Ndërlidhjet

Të rinj nga bota mësojnë shqip


Seminari i 30-të i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare
Seminari i 30-të i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare

Të rinjtë nga Rusia, Italia, Sllovakia e shumë vende të tjera të botës kanë ardhur në Prishtinë për të ndjekur punimet e Seminarit të 30-të Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.

Ata tregojnë për vështirësitë që kanë gjatë mësimit të gjuhës shqipe, ndërsa flasin edhe për arsyet rreth interesimit të tyre në këtë gjuhë.

Suzana Piptova, nga Sllovakia, është një nga pjesëmarrëset në seminar.

Emri im është Suzana Piptova nga Sllovakia, por studioj në Sofje të Bullgarisë. Më pëlqen gjuha shqipe shumë, dhe unë dua të flas shqip me shqiptarët”, thotë ajo duke e vlerësuar të komplikuar mësimin e gramatikës së gjuhës shqipe.

Pavarësisht kësaj, ajo shpreh bindjen se ja vlen të kalosh nëpër sfida të tilla gjatë mësimit të, siç e quan ajo, njërës prej gjuhëve më të vjetra në Ballkan.

Ngjashëm mendon edhe Angjela Gjenovese nga Italia, e cila ka ardhur në Prishtinë për të ndjekur kurset e gjuhës shqipe dhe për të mësuar të flas mirë shqip.

Unë studioj gjuhën shqipe, jam nga Italia. Gjuha shqipe është shumë e vështirë, por është shumë interesante për ta mësuar.

Unë studioj gjuhën shqipe, jam nga Italia. Gjuha shqipe është shumë e vështirë, por është shumë interesante për ta mësuar”, thekson ajo.

Aktivitetet që organizohen tradicionalisht çdo vit në kuadër të Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i kanë ndjekur deri më tani qindra e mijëra studentë nga Evropa dhe mbarë bota.

Njëri ndër ta është edhe Matvej Lomonosov - studiues i Historisë së Ballkanit nga Rusia.

Lomonosov bën të ditur se për pesë vite rresht është pjesëmarrës i seminarit të gjuhës shqipe, në të cilin do ligjërojë temën “Çështja ilire në sfondin e etimologjisë”.

Mësimi i shqipes, sipas tij, është pjesë përbërëse e studimit të historisë së popullit shqiptar.

Fillova të studioj historinë Ballkanike nga historitë sllave. Unë vij nga Rusia dhe vendi im ka një traditë shkencore të thellë për studimin e historisë të popujve sllavë të Ballkanit. Në këtë fushë unë vazhdoj të bëj ca kërkime, por më është dukur shumë e mërzitshme, sepse shumë njerëz merren më këtë gjë, sidomos në vendet sllave, prandaj fillova me studimin e gjuhës shqipe”, tregon Lomonsov.

Kurset e gjuhës shqipe në nivelet më të larta, të cilat zhvillohen gjatë mbajtjes së seminarit, është duke i ndjekur edhe Anton Pançev, pedagog i gjuhës shqipe në universitetin e Sofjes në Bullgari.

Ai rrëfen për përvojën e tij me mësimet e gjuhës dhe të letërsisë shqipe.

Kam qenë shume herë në Kosovë. Kam studiuar një semestër në universitetin e gjuhës shqipe, para katër viteve. Ka shumë dallime nga gjuha bullgare, por për fat të mirë ka disa kategori të përbashkëta gramatikore me gjuhën bullgare, por është shumë e vështirë si për ne bullgarët ashtu edhe për njerëzit e shteteve tjera”, thekson ai.


Pançev foli për përfitimet që studiuesit e gjuhës shqipe kanë nga kjo gjuhë.

Tani në Bullgari ka shumë perspektivë nëse e di gjuhën shqipe. Në Bullgari nuk ka kuadro. Shumë kompani të mëdha evropiane dhe botore që kanë bazën logjistike në Sofje kërkojnë njerëz që dinë gjuhën shqipe dhe serbe”, shprehet ai .

XS
SM
MD
LG