Ndërlidhjet

Dënohen me 15 dhe 8 vjet burg për krim dhe trafik droge


Një trup gjykues i përzier me gjykatës të EULEX-it dhe ata kosovarë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë shpallen të hënën aktgjykimin për një rast të krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës.

Ky trup gjykues shpalli fajtor Xhemë Thaqin për krim të organizuar dhe trafikim të drogës duke e dënuar atë me 15 vjet burgim dhe një gjobë prej 200 mijë eurosh, thuhet në një komunikatë të EULEX-it.

Gjykata e shpalli fajtor edhe Abdyl Kukajn, po ashtu për krim të organizuar, dhe e dënoi me 8 vjet burgim.

Gjatë bastisjes së vendbanimit të Abdyl Kukajt dhe arrestimit të tij, Policia e Kosovës, vijon komunikata, i ka konfiskuar 13.000 euro para të gatshme. Gjykata e ka shfrytëzuar legjislacionin aktual për konfiskimin e pasurisë dhe ka urdhëruar konfiskimin e parave të gjetura.

Gjykata vërtetoi se në vitin 2009, Xhemë Thaqi dhe Abdyl Kukaj kanë marrë pjesë në një grup të organizuar për trafikimin e drogës.

Xhemë Thaqi i ka organizuar aktivitetet e grupit duke e bashkërenduar transportimin dhe financimin e drogës.

Në një rast ai e ka organizuar blerjen e 109 kilogramëve kanabis dhe e ka trafikuar drogën prej Shqipërisë në Kosovë, me qëllim të shitjes gjetiu në Evropë.

Në mesin e aktiviteteve të tjera, Abdyl Kukaj i ka caktuar korrierët për transportimin e drogës.

Në anën tjetër, Gëzim Iseberi, në mungesë provash, është liruar nga të gjitha akuzat.

Ndjekjen penale e ka bërë një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Palët mund të ankohen kundër vendimit brenda 15 ditësh.
XS
SM
MD
LG