Ndërlidhjet

Tadiq: S'do përdorim dhunë


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq
Pas aksionit të forcave policore të Kosovës, për futjen nën kontroll të pikave kufitare në veri të vendit, presidenti serb, Boris Tadiq, ka kritikuar veprimin, por ka thënë se Serbia nuk do të futet më në konflikt.

"Serbia nuk do luftë, por ne paralajmërojmë se përdorimi i dhunës dhe të gjitha mjeteve tjera të dhunës përfshin rreziqe jashtëzakonshme”, ka thënë Tadiq në Pragë.

Në Serbi, ka parti politike dhe individë që besojnë se tani ekziston nevoja për të hyrë në konflikt, për të filluar luftëra të reja dhe dhunë të re”, është shprehur presidenti serb.

Por, Tadiqi, që ishte në Pragë për të marrë çmimin Polak për kontributet e tij në reformat demokratike dhe ekonomike në Evropën Lindore, tha se “është thellë i bindur” se shumica e qytetarëve serbë nuk mbështesin thirrjet për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

Nuk duhet të biem sërish në kurthin, në të cilin shteti ynë pat rënë gjatë viteve të 90-ta”, ka thënë Tadiq.

Një polic kosovar është vrarë në aksionin e 26 korrikut. Ai sipas autoriteteve kosovare është plagosur nga turma e serbëve të armatosur, të cilët gjatë ditës së martë bllokuan rrugët në veri, në përpjekje për të penguar vendosjen e policisë kosovare në kufijtë veriorë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar qetësi pas incidentit, ndërsa NATO njoftoi se ka rritur njësitë patrulluese në zonë.

Tadiqi tha se veprimet e policisë kosovare mund të dëmtojnë dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ai tha se ka biseduar me shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton dhe se ka bartur mesazhin se veprimet e policisë së Kosovës janë të “papranueshme” për Serbinë.

Tadiq tha se Eshton e ka siguruar atë se Brukseli do të veprojë në përputhje me standardet e mëhershme, pra duke respektuar statusin neutral dhe tha se pret që Qeveria Amerikane të veprojë në të njëjtën mënyrë.

"Besoj se në institucionet kyçe të Shteteve të Bashkuara nuk ka dilema për veprime neutrale. Megjithatë, është shumë e mundshme që disa persona, në kuadër të qeverisë amerikane, të kenë trimëruar Prishtinën për të ndërmarrë këto hapa”, ka thënë Tadiq.

I kërkoj secilit që të ruajë qetësinë dhe që të mos reagojë”, ka thënë presidenti serb.

Apeloj te qytetarët serbë dhe shqiptarë që të ruajnë paqen, për Prishtinën që të mos ndërmarrë veprime të tilla dhe për përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, që të mos e trimërojnë me asnjë mjet Prishtinën”, tha Tadiq.

Tadiq tha se motivi që ka çuar të veprojnë forcat policore të Kosovës “ishte që të dominojnë në tërë rajonin verior të Kosovës”.

Ai theksoi se me gjithë ngjarjet në veriun e Kosovës, Serbia edhe më tej është e gatshme për dialog me Prishtinën zyrtare.(a.i.)
XS
SM
MD
LG