Ndërlidhjet

Keqpërdorimi diplomatik i dialogut


Autoritetet kosovare synojnë që përmes “diplomacisë publike” të rrisin numrin e njohjeve për Kosovën në botë. Mirëpo, edhe në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, ata paralajmërojnë se diplomacia serbe do të ndërmarrë veprime kundër njohjes së shtetësisë së Kosovës.

Derisa qasja e Beogradit dhe e Prishtinës zyrtare në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian vlerësohet të ketë qenë konstruktive deri më tani, autoritetet kosovare thanë se në Serbi ka tendenca për ta keqpërdorur këtë proces në lobimin kundër pavarësisë së vendit.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se mund të pritet që në të ardhmen politika serbe të ndërmarrë të njëjtat veprime ndaj Kosovës sikurse ato që bëheshin në kohën kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shqyrtonte legalitetin e shpalljes së pavarësisë së saj.

“Tash mund të ketë situata që diplomacia serbe ta keqpërdorë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por ju e dini që dialogu është një dialog mes dy shteteve të pavarura, sovrane dhe demokratike. E dini që rezoluta e Këshillit të Sigurimit e 9 shtatorit të vitit 2010, i referohet mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe e pranon mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, theksoi Hoxhaj në një konferencë, në të cilën Këshilli Britanik në Prishtinë, në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme dhe Ambasadën Britanike, shpalosën projektin “Komunikimi me Evropën përmes Diplomacisë Publike”.
Dialogu Prishtinë - Beograd

Hoxhaj tha se ky projekt hyn në kuadër të strategjive, me të cilat synohet të përmbyllet procesi i njohjeve të Kosovës. Shefi i diplomacisë kosovare theksoi se ekzekutivi i vendit posedon një listë, në të cilën janë të specifikuara arsyet pse shtete të caktuara nuk e njohin Kosovën.

Duke folur për synimin për ta rritur numrin e gjithsej 76 njohjeve për Kosovën, Hoxhaj shprehu bindjen se as në mesin e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk ekziston ndonjë arsye për të mos hedhur hapin për njohje.

Çdokush e di që dialogu nuk ka të bëjë me statusin dhe se statusi në formën e pavarësisë, të integritetit territorial dhe të sovranitetit është çështje e zgjidhur. Prandaj, unë mendoj që, realisht, vendet e Bashkimit Evropian, as vendet e tjera nuk kanë ndonjë arsye që të mos e njohin Republikën e Kosovës. Në disa vende elitat politike janë më fleksibile drejt njohjes se sa opinioni publik”, theksoi Hoxhaj.

Ditë më parë, zyrtarë të BE-së theksuan rëndësinë që Serbia të punojë në drejtim të normalizimit të raporteve me Prishtinën zyrtare, po qe se shteti serb synon të jetë anëtar i këtij mekanizmi.


Mirëpo, në Beograd thonë se pranimi i Kosovës nuk është dhe nuk mund të jetë kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Klif, u shpreh optimist për rezultatet e së ashtuquajturës “diplomaci publike” për njohjen e Kosovës, e cila, sipas tij, do të ndikojë pozitivisht edhe në rregullimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.

“Po, mendoj se kjo do të jetë kryesisht pjesë e përpjekjeve dhe duhet të rikujtojmë se në shumë shtete, 12 vjet pas konfliktit, Kosova ka dalë nga ekrani i radarit, andaj ka një injorancë të madhe në botë për Kosovën dhe çfarë përfaqëson ajo sot”, tha Klif.

Ndërkaq, i pyetur nëse kjo diplomaci do të gjejë zbatim edhe në Serbi, Klif u shpreh:

“Nuk mendoj se Serbia do të jetë shteti i parë, por procesi i zbatimit të këtij projekti nuk parasheh që ne të jemi të zëshëm nga ana zyrtare, sepse do të shkaktohej një kundër-reagim i menjëhershëm në shtetet në fjalë”.

Diplomacia publike pritet të nisë së zbatuari në korrik të këtij viti për të vazhduar edhe gjatë vitit të ardhshëm. Qëllimi i saj thuhet se do të jetë rritja e vetëdijes së opinionit publik në vendet që s’e kanë njohur Kosovën për ta ndërmarrë një veprim të tillë.
XS
SM
MD
LG