Ndërlidhjet

Marrëveshja e Ohrit: Ende nuk ka pajtueshmëri


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Marrëveshja e Ohrit që sot mbush 10 vjet nga nënshkrimi i saj, ende nuk ka pajtuar dy komunitete më të mëdha në Maqedoni. Kjo sipas analistëve Mirjana Malevska dhe Albert Musliu duket edhe nga manifestimet ndaras që i zhvillojnë shqiptarët dhe maqedonasit. Ndarjet u vërejtën edhe në manifestimin qendror të shënimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Manifestimet ndaras për shënimin e festave dhe përvjetorëve të ndryshëm, dhe në veçanti bojkoti i shënimit të 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe nga nënshkruesit e saj, liderit të opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski, ish kryeministrit Lupço Georgievski dhe ish-liderit të PDSH-së, Arbër Xhaferi, janë dëshmi se raportet ndëretnike në Maqedoni nuk janë në nivelin e duhur.

Kështu vlerësojnë Mirjana Malevska, studiuese e ndëretnicitetit në Maqedoni dhe analisti politik Albert Musliu.

Ne duhet të punojmë në krijimin e vlerave të përbashkëta, manifestime të përbashkëta, ngritje të përmendoreve të përbashkëta, por, siç po duket ne nuk po lëvizim në drejtimin e duhur.
Malevska thotë se edhe 10 vite pas konfliktit të armatosur, Maqedonia nuk ka ecur në drejtim të pajtimit të dy komuniteteve më ta mëdha, dhe për këtë, ajo më së shumti fajëson palën maqedonase për shkak të, siç shprehet, politikave nacionaliste që po udhëheq partia që aktualisht është në pushtet.

Ne duhet të punojmë në krijimin e vlerave të përbashkëta, manifestime të përbashkëta, ngritje të përmendoreve të përbashkëta, por, siç po duket ne nuk po lëvizim në drejtimin e duhur. Secila bashkësi etnike po ecë në drejtim të mbylljes apo të izolimit të saj. Mendoj se për momentin vepron një nacionalizëm i fortë maqedonas, mund të flitet edhe për nacionalizëm tek pala tjetër”.

Sa i përket nacionalizmit maqedonas, ai ndoshta është në rritje për shkak të nevojës së forcimit të identitetit nacional, që mohohet, por e gjithë kjo çon te ndarja me bashkësinë tjetër etnike. Mendoj se ne, maqedonasit, si bashkësia më e madhe etnike, duhet të japim shembuj dhe të shtrijmë dorën, por këtë duhet ta bëjnë edhe shqiptarët”, thotë Mirjana Malevska.

Ndërkohë, Albert Musliu përmend disa nga projektet apo aktivitetet e viteve të fundit nga pala maqedonase, që sipas tij, kanë tensionuar raportet ndëretnike.

Gjithsesi nuk janë raporte harmonike, janë raporte me tensione. Viteve të fundit kemi pasur aktivitete dhe projekte të cilat nga shqiptarët janë parë si provokuese, këtu duke përmendur enciklopedinë, mësimin e detyruar të gjuhës maqedonase nga nxënësit shqiptarë, ndërtimin e kishave, projektin Shkupi 2014 e kështu me radhë, pra ka shumë aktivitete që ishin provokuese për shqiptarë, që për pasojë kanë tensionuar raportet ndëretnike” thekson Musliu.

Nga ana tjetër Malevska thotë se situata e këtillë në raport me marrëdhëniet ndëretnike rrezikon të ardhmen e vendit.

E pyetur nëse mund të kapërcehet kjo situatë, ajo shprehet:

“Ndarja mund të tejkalohet, mund të bëhen përpjekje dhe kjo më lehtë mund të bëhet nëpër institucione tjera siç janë universitetet e kështu me radhë, por në nivele më të lartë shtetërore është më e vështirë pasi partitë vështirë heqin dorë nga përfitimet politike në dëm të afrimit të dy bashkësive më të mëdha etnike. Asgjë të përbashkët nuk arritëm të bëjmë apo të bashkohemi rreth vlerave moderne".

"Ne po kthehemi shumë në histori dhe kjo mbyll perspektivën për një të ardhme të përbashkët dhe përgjegjësinë për këtë e mban bashkësia më e madhe etnike, apo më konkretisht partia që është në pushtet”, shprehet Malevska.

Ndërsa Albert Musliu thotë se situata mund të ndryshojë vetëm nëse partitë politike ndryshojnë qasjen e veprimit të tyre.

“Optimizmi dhe pesimizmi në Maqedoni ndryshojnë shpejtë dhe gjithçka varet nga subjektet politike dhe institucionet shtetërore. Nëse ato vetëdijesohen, Maqedonia ka perspektivë të mirë. Nëse institucionet nuk vetëdijesohen Maqedonia sërish do të hyjë në ciklin e tensioneve të moszhvillimit. Kjo është pasojë e mos harmonizimit të raporteve mes dy komuniteteve më të mëdha etnike”, u shpreh Musliu.

Nëse institucionet nuk vetëdijesohen Maqedonia sërish do të hyjë në ciklin e tensioneve të moszhvillimit.
Politika e qeverisë në raport me marrëdhëniet ndëretnike është kritikuar edhe në raportet e ndryshme institucioneve ndërkombëtare, duke bërë thirrje në të njëjtën kohë për kujdes të veçantë dhe heqje dorë nga aktivitete që mund të nxisin rritje të mosbesimit.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në raportin e fundit thotë se zhvillimet në Maqedoni shoqërohen me trende shqetësuese; rritje të nacionalizmit etnik maqedonas që kërcënon shtetin shumë etnik.

Raporti gjithashtu kritikon qeverinë për mosangazhimin e nevojshëm për të siguruar një përfaqësim të barabartë, për të zbatuar ligjin mbi gjuhën dhe për të kundërshtuar përjashtimin kulturor.

Grupit Ndërkombëtar i Krizave po ashtu vlerëson se partitë shqiptare duhet të forcojnë besnikërinë e tyre ndaj shtetit dhe të angazhohen më tepër në politikat vendimmarrëse.
XS
SM
MD
LG