Ndërlidhjet

Rumani: Artikujt për Basheskun – kualifikime të pavërteta


Ministria e Jashtme e Rumanisë ka shprehur mospajtimin e saj me veprimin e pazakonshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e cila e ka pyetur ambasadorin rumun në Tiranë, më 12 korrik, për t’i qartësuar disa akuza për Kosovën, të cilat i ishin atribuuar presidentit Bashesku, nga shtypi shqiptar, pas një artikulli të publikuar në internet, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme të Rumanisë.

Gjithashtu në kumtesë theksohet se artikujt që i atribuoheshin presidentit Bashesku, ishin kualifikime të pavërteta, për gjoja deklaratat që ai i kishte dhënë për shqiptarët, përfshirë edhe ata në Kosovë.

Ambasadori rumun në Tiranë, e ka hedhur poshtë fuqishëm autenticitetin e këtyre akuzave dhe ka thënë të jenë viktima të dezinformatës, që për qëllim ka dëmtimin e raporteve tradicionale të miqësisë ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë.

Në kumtesën e Ministrisë së Jashtme të Rumanisë, thuhet se ambasadori rumun në Tiranë, e ka riafirmuar pozicionin parimor të Rumanisë për Kosovën, duke theksuar se ky qëndrim është mirë i njohur për të gjithë aleatët dhe partnerët evropianë dhe euro-atlantikë të Rumanisë.

Pozicioni i Rumanisë është i bazuar në parimet fundamentale të së drejtës ndërkombëtare, thuhet në kumtesë.

Rumunia dhe Ministria e Jashtme, më 12 korrik i thanë ambasadorit të Shqipërisë në Bukuresht se është krejtësisht e papranueshme, që ambasadori rumun ishte vënë në pozitë të shpjegojë informatat e paverifikuara nga burime të panjohura.

Ky lloj i qasjes, nuk është në harmoni me nivelin e marrëdhënieve dypalëshe dhe as me mbështetjen e vazhdueshme që Rumania u jep aspiratave evropiane të Shqipërisë.

Në kumtesë theksohet se Ministria e Jashtme e Rumanisë nuk pajtohet me përpjekjet për zvogëlimin e rëndësisë së dialogut diplomatik dhe me ekzagjerimet e informatave të paverifikuara.
XS
SM
MD
LG