Ndërlidhjet

Në kërkim të qasjes


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Adresimi i problemeve, me të cilat ballafaqohen gazetarët gjatë punës së tyre dhe qasjes në institucionet e Kosovës, ishte temë e debatit të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, i cili u mbajt të premten në Prishtinë. Në këtë debat morën pjesë edhe përfaqësuesit e institucioneve të larta të vendit, të cilët shprehën gatishmërinë e këtyre institucioneve për bashkëpunim të plotë me mediat.


Gazetarët dhe institucionet e vendit duhet të gjejnë forma që bashkëpunimi ndërmjet tyre të përparojë edhe më tej dhe në suaza të korrektësisë, është vlerësimi i përbashkët i pjesëmarrësve në debatin e organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës.

Në këtë debat, gjithashtu ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e institucioneve të larta të vendit.

Arben Ahmeti, drejtues i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, tha se në Kosovë ekziston mjedis i pafavorshëm për punën e gazetarëve, e sidomos sa i përket qasjes së tyre në punën e institucioneve të larta të vendit.

“Ne konstatojmë që situata është në degradim dhe ne po mundohemi që ta parandalojmë degradimin e plotë të kësaj situate dhe ta ndalim këtë trend negativ. Vetëm pasi ta ndalim trendin negativ, pastaj do të mund të flasim për përmirësimin e mundshëm”.

“Konstatojmë se si asociacion, ne ende nuk po mundemi, me këtë mentalitet të institucioneve, që ta ndalim trendin negativ të stërkeqjes më të madhe të ambientit kosovar për punën e gazetarëve”, tha Ahmeti.

Ndryshe, gazetarët gjatë debatit kritikuan Qeverinë e Kosovës për mosemërimin e zëdhënësit të saj, gjë që ua vështirëson qasjen gazetarëve në punën e Qeverisë.

Qeveria e Kosovës

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës tha se pajtohet me disa kritika të gazetarëve, por, siç theksoi ai, Qeveria nuk ua ka mbyllur dyert gazetarëve.

“Gazetarët e shprehin realitetin në Kosovë. Natyrisht që Qeveria është e interesuar që punën dhe aktivitetin e saj ta bartë në publik dhe këtë e bën përmes mediave. Gazetarëve ne u japim mundësi që ata të arrijnë tek e vërteta dhe ta plasojnë atë. Kjo na intereson ne. Natyrisht që gjatë këtij rrugëtimi, ka çështje që mund t’i bëjmë më mirë edhe ne, siç është fjala edhe për zëdhënësin. Unë jam i bindur që shumë shpejt do të përcaktohemi për zgjedhjen e një zëdhënësi”.

“Por, edhe deri më tash, kemi dhënë mandatin që në çdo ministri, veç e veç, një prej këshilltarëve politikë, të emërohet në cilësinë e zëdhënësit. Këtë e kemi bërë edhe me rregullore. Është mandati në fuqi i zëdhënësit të kaluar, por duhet ta bëjmë një adresim më të qartë”, shpjegoi Kuçi.

Ndërkaq, zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Arbër Vllahiu, e cilësoi si mjaft të vlefshëm takimin e me gazetarët në debatin e së premtes, duke thënë se një gjë e tillë ka qenë e nevojshme, edhe për mediat, edhe për institucionet.

“Ne kemi pasur nevojë që të diskutojmë ndërmjet vete, që t’i trajtojmë temat së bashku, që t’i trajtojmë çështjet, për të cilat sot kemi folur, natyrisht, por edhe për bashkëpunimin tonë. Të dyja, edhe institucionet, e edhe mediat në Kosovë, kanë nevojë për një bashkëpunim të ndërsjellë, kanë nevojë për respektim të ndërsjellë dhe kanë nevojë, posaçërisht, për respektimin e mandateve dhe të përgjegjësive që kanë”, u shpreh Vllahiu.

Gjatë debatit, gazetarët ngritën edhe çështjen e moskrijimit të mundësive optimale nga ana e Kuvendit të Kosovës për gazetarët, që ata ta kryejnë punën e tyre lirshëm.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sadri Ferati, nga Komisioni Parlamentar për Media, theksoi se pengesat janë kryesisht teknike dhe se nuk ka ndonjë bllokadë politike për gazetarët në Kuvendin e Kosovës.

Ky ishte një rast i mirë që ne të bisedojmë se si t’i zgjidhim ato çështje. Më tepër kishte të bëjë lidhur me kushtet e gazetarëve në institucione. Vërejtjet më të mëdha ishin për Kuvendin, e pjesërisht edhe për Qeverinë, sepse nuk po kanë kushte të mira që t’i përcjellin të gjitha ngjarjet që kanë aty”.

“Unë e quajta këtë si problem të karakterit teknik - administrativ dhe nuk është problem i karakterit politik dhe i mungesës të ndonjë vullneti. Të gjithë u angazhuam që ato duhet të tejkalohen, që gazetarëve t’u krijohen kushte të mira dhe ata, pastaj, të vijnë në shprehje me informimin e tyre, që do të reflektojnë edhe në vetë punën e institucioneve”,
theksoi Ferati.

Sidoqoftë, debati ndërmjet gazetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve u zhvillua vetëm pak ditë pasi që organizata Transparency International, në raportin e fundit kishte theksuar se problem në Kosovë paraqet pamundësia e mediave dhe shoqërisë civile për të monitoruar Qeverinë dhe Presidencën dhe Kuvendin e Kosovës.

Lexoni edhe këtë:
TI: Mungesë përparimesh
XS
SM
MD
LG