Ndërlidhjet

Të ndarë rreth bisedimeve


Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës
Qeveria dhe opozita në Kosovë vazhdojnë të prezantojnë pikëpamje krejtësisht të kundërta në lidhje me vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Takimi i radhës është paralajmëruar të mbahet të premten në Bruksel nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së, Robert Kuper.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se vulat e doganave, si tema kryesore e këtij raundi të bisedimeve, do të mbeten ashtu siç janë dhe nuk paralajmëroi kompromise për ndryshimin e pamjes së tyre apo për aplikimin e dy llojeve të vulave siç kishte propozuar pala serbe.

Mbajmë qëndrimin tonë shumë të qartë që Beogradi të akceptojë (pranojë) definitivisht vulat doganore të Kosovës. Ku shef i doganave do të jetë i ngarkuar nga Doganat e Kosovës, ku shef i policisë do të jetë i ngarkuari nga Policia e Kosovës, kështu që autoritetin aty do ta ushtrojnë definitivisht autoritetet kosovare, EULEX-i me garancën e plotë për sigurinë nga NATO”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi i ka ndarë si dy çështje dialogun në Bruksel dhe zhvillimet në veri.

Ai tha se ata që qëndrojnë prapa dhunës do të ballafaqohen me ligjin, kurse fajësoi edhe në këtë rast Beogradin për dhunën dhe tensionet e atjeshme.

Tanimë ka informacione të plota që Beogradi qëndron prapa dhunës në vazhdim. Pra Beogradi qëndron parapa strukturave ilegale e kriminale me financimin e rregullt të tyre dhe një gjë të tillë e kam ngritur unë personalisht nga Rober Kuper që Beogradi të sillet në mënyrë evropiane në raport me Kosovën dhe që në asnjë mënyrë të mos lejohen gjëra të tilla”, ka deklaruar Thaçi.

Një qëndrim tjetër në lidhje me bisedimet e mban kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa.

Lideri opozitar thotë se është absurde që delegacioni i Kosovës të ulet me Borko Stefanoviqin, i cili sipas tij, po dëshmon se po u prinë strukturave paralele në veri të vendit.

Ai kërkoi rishikimin e vendimit për pjesëmarrjen e palës kosovare në këto bisedime.

Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të merr vendim tjetër, të rishikojë vendimin dhe që marrja apo mospjesëmarrja në bisedime të jetë rezultat i një vendimi të ri, sepse tash kanë ndryshuar rrethanat nga 25 korriku i këtij viti kur është ndërmarrë aksioni i policisë në veri dhe kur kemi pa se Serbia në një formë ka pranuar se është në mënyrë të drejtpërdrejtë e involvuar në veri të Kosovës”, tha Mustafa.

Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje vlerësoi se vazhdimi i bisedimeve me Serbinë nuk është në agjendën dhe interesin e politikës së Kosovës, por të disa politikanëve të saj.

Glauk Konjufca nga ky subjekt politik thotë se këto bisedime po dëshmojnë se politikanë të tillë janë të shantazhuar.

Mendojmë që politikanët e Kosovës janë të shantazhuar dhe nuk e dëgjojnë zërin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as zërin e qytetarëve të Kosovës dhe mendoj që ata janë plotësisht përbrenda agjendave tjera dhe pavarësisht se cili do të jetë çmimi për Kosovën, madje edhe për karrierën e tyre politike ata nuk e kanë gajle fare dhe mendoj se ata e kanë marrë këtë punë si mision”, është shprehur Konjufca.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, ka udhëtuar drejt Brukselit, për të marrë pjesë në raundin e gjashtë të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, që do të mbahet të premten.

Në agjendë, kësaj radhe, pritet të jenë pesë çështje: njohja e vulave të Doganave të Kosovës, telekomunikacioni, energjia, kadastrat dhe bashkëpunimi rajonal.

Po ashtu, është paralajmëruar që në këtë raund të bisedimeve do të analizohet dhe do të kërkohet të intensifikohet puna e grupeve për implementimin e tri marrëveshjeve të arritura më parë.
XS
SM
MD
LG