Ndërlidhjet

Ekonomia, shqetësim më i madh se politika


Prishtinë
Prishtinë
Një hulumtim i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë vë në pah se afro 70 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të pakënaqur me orientimin ekonomik të vendit, ndërsa rreth 57 për qind me atë politik. Këto perceptime thuhet se mund të kenë ndikuar në rritjen e gatishmërisë së kosovarëve për t’iu bashkangjitur protestave për çështje ekonomike, se sa atyre për arsye politike.



Pakënaqësia publike është më e lartë në lidhje me orientimin ekonomik të Kosovës, sesa ajo me orientimin politik, thuhet në pjesën e dytë të anketës “Pulsi Publik”, të cilin e publikoi të mërkurën Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë.

Dokumenti pasqyron perceptimet e kosovarëve lidhur me gjendjen politike dhe ekonomike të vendit, ndërsa jep mendimet e mbi 1500 qytetarëve lidhur me punën e institucioneve vendore e ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve të ndryshme dhe problemeve si siguria apo korrupsioni.

Shefi i UNDP-së në Kosovë, Sanaka Samarasinha, tha se ndonëse është shënuar një rritje në besimin e qytetarëve lidhur me përmirësimin ekonomik, çështja e deficitit buxhetor, me të cilin përballet Kosova, mund të ketë ndikuar në pakënaqësinë e qytetarëve me gjendjen aktuale në këtë fushë.
...ka ende shumë njerëz që besojnë se ekonomia duhet të trajtohet me një qëndrueshmëri më të lartë për të ardhmen.



“Ndoshta diskutimet lidhur me deficitin buxhetor mund ta shpjegojnë këtë. Por, nëse kemi parasysh rritjen e nivelit në besimin ekonomik nga ai që ishte shumë i ulët në një që është mesatar, ai megjithatë mbetet mesatar. Andaj, ka ende shumë njerëz që besojnë se ekonomia duhet të trajtohet me një qëndrueshmëri më të lartë për të ardhmen”, theksoi Samarasinha.

Krahasuar me pjesën e parë të hulumtimit të publikuar në tetor të vitit 2010, pulsi publik që u prezantua tani, vë në pah se një numër më i madh i respondentëve janë të gatshëm t’u bashkëngjiteshin protestave për çështje ekonomike, sesa atyre për çështje politike. Zyrtari për projekte në UNDP, Atdhe Hetemi, tha se diferenca në këtë sillet për rreth 10 për qind.
Pra, njerëzit janë më të gatshëm t’u bashkëngjiten protestave për çështje ekonomike sesa për çështje
politike.


“Dallimi ndërmjet atyre që do t’u bashkëngjiteshin protestave për arsye politike dhe atyre që do ta bënin këtë për arsye ekonomike është diku 10 apo 11 për qind. Pra, njerëzit janë më të gatshëm t’u bashkëngjiten protestave për çështje ekonomike sesa për çështje politike”, tha Hetemi.

Pavarësisht rritjes së nivelit të kënaqshmërisë me punën e institucioneve kosovare si Qeveria, kryeministri, Kuvendi, kryetari i Kuvendit, presidenti, gjykatat e prokuroritë, qytetarët - sikurse ata të komunitetit shqiptar ashtu dhe serbë fajësojnë ekzekutivin kosovar për gjendjen aktuale ekonomike të vendit.

Hetemi shpjegon:

“Pjesa dërrmuese e respondentëve e konsiderojnë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës për gjendjen aktuale ekonomike. Është interesante që gjatë analizës së kësaj përgjigjeje në baza etnike, u pa se 42 për qind e serbëve kosovarë po ashtu e konsiderojnë përgjegjëse për gjendjen ekonomike Qeverinë e Kosovës”.

Shqetësim tjetër që vazhdon t’i preokupojë kosovarët, siç shpjegoi kreu i misionit të UNDP-së në Prishtinë, Samarasinha mbetet niveli i korrupsionit.

“Ky mbetet një shqetësim i madh për shumicën e njerëzve në Kosovë. Ekzistojnë institucione të veçanta, për të cilat ata janë më shumë të shqetësuar sesa të kënaqur. Me të vërtetë ekziston një problem i perceptuar për korrupsionin dhe ne do të bëjmë analizat tona për këtë në të ardhmen”, u shpreh Samarsinha.

Përfaqësuesit e UNDP-së u sugjeruan institucioneve kosovare dhe atyre ndërkombëtare që t’i marrin parasysh të dhënat e “Pulsit Publik”, në mënyrë që, siç thuhet, të bëjnë përpjekje për të përmirësuar gjendjen aktuale në fushat që përmenden në dokument.
XS
SM
MD
LG