Ndërlidhjet

Fitues apo humbës?!


Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq, gjatë bisediemeve në Bruksel.
Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq, gjatë bisediemeve në Bruksel.

Vazhdimi i bisedimeve me Serbinë pas ngjarjeve dhe zhvillimeve në veri të Kosovës vlerësohet në mënyra të ndryshme nga analistët.

Përderisa në fillim, pas aksionit të qeverisë për marrjen e pikave doganore në veri, kryesisht vlerësohej se pozicioni i Kosovës në bisedime po fuqizohet, tani kur kanë rifilluar bisedimet ka edhe mendime të kundërta.

Në një debat të organizuar në Qendrën Mediale në Çagllavicë, u tha se pozicioni i Prishtinës në procesin negociues me Beogradin në Bruksel tani duket të jetë më i dobët.

Analisti Nexhmedin Spahiu vlerëson se pozicioni Kosovës në bisedimet me Beogradin tani është më i dobët sesa që ka qenë para 25 korrikut.

Kjo sipas Spahiut është arsyetuar me faktin se aksioni i policisë së Kosovës ka qenë i dështuar dhe se çdo veprim i dhunshëm shkon në dëm të Kosovës.

Ky ishte një aksion i dështuar, i pamenduar mirë dhe me dëme të shumë anshme sa i përket pozicionit të Prishtinës dhe perspektives për të shtruar rend dhe ligj në veri dhe për ta bërë veriun e Kosovës një pjesë normale, të natyrshme të kësaj pjese të rajonit e Evropës”, ka vlerësuar Spahiu.

Ndërkohë, kryeredaktori i “Kohavizion”, Adriatik Kelmendi, vlerëson se pozicioni ka filluar të lëkundet qysh me tri marrëveshjet e arritura gjatë raundeve të para të bisedimeve.

Sipas tij, Kosova me marrëveshjet e arritura është lëkundur nga parimet e shtetësisë së saj.

Ne e kemi parë se Prishtina deri tash ka arritur të legjitimojë edhe zyrtarisht, pa i pranuar nga niveli më i lartë qeveritar konkluzionet për qarkullimin e lirë, apo atë që u quajt qarkullim i lirë, diplomat dhe librat kadastral, me çka ka bërë për herë të parë një zbritje të asaj që është arritur më 17 shkurt të vitit 2008 kur është shpallë pavarësia e Kosovës”, ka deklaruar Kelmendi.

Në anën tjetër, analisti Nenad Radosavleviq mendon se palët do të vazhdojnë të arrijnë marrëveshje, por të cilat, sipas tij, nuk do t’i kënaqin as Serbinë dhe as Kosovën.

Këto bisedime janë paralajmëruar si diçka nga të cilat pritet shumë, por për mendimin tim nuk ka arsye për pritje të tilla.
Këto bisedime janë paralajmëruar si diçka nga të cilat pritet shumë, por për mendimin tim nuk ka arsye për pritje të tilla”, tha Radosavleviq.

Sipas tij, në këtë moment Beogradi dhe Prishtina për fat të keq kanë fuqi që të krijojnë probleme për qytetarët të cilët edhe ashtu nuk po mund të mbijetojnë nga problemet e rënda ekonomike.

Analistët vlerësuan po ashtu se në këtë proces bisedimesh asnjëra nga palët nuk do të jetë fituese, pasi që këtë pozicion, sipas tyre, e ka vetë ndërmjetësuesi, pra Bashkimi Evropian i cili po mëton të arrijë ndonjë rezultat me këtë proces.
XS
SM
MD
LG