Ndërlidhjet

Liria e internetit s'është agjendë për ndryshim regjimesh


Allek Ros
Allek Ros

Allek Ros është këshilltari i lartë i sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton, për çështje inovacionesh – një punë kjo e cila e nxit atë të zhvillojë mënyra të reja dhe inovative për të shfrytëzuar teknologjinë, në funksion të promovimit të përpjekjeve diplomatike amerikane. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zoti Ros shpjegon se si e bën punën e cila i është besuar.



RADIO EVROPA E LIRË
Shtetet e Bashkuara janë duke promovuar lirinë e Internetit në mbarë botën. A janë të përfshira në këto përpjekjet tuaja edhe vendet sikur Arabia Saudite, e cila njihet për armiqësinë që ka ndaj internetit apo Bahreini, ku së fundmi një autor bllogu është dënuar me 15 vjet burgim?

ALLEK ROS
"Në planetin Tokë janë 195 shtete. Departamenti Amerikan i Shtetit është përqendruar në 194 prej tyre. Agjenda jonë për lirinë e Internetit pra është e përqendruar në 194 vende; kësisoj kur t’i kemi zhvilluar mjetet, kur t’i kemi hartuar politikat, atëherë ato nuk do të jenë të drejtuara kah një, dy, tre, 30 apo 100 vende, por do të kenë kahje globale. Pra, kemi një politikë për lirinë e internetit dhe ajo vlen për gjithë botën”.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra vlen edhe për Arabinë Saudite dhe Bahreinin? A e keni ngritur këtë çështje me liderët e këtyre vendeve?

ALLEK ROS
"Është një kurs normal i diplomacisë sonë, kurdo që një vend synon të kufizojë të drejtat universale të qytetarëve të tij, atëherë Shtetet e Bashkuara angazhohen; ne angazhohemi publikisht dhe privatisht. Presidenti e ka përmendur kohët e fundit në fjalimin e tij në Departamentin Amerikan çështjen e Bahreinit. Ai ka folur në mënyrë specifike se sa e rëndësishme është që qeveria e Bahreinit të respektojë të drejtat universale të qytetarëve të saj. Prandaj, po, kurdo kur një vend në mënyrë thelbësore shkel atë që ne besojmë se janë të drejta universale, Shtetet e Bashkuara ngrenë zërin”.
RADIO EVROPA E LIRË
Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara duket se në shënjestër kanë Iranin. A është Interneti hapësirë për Shtetet e Bashkuara që të angazhohet në një luftë të butë me këtë republikë islamike?

ALLEK ROS
"Mendoj se reagimi i Iranit ndaj politikave amerikane për lirinë e Internetit pasqyrojnë faktin se ky vend është i vetëdijshëm se ka mangësi. Mendoj se qeveria iraniane e din se është duke i kufizuar liritë civile dhe prandaj hidhet kundër nesh. Siç e thashë edhe më parë, politikat tona për lirinë e internetit përqendrohen në çdo vend të botës dhe fakti se Irani mendon se ka të bëjë vetëm me të, në fakt flet mjaft për shkallën e kufizimeve në këtë vend. Ky fakt flet mjaft edhe për psikologjinë e qeverisë, e cila mendon se shumëçka ka të bëjë me ta”.

Intervista me Alek Ros
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:43 0:00


RADIO EVROPA E LIRË
Irani akuzon Shtetet e Bashkuara se ka ofruar ndihmë aktivistëve për të rrënuar regjimin iranian. A është ndërrimi i pushtetit në vendet represive, siç është Irani, një nga synimet e kësaj lëvizjeje të Shteteve të Bashkuara për lirinë e Internetit?

ALLEK ROS
"Absolutisht jo. Liria e Internetit ka të bëjë me ndihmën që duhet dhënë njerëzve, për të ushtruar liritë e tyre universale: lirinë e të shprehurit, lirinë e të mbledhurit, lirinë e shtypit. Nuk është agjendë për ndryshim regjimesh”.

Intervista me Alek Ros
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:16 0:00

RADIO EVROPA E LIRË
Njerëzit rrëzuan regjimin e Hosni Mobarakut dhe Zine el-Abidine Ben Ali në Egjipt dhe në Tunizi; Interneti pati një rol të rëndësishëm. A hyn edhe kjo në kalkulimet tuaja?

ALLEK ROS
"Unë mendoj se interneti, teknologjitë e ndërlidhjes, mundësuan katër gjëra në Egjipt dhe Tunizi. Nën një, mobilizuan lëvizjen. Ndërtuan lëvizje që normalisht do të duhej vite për t’u ndërtuar. Nën dy, ambienti i informacionit u pasurua. Aty ku njerëzit mund të mos kenë pasur më parë qasje në informacion, mjetet sociale dhe Interneti tani ua mundësuan. Nën tre, lidhjet e brishta u sforcuan. Një 57 vjeçar i Vëllazërisë Myslimane protestoi së bashku ne sheshin Tahrir me një 27 vjeçar, ekspert digjital, i shkolluar në Sorbonë.

Nën katër, u mundësua distribuimi i lidershipit. Kur i mendon heronjtë e revolucioneve në të kaluarën – qoftë Leh Valesa në Poloni apo Vaclav Havel në Çeki apo Nelson Mandela në Afrikën e Jugut – nuk shohim tani në këto revolucionet që po zhvillohen në Lindjen e Mesme, këso lloj figurash dhe kjo ndodhë për faktin se Interneti ka bërë shpërndarjen e lidershipit.

Padyshim që Interneti dhe ndërlidhjet teknologjike kanë pasur një rol të rëndësishëm në trazirat që kanë përshirë Lindjen e Mesme, por në zemër të këtyre trazirave asgjë s’është e lidhur me teknologjinë. Ato kanë të bëjnë me korrupsionin. Ato kanë të bëjnë me mungesën e mundësive ekonomike dhe ato kanë të bëjnë me mangësitë në pjesëmarrje demokratike. Teknologjia ndërkaq është vetëm mjet”.

Intervista me Alek Ros
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:43 0:00


RADIO EVROPA E LIRË
Shtetet e Bashkuara janë angazhuar relativisht shumë në përdorimin e medias së re, medias sociale. Cilat mendoni se janë arritjet më të mëdha të SHBA-ve në zhvillimin e diplomacisë, duke vënë në funksion Facebook-un dhe Twitter-in?

ALLEK ROS
"Në regjimet siç është ai i Iranit, qeveria synon të kufizojë informacionin për ata qytetarë që kanë qasje. Arritja më e madhe e Departamentit Amerikan të Shtetit është që nëpërmjet medias sociale krijon mundësi për të angazhuar me një numër njerëzish, të cilët nuk mund të komunikojnë normalisht në ambiente të mbyllura ndaj informacionit. Qeveritë mund të përpiqen sa të duan, por janë qytetarët ata që janë më të sofistikuar në krahasim me qeveritë, kur bëhet fjalë për median sociale dhe teknologjinë.

Qeveritë mund të përpiqen ta kufizojnë internetin në faqet që ata zgjedhin të hyjnë, por në fund të fundit, janë vetë qytetarët ata që do të kenë qasje në përmbajtjen që ata duan në Internet dhe Departamenti Amerikan i Shtetit komunikon me njerëzit në format që më parë nuk ekzistonin. Më duhet të shtoj gjithashtu se duhet të kujtojmë se kemi një gojë, por dy veshë.

Një prej gjërave më të mira të medias sociale nuk është vetëm që ta dërgojmë mesazhin, por t’i dëgjojmë njerëzit. Nuk është se mund të ndodhë shpesh që dikush të ulet me sekretaren amerikane të shtetit, në një tavolinë mahagoni, në një sallë të bukur konferencash. Por, media sociale i lejon Hillari Klintonit dhe diplomatëve tjerë amerikanë t’i dëgjojnë njerëz nga e mbarë bota, të cilëve nuk u dëgjohet zëri”. (a.v.)
XS
SM
MD
LG