Ndërlidhjet

Kosovë: Presidentja Jahjaga u kthye nga Lituania


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u kthye sot nga vizita në Lituani, ku mori pjesë në konferencën “Gratë përforcojnë demokracinë: praktikat më të mira”, organizuar nga presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, dhe presidentja e Finlandës, Tarja Halonen, në kuadër të Forumit për Demokraci, në të cilin përfaqësohen një numër i madh shtetesh.

Raportohet se ajo ishte paneliste në sesionin “Luftimi i dhunës kundër grave dhe trafikimit me qenie njerëzore”, ndërsa paraqitja e saj u prit me shumë interesim nga pjesëmarrësit e konferencës.

Në konkluzionet e konferencës, Kosova u përmend si shembull i mirë për përfaqësimin e femrave në Kuvendin e Kosovës dhe për legjislacionin për luftimin e dhunës kundër femrës dhe kundër trafikimit me qeniet njerëzore.

Gjatë qëndrimit në Vilnius, presidentja Jahjaga u takua me zyrtare të larta, përfshirë sekretaren amerikane të shtetit, Hillari Klinton, dhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Ketrin Eshton.
XS
SM
MD
LG