atë pjesë, do të synojnë ta vendosin sundimin e ligjit atje. Në Qeverinë e Kosovës, instalimi i sundimit të ligjit përmendet si parakusht për rikthimin e tërësishëm të veriut nën autoritetin shtetëror.



Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë dhe autoritetet vendore thonë se, për shkak të situatës dhe problemeve specifike në veri, ata do të vazhdojnë ta trajtojnë këtë pjesë si prioritet të angazhimeve të tyre.

Pavarësisht kritikave lidhur me qasjen e tyre ndaj veriut, në EULEX e në Qeverinë e Kosovës paralajmërojnë rritjen e aktiviteteve në këtë pjesë, me qëllim të rivendosjes së sundimit të ligjit.

Zëdhënësi i EULEX-it, Nikolas Hauton, i tha Radios Evropa e Lirë se që nga instalimi i misionit në veri, janë arritur disa suksese në luftën kundër krimit të organizuar dhe problemeve të tjera që sfidojnë sundimin e ligjit në atë pjesë të vendit.
Kreu i misionit e ka vënë veriun si prioritet të punës së tij, në kohën kur ai do të jetë në krye të EULEX-it.

“Mendoj se askush nuk është në iluzion kur bëhet fjalë për vështirësitë e veprimit në veri, ku ekzistojnë çështje dhe probleme specifike. Për këtë arsye, EULEX-i beson se shtimi i punës atje është i rëndësishëm. E, për këtë arsye, kreu i misionit e ka vënë veriun si prioritet të punës së tij, në kohën kur ai do të jetë në krye të EULEX-it. Për këtë arsye, EULEX-i është duke rritur aktivitetet e tij atje”, u shpreh Hauton.

Komenti i tij vjen pas kërkesës për një rol më pro-aktiv të EULEX-it në veri, të cilën Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Piter Feith, ia drejtoi misionit, në një intervistë dhënë mediave lokale.

Roli dhe puna e bërë e EULEX-it në veri, në javët e kaluara, ishin shkaktarë të përplasjeve në mes të zyrtarëve evropianë dhe atyre vendorë. Sidoqoftë, në të dy mekanizmat ka një pajtim për rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit, me theks të veçantë te veriu i vendit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se për të rikthyer veriun tërësisht nën autoritetin shtetëror, është i nevojshëm rikthimi i sundimit të ligjit atje.

“Parakusht është vendosja e sundimit të rendit dhe ligjit. Ky është prioritet i përbashkët - edhe i Qeverisë, edhe i Bashkimit Evropian, edhe i EULEX-it si mision teknik”, u shpreh ai, për të shtuar se do të vazhdojnë përpjekjet e ekzekutivit kosovar në zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut –dokument ky i krijuar në fillim të vitit 2010, në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare.

Dokumenti në fjalë parasheh zbatimin në terren të çështjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, vendosjen e dialogut e pajtimin ndëretnik, çështjet e zhvillimit ekonomik e social, decentralizimin, shtrirjen e shërbimeve publike dhe komunikimin.

Bajram Rexhepi
Pengesa kryesore në jetësimin e planeve që dalin nga ajo strategji, sipas ministrit Rexhepi, mbesin strukturat e mbështetura nga Beogradi zyrtar.

“Ato nuk janë struktura paralele, ato janë struktura ilegale dhe paraqesin problem, sikurse edhe Beogradi nëpërmjet ndikimit të tij në këto struktura ilegale, në çështjet që nganjëherë u bëhen pengesë qytetarëve për integrim në proceset demokratike”, tha Rexhepi.

Që nga paslufta, mekanizmat vendorë dhe ata ndërkombëtarë nuk kanë arritur ta rikthejnë veriun e Kosovës nën autoritetin e Prishtinës zyrtare. Përpjekjet për ta bërë këtë u vështirësuan edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit, me kundërshtimin e serbëve lokalë për t’i pranuar institucionet shtetërore të Kosovës.

Derisa në Beograd vazhdon të qarkullojë ideja për ndarjen e veriut, autoritetet kosovare këmbëngulin në moscenimin e tërësisë territoriale të Kosovës.

Lexoni edhe këtë:
Kah çojnë përplasjet me EULEX-in?
XS
SM
MD
LG