Ndërlidhjet

Limaj merr ftesë për prokurori


Fatmir Limaj
Fatmir Limaj

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit nuk ka dhënë detaje lidhur me ftesën që i është bërë ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, për paraqitje para prokurorisë së këtij misioni. Avokati mbrojtës i deputetit Limaj i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë marrjen e një ftesë të tillë, por e ka quajtur të vonuar iniciativën e EULEX-it për ta marrë në pyetje klientin e tij.

Ish-ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, është ftuar të paraqitet para prokurove të EULEX-it më 20 shtator të këtij viti lidhur me dyshimet për korrupsion në kohën kur po drejtonte ministrinë në fjalë.

Kërkesa e misionit evropian për sundim të ligjit vjen diku 15 muaj pas bastisjeve që iu patën bërë ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe disa banesave private të personave nga kjo ministri, për shkak të dyshimeve për korrupsion në dhënien e disa tenderëve.

Avokati mbrojtës i Limajt, Tomë Gashi, e quajti të vonuar ftesën e prokurorisë së EULEX-it, vonesë kjo e cila, sipas tij, është bërë për të dëmtuar qëllimisht imazhin dhe kredibilitetin e klientit të tij.

Ai shprehu bindjen se ftesa drejtuar Limajt hyn në kuadër të një, siç e quajti ai, fushate mediale të EULEX-it.

Ai është ftuar që sqarimet e ti t’i japë 18 muaj pasi që rasti është iniciuar-kjo nuk është normale. Askund në botë nuk ftohet dikush, prej çfarëdo rangu që të jetë, as popullata e thjeshtë e as personat e thjeshtë që nuk kanë poste politike apo poste të larta shtetërore apo shoqërore, që për pretendime të deklarohen pas një viti e gjysmë, por ato bëhen në fillim”, theksoi Gashi për të theksuar gatishmërinë e Limajt që të bashkëpunojë me autoritetet e drejtësisë.

Ai haptas është deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë. Asnjë moment nuk ka pasur dyshime se do t’i përgjigjet çdo ftese që i dërgohet dhe është në dispozicion 24 orë që të japë shpjegime dhe të bashkëpunojë me drejtësinë që të gjendet e vërteta”, tha ai.

Mirëpo, në EULEX nuk deshën ta komentojnë këtë çështje. Zëdhënësi i EULEX-it, Anne Blanksma shpjegoi:

Në parim ne nuk bëjmë të ditura detajet e hetimeve, andaj nuk mund të japë ndonjë përgjigje në këtë tani për tani”, u shpreh ai.

Përveç dyshimeve për korrupsion mbi deputetin Fatmir Limaj, rëndojnë dhe dyshimet për krime lufte në fshatin Kleçkë.

Në një konferencë për media të mbajtur muajin mars - një ditë pasi EULEX-i lëshoi fletë-arreste ndaj tij dhe disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Limaj kishte shprehur gatishmërinë për të hequr dorë edhe nga imuniteti të cilin e gëzon si deputet i Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që, siç kishte thënë ai, të mundësohet sundimi i ligjit në vend.

Çështja e imunitetit të deputetëve u kthye gjatë javëve të kaluar sërish në qendër të opinionit publik.

Ditë më parë EULEX-i i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, që përmes një rezolute të miratuar në Kuvend t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese heqjen e imunitetit për deputetët.

Mirëpo, deri më tani Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët se kush nga këto institucione është përgjegjës për bërjen e një kërkese të tillë.

Blanksma hodhi poshtë idenë që flet për ekzistimin e ndonjë plani shtesë të EULEX-it për këtë çështje, ndërsa bëri të ditur se hapat e ardhshëm do të ndërmerren pas analizimit të përgjigjes të cilën kryetari i legjislativit kosovar Krasniqi ia dërgoi të premten këtij misioni.

Ne nuk po flasim për ndonjë plan B, kur sapo kemi marrë letrën nga zoti Krasniqi, të cilën duhet ta studiojmë për të parë se si do të vazhdojmë me të”, u shpreh Blanksma.

XS
SM
MD
LG