Ndërlidhjet

Ngulfatja e biznesit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës ku thuhet se në tremujorin e fundit të këtij viti ka pasur shtrenjtim të kamatave në kredi, ka alarmuar përfaqësues të biznesit dhe ekspertë të ekonomisë. Ata thonë se ky shtrenjtim i kamatave po e dëmton biznesin kosovar. Sipas tyre, kamatat në kredi është dashur të shënojnë ulje, pasi që kanë qenë shumë të larta.


Ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësues të biznesit thonë se bankat komerciale kosovare janë duke e shfrytëzuar mungesën e kesh-it në vend, prandaj po aplikojnë norma të larta të interesit, sidomos në kredi.

Bedri Kosumi nga kompania “Pestova”, në Vushtrri, thotë se kamatat e kredive në sistemin bankar vazhdojnë të vështirësojnë veprimtarinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë.

Kjo rritje e normave të interesit apo rritje e kamatave në kredi është shumë keq. Unë mendoj se edhe ashtu kamatat kanë qenë shumë të larta, në njëfarë mënyrë të papërballueshme sidomos në sektor të prodhimit. Kjo rritje do të na ngufasë edhe më shumë”, thotë Kosumi për Radion Evropa e Lirë.

Kamatat në kredi janë shtrenjtuar edhe më shumë në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas raportit të tremujorit të parë të këtij viti të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), norma mesatare e interesit në kredi, që aplikohet nga bankat komerciale në vend, ka arritur në 14.7 për qind, krahasuar me 14.1 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Eksperti i ekonomisë, Xhemshit Duriqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se niveli i kamatës në të gjitha llojet e kredive është më i larti në Evropë dhe tendenca e rritjes është shqetësuese.

“Mungesa e kapitalit vetjak e detyron biznesin privat që të kërkojë kredi, edhe pse kostoja e saj është e papërballueshme, në veçanti për biznesin nga lëmi i prodhimit, ku norma e profitit nuk arrin as lartësinë e kamatës që është mbi 14 për qind”, thekson Duriqi.

Eksperti Duriqi thekson se bizneset, të cilat veprimtarinë e vet e mbështesin në kapitalin bankar në Kosovë, janë të rrezikuara të dështojnë. Ndërkaq, sipas tij, hapësira ekzistuese për ndërhyrje të mundshëm në uljen e kamatave, nuk është shfrytëzuar aspak.

Kosova gjithmonë, e posaçërisht pas luftës, potencialin financiar zhvillimor e ka dukshëm më të ulët se sa kërkesat për zhvillim dhe punësim. Një gjendje e tillë e përjashton konkurrencën e mirëfilltë të kapitalit bankar, madje krijon hapësirë e rrethana që konkurrenca të eliminohet krejtësisht në marrëveshje në mes të bankave edhe për lartësinë e kamatave”, shpjegon Duriqi.

Ndërkohë, edhe Bedri Kosumi nga kompania “Pestova”, thekson se kreditë bankare në Kosovë nuk krijojnë kushte për zhvillimin e bizneseve.

“Biznesi kosovar ka nevojë për para kesh. Ato para duhet t’i marrim nga bankat, por me këto interesa që janë edhe më të shtrenjta, do të na pengojë edhe më shumë”,shprehet Kosumi.


Normat e kredisë i përcaktojnë vetë bankat me politikat e tyre ekonomike. Banka Qendrore e Kosovës, ndërkaq, vetëm i menaxhon, por nuk ka asnjë të drejtë që të ndërhyjë në politikat afariste të bankave.
XS
SM
MD
LG