Ndërlidhjet

Kosova si kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Analistët në Serbi theksojnë se pa normalizimin e raporteve me Kosovën, Beogradi nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian. Në emisionin e Radios Evropa e Lirë, “Ura”, ata thonë se sapo është hequr pengesa kryesore e Serbisë- bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës- Kosova është shndërruar në prioritet. Analistët serbë, thonë se situata e krijuar në veri, vetëm sa forcon bindjen, se rruga e Serbisë kah BE-ja kalon nëpër Kosovë.

Analistët serbë tërheqin vërejtjen se Serbia do ta ketë të vështirë hyrjen në Bashkimin Evropian, pa zgjidhur problemet që ka me Kosovën.

Njohësit e proceseve integruese në Serbi, thonë se sikur për çdo shtet, edhe për Serbinë, Bashkimi Evropian ka kërkuar zgjidhjen e problemeve hap pas hapi.

Sipas Aleksandra Joksimoviqit nga Forumi për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, sapo u mbyll çështja me Tribunalin e Hagës, pas arrestimit të Goran Haxhiqit, Kosova u shndërrua në prioritet.

Bashkimi Evropian deri më tash ka treguar mjaft mirëkuptim me qeverinë serbe kur është fjala për Kosovën. Beogradi është dashur të dijë se ekziston një kufi i durimit dhe nuk do të duhej që këtë durim ta vinte në sprovë. Mënyra se si reagon Brukseli kur kalohet ky kufi është parë me propozim-rezolutën e Serbisë pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës”.

Bashkimi Evropian pati reaguar shumë ashpër dhe Beogradi u detyrua të tërhiqej. Beogradi duhet të llogarisë se nëse kjo ndodh, nëse ky kufi kalohet, njohja e Kosovës, do të jetë kusht për hyrjen në BE”, thotë Aleksandra Joksimoviq.

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, Predrag Simiq, vëren se rrjedha e ngjarjeve pas arrestimit të Haxhiqit, ka shkuar në atë drejtim, që Kosova të trajtohet me prioritet.

Çështja e Kosovës shumë shpejt dhe në ditën e njëjtë kur është dorëzuar Haxhiqi është shndërruar në prioritet. Ka ardhur lajmi se dialogu është shtyrë për shtator, pastaj Prishtina ka vendosur embargon ndaj mallit të Serbisë, dhe kishim ditët kritike në veri me aksionin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në pikat kufitare, djegien e objekteve dhe krejt kjo mori përmasa dramatike”, thotë Simiq, duke paralajmëruar për mundësi të incidenteve tjera.

Frikësohem se në fillim të vjeshtës, kur të fillojë fushata zgjedhore, do të ketë incidente të reja, që janë mjete shumë të përshtatshme për të bërë presion mbi Beogradin në drejtimin në të cilat autoritetet në Kosovë do të dëshironin”, thotë Simiq.

Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për çështje teknike nën ndërmjetësimin e BE-së në muajin mars.

Por, ato u ndërprenë në këtë muaj. Prishtina akuzoi Beogradin se u tërhoq nga marrëveshja për vulat doganore.

Pak ditë pas kësaj, Qeveria e Kosovës mori vendim për të zbatuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke ndaluar hyrjen e mallit serb, ashtu siç kishte bërë Beogradi me malllin kosovar që nga 2008-ta.

Aleksandra Joksimoviq mendon se Beogradi nuk është i gatshëm të arrijë me të vërtetë marrëveshje me Prishtinën.

Në bisedimet aktuale, pozicioni i Beogradit është më i dobët. Para se gjithash për shkak se autoritetet qeveritare duan dialogun, vetëm që të marrin statusin e kandidatit, e pa këtë status, partitë në pushtet vështirë se do të fitojnë zgjedhjet”, thotë Joksimoviq.

Ajo thotë se një gabim tjetër i Beogradit është se kërkesën e Brukselit për arritjen e rezultateve në dialog, e merr si rritje të presionit duke dalë pastaj me deklaratat për ndarjen e Kosovës dhe se Serbia duhet të jetë e gatshme për skenarë të ndryshëm, si ai i zëvendëskryeministrit Daçiq.

Por, ideja e ndarjes së Kosovës, sipas Simiqit, është parë se nuk ka mbështetje në qendrat vendimmarrëse.

Loja me ndarjen e Kosoës dhe lobimi i diplomacisë sonë në Uashginton për këtë opsion janë treguar të pasukseshme. Është treguar se këtë nuk e mbështet as Brukseli, as Uashingtoni. Që të dy palët kërkojnë zgjidhje përmes bisedimeve”, tha Simiq.

Tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit janë rritur në javën e kaluar, pas dërgimit të njësive speciale të policisë së Kosovës për të futur nën kontroll pikat kufitare në veri.

Aksioni kishte për qëllim zbatimin në tërësi të masave të reciprocitetit.

Por, ai u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët pasi dogjën pikën kufitare në Jarinë, ka disa ditë që mbajnë të bllokuara rrugët që çojnë ka këto pika doganore.

Në aksion u vra dhe një polic shqiptar, ndërsa autoritetet thanë se ai u qëllua nga serbët e armatosur.(a.i.)
XS
SM
MD
LG