Ndërlidhjet

Makolli: Përkujdesje institucionale ndaj diasporës


Ibrahim Makolli
Ibrahim Makolli
Nevoja për një përkujdesje institucionale ndaj diasporës ka qenë e kamotshme dhe kjo, tash e tutje edhe do të bëhet, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Ibrahim Makolli.


RADIO EVROPA E LIRË
Resori që ju drejtoni, Ministria e Diasporës, është krijuar rishtazi. Si ministri e re, çfarë pritet se mund t’i ndihmoni diasporës?

IBRAHIM MAKOLLI

Kujtoj që ka qenë e kahershme nevoja për një përkujdesje institucionale ndaj diasporës, e cila përbën rreth 1/3 e gjithë popullatës së Kosovës, madje edhe regjistrimi i fundit e dëshmon këtë. Tashmë kemi të bëjmë me një avancim në përkujdesjen ndaj mërgatës, e cila gjithsesi ka për qëllim dhe mision disa çështje.

E para, është ruajtja e identitetit kombëtar, kulturor, gjuhësor të mërgimtarëve tanë, kudo qofshin ata, sepse kemi disa gjenerata të mërgimtarëve. Së dyti, po ashtu, zhvillimi i aktiviteteve kulturore që do të zhvillohen në dhe me diasporën. Dhe, çështja e tretë, është inkurajimi i investimeve të mërgimtarëve në Kosovë, të cilët jo rrallëherë kanë pasur vërejtje përkitazi me procedurat dhe burokracinë e lartë që ka qenë në institucionet e Kosovës.

Ministria e Diasporës do të jetë në urë lidhëse ndërmjet diasporës dhe Kosovës. Ministria e Diasporës do të shërbejë si koordinatore e të gjitha veprimeve institucionale në Kosovë në raport me diasporën.

Thjesht, tashmë diaspora ka një adresë të saj, e cila do të jetë e gatshme që t’i përgjigjet secilit interesim veç e veç të mërgimtarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Jo rrallë ka pasur ankesa nga bashkatdhetarët, të cilët kthehen në Kosovë me automjetet e tyre, se taksat që paguajnë gjatë hyrjes në pikat kufitare, janë të larta. Madje, ata e kanë cilësuar këtë si plaçkitje. Si e shihni ju këtë çështje?

IBRAHIM MAKOLLI

Gjatë këtyre vjetëve ka pasur shumë kritika, qëndrime dhe mendime të ndryshme rreth kësaj. Natyrisht, unë sapo e kam pranuar detyrën e ministrit, jam interesuar se ku është problemi dhe kam kuptuar, sikurse të tjerët, se Kosova nuk është anëtare e Kartës së Gjelbër, prandaj të gjitha automjetet me regjistrim të huaj që hyjnë brenda territorit të Kosovës janë të detyruara të paguajnë polisat e sigurimit në Kosovë gjatë kohës sa qëndrojnë këtu.

Se a ka mund të zgjidhet më herët, unë besoj se po - në format e tjera. Por, tash është kjo gjendje që është, dhe ne besojmë e shpresojmë shumë që deri në fund të vitit, eventualisht në fillim të vitit të ardhshëm, Kosova do të anëtarësohet në byronë e Kartës të Gjelbër. Prandaj, do të pushojë së ekzistuari nevoja për të pasur sigurime shtesë brenda Kosovës.

Në takim me guvernatorin e bankës dhe me autoritetet tjera kam kërkuar që të shqyrtohet mundësia e eliminimit të kësaj nevoje për këtë polisë të sigurimit dhe nëse nuk ekziston kjo mundësi, për një ose arsye tjetër, atëherë të shikohet mundësia e uljes së çmimit të saj ose kohëzgjatjes së vlefshmërisë së saj - jo një muaj, por të jetë për një vit.

Besoj që duhet të rishikohen dhe do të rishikohen politikat në këtë drejtim, në mënyrë që mërgimtarët tanë të mos kenë nevojë për pagesa shtesë sa i përket kësaj çështjeje. Dhe, së dyti, kjo shkakton edhe një tollovi në pikëkalimet kufitare, sepse për t’u pajisur me këtë, natyrisht nevojitet një kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ankesa nga bashkatdhetarët ka pasur edhe lidhur me çështjen e regjistrimit të popullsisë në Kosovë. Ata thonë se nuk janë përfshirë si duhet në këtë proces. A mendoni se numri i bashkatdhetarëve që jetojnë në mërgim do të vlerësohet saktësisht?
IBRAHIM MAKOLLI
Këtë e shoh jo vetëm si nevojë, por edhe domosdoshmëri - në radhë të parë edhe për të ditur saktësisht numrin e mërgimtarëve tanë, pjesës tonë që e kemi jashtë vendit, sepse këta janë të lidhur drejtpërdrejt me Kosovën, janë njerëz që lëvizin brenda dhe jashtë dhe duhet gjithsesi të përfshihen në regjistrimin e popullatës së Kosovës.

Edhe në konsultat me Komisionin Shtetëror për Regjistrim do të shohim mundësinë që të kemi një regjistrim në diasporë. Se çfarë formati do të jetë ky dhe cilat do të jenë modalitet, mbetet që të shihet, por unë besoj dhe qëllimi im është që në vitin e ardhshëm të fillojë një regjistrim i diasporës, kjo edhe për arsye tjera.

Nuk mund të hartohen strategji, të parashihen politika dhe veprime, po qe se nuk e dimë përqendrimin e diasporës, ku është e përqendruar, cili është numri i tyre, cila është përbërja e tyre, cilat janë kapacitetet e tyre.

Mendoj se diaspora gjithsesi duhet të përfshihet në numrin e përgjithshëm të banorëve të Kosovës. Për këtë do të bëj çmos nga ajo që varet në kapacitetin e Ministrisë së Diasporës që edhe diaspora, në të ardhmen, të përfshihet në këtë dhe kjo të ndodhë në një afat sa më të shpejtë kohor.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, keni ngritur vetë çështjen e pasaportave për diasporën. Ku qëndrojnë problemet?
IBRAHIM MAKOLLI
Unë edhe gjatë qëndrimit tim në disa vende të Evropës, jam bindur me procedurat e panevojshme për t’u pajisur me dokumente - qofshin ato letërnjoftime, qofshin pasaporta - dhe krejt kjo për shkak të procedurave administrative që parashihen me disa urdhëresa administrative, ose rregulla tjera.

Kam shprehur shqetësimin se për t’u pajisur me një pasaportë, paraprakisht sipas këtyre udhëzimeve, duhet të pajisesh me letërnjoftim, ose kartë identifikimi, dhe kjo natyrisht kërkon kohë. Në bazë të disa parallogaritjeve, për të ardhur deri te pasaporta, që vjen pas marrjes së letërnjoftimit, nevojiten së paku 5 muaj. Çka do të thotë se bëhet krejtësisht i paefektshëm edhe aplikimi online për dokumente, por edhe pamundësohet pajisja me dokumente.

Kam kërkuar nga Ministria e Punëve të jashtme që të rishikojë procedurat në mënyrë që qytetarët tanë, shtetasit tanë, që jetojnë jashtë Kosovës, të pajisen në një afat sa më të shkurtër kohor me dokumente dhe një nga to është që të njëjtën kohë të kenë mundësinë të aplikojnë edhe për letërnjoftim, edhe për pasaportë, për ta shkurtuar kohën e pajisjes me këto dokumente.

Unë besoj shumë që do të hasim në mirëkuptim nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, sepse kjo në asnjë rast nuk paraqet shkelje të asnjë rregulli dhe të asnjë dokumenti tjetër ligjor që ekziston në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
A pritet së shpejti një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme?

IBRAHIM MAKOLLI
Besoj që po. Ne kemi kërkuar që të ketë një rishikim të tillë. Ne, po ashtu, edhe me shkrim do t’i drejtohemi Ministrisë së Punëve të Jashtme, në mënyrë që të rishikohen këto politika. Siç e dini, një mori veprimesh ka ndërlidhje edhe me institucione tjera, si me Ministrinë e Punëve të Jashtme, me atë të Punëve të Brendshme edhe me dikastere të tjera dhe kujtoj se do të duhej dhe duhet të jenë shumë më të vëmendshëm dhe shumë më të shpejtë në veprim, kur kemi të bëjmë me diasporën, sepse ata nuk mund të jenë gjatë gjithë kohës në Kosovë siç jemi ne.

Duhet të parashihen veprime që mundësojnë shërbim më të shpejtë për mërgimtarët tanë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një numër i bashkatdhetarëve nga diaspora, sidomos ata të moshës së re, pas kthimit në Kosovë kanë mjaft probleme me riintegrimin në shoqërinë kosovare. A ka ndonjë program qeveritar që do të merret me këtë çështje?

IBRAHIM MAKOLLI
Ka, sepse disa dikastere të Qeverisë janë marrë me këto dhe ekziston një strategji, qoftë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, qoftë në atë të Integrimeve.

Por, unë mendoj që gama e këtyre veprimeve duhet të zgjerohet. Ne, në bazë të asaj që na takon, si Ministri e Diasporës, do të hartojmë strategji, përmes së cilave do të përkrahim një riintegrim sa më të shpejtë në shoqërinë kosovare të atyre që kthehen - qoftë me dëshirë, qoftë të detyruar - siç është qëllimi ynë që t’i përkrahim qytetarët tanë, shtetasit tanë që jetojnë në shtete të ndryshme për t’u integruar në shoqëritë ku jetojnë.

Synim yni permanent duhet të jetë që një ditë Kosova të krijojë aso kushtesh aso rrethanash, për të cilat njerëzit, jo vetëm që nuk do ta shohin nevojën për të dalë nga Kosova dhe për të kërkuar një jetë më të mirë atje, por edhe këta që i kemi jashtë vendit, të kthehen në Kosovë për ta ndërtuar jetën e vet.

Më duhet ta them që ne nuk kemi arritur ta fusim në shfrytëzim gjithë potencialin që e ka mërgata jonë që është një potencial jo vetëm ekonomik, por në radhë të parë potencial intelektual dhe politik, i cili besoj se po qe se do të futej në funksion të zhvillimeve, qofshin ato politike, qofshin arsimore etj, gjendja në Kosovë do të ishte krejtësisht ndryshe.

Mendoj që pikërisht ky duhet të jetë një synim i institucioneve, i Qeverisë së Kosovës, i nivelit lokal në Kosovë - cilido qoftë ai, që të bëjë përpjekje të angazhojë në proceset zhvillimore të vendit në të gjitha fushat e jetës këtë potencial që ne e kemi në mërgatë sot.

Mërgata jonë është faktor në këto vende ku jeton. Është shquar suksesshëm në shumë prej këtyre vendeve, në fusha të ndryshme, si në: shkencë, teknologji, arsim, kulturë sport etj. Prandaj, mendoj se duhet hartuar strategji të atilla dhe ne po përpiqemi tashmë në hapa të parë të ndërtimit të këtyre strategjive, ta inkuadrojmë në të gjitha proceset në vend edhe këtë kapacitet që e kemi jashtë Kosovës.
XS
SM
MD
LG