Ndërlidhjet

“Marrëveshjet pako” i harton BE-ja?!


Bruksel
Bruksel
Mungesa e deritashme e rezultateve konkrete, transparencës dhe mungesa e përafrimit të qëndrimeve të palëve në dialogun Prishtinë-Beograd lënë të kuptojnë se pakoja e marrëveshjeve të paralajmëruara mund të jetë hartuar tashmë, thonë analistët politikë në Kosovë.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Ismajl Hasani, megjithatë, shpreh bindjen se marrëveshjet për temat e diskutuara janë bërë ose do të bëhen nga zyrtarët evropianë, e jo nga pala serbe e ajo kosovare.

Ismail Hasani
“Bashkimi Evropian, në planin e integrimit të Ballkanit në gjirin e vet, është e domosdoshme të japë kontributin sa i takon paqësimit të kësaj hapësire, në kuptimin që nënshkrimi i marrëveshjeve që prekin interesat e qytetarëve të të dyja shteteve, hyn në korpusin e këtyre ndërmarrjeve”, thotë ai, për të shtuar se marrëveshjet mbi çështjet si: telekomunikacioni e energjia elektrike, kthimi i dokumenteve kadastrale, regjistri civil, çështja e CEFTA-s dhe temat e tjera të diskutuara deri më tani, do të kërkonin mbështetjen parlamentare të të dyja vendeve.


Edhe në rast të miratimit të marrëveshjeve në kuvendet përkatëse, drejtori i Qendrës për Politika të Reja në Beograd, Vlladimir Todoriq, përjashton mundësinë që ato të zbatohen në terren në formën e marrëveshjeve të zakonshme bilaterale.

“Nëse marrëveshja arrihet për kapituj të caktuar, çdo kapitull do të zbatohej veçmas, por jo në formën e marrëveshjeve reciproke. Mendoj se Beogradi tashmë ka hedhur poshtë mundësinë që të nënshkruajë çfarëdolloj marrëveshjeje me Prishtinën, porse marrëveshja do të bëhej përmes zbatimit unilateral nga të dyja qeveritë, përmes ligjeve të miratuara nga një autoritet më i lartë apo përmes akteve të tjera ligjore”, thotë Todoroviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson rëndësinë që të zyrtarizohet çfarëdolloj marrëveshjeje ndërmjet palëve deri në fund të muajit gusht, për shkak të, siç thotë, presionit që të dëshmohet suksesi i dialogut.

Ky sukses, sipas analistit serb, do të jetë i nevojshëm sidomos për Beogradin zyrtar dhe synimin e tij për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE deri në fund të këtij viti.

Ai vlerëson se tejkalimi i kornizës së vënë nga Plani i Ahtisarit për temat, të cilat figuruan deri më tani në tryezën e bisedimeve, do të ishte po ashtu një lloj arritjeje për autoritetet serbe.

“Beogradi ka dy motivime kryesore për këtë dialog - njëri është progresi në kontekstin e integrimit evropian. Mirëpo, tjetri është që të ndryshohet ajo që është arritur përmes Pakos së Ahtisarit”.
Ekziston definitivisht nevoja që të gjendet diçka mbi atë që i është dhënë komunitetit serb përmes Pakos së Ahtisarit.

“Nuk e kam fjalën për ndarje apo çfarëdolloj marrëveshjeje territoriale. Ekziston definitivisht nevoja që të gjendet diçka mbi atë që i është dhënë komunitetit serb përmes Pakos së Ahtisarit. Në fakt, ky është instrumenti i vetëm që Beogradi ka në dispozicion për arritjen e qëllimit të vet. Pra, nuk ndërlidhet gjithçka me Bashkimin Evropian”, thotë Todoroviq.

Pavarësisht vlerësimeve zyrtare që flasin për konstruktivitetin e dialogut për çështje praktike, analistët thonë se dialogu po u shërben synimeve politike të tri palëve të përfshira në të. Sipas tyre, mbetet për t’u parë se cila palë do të jetë përfituesja më e madhe e këtij procesi.

Lexoni edhe këtë:
Kërkohet transparencë nga qeveria
XS
SM
MD
LG