Ndërlidhjet

Papandreu anulon vizitën për në SHBA


Kryeministri grek, George Papandreu, ka anuluar një udhëtim të planifikuar për në Shtetet e Bashkuara për shkak të thellimit të krizës financiare në Greqi.

Papandreu pritej të merrte pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe në takimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Nju Jork, por zyrtarët thanë se ai ka zgjedhur të qëndrojë në Greqi për t’u marrë me çështjet lidhur me krizën e borxheve të shtetit.

Mediat greke raportuan se Papandreu e ka marrë këtë vendim pas konsultimeve me ministrin e financave, Evangelos Venizelos.

Aktualisht thuhet se mbetet diskutabile se a i ka përmbushur Greqia kërkesat e nevojshme për të marrë një ndihmë financiare prej tetë miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian dhe FMN-ja.

Greqisë i janë premtuar tashmë dy paketa ndihmëse-njëra që kap vlerën prej 109 miliardë eurosh dhe tjetra 110 miliardë eurosh, mirëpo për t’i marrë këto mjete Athina zyrtare thuhet se duhet të zbatojë masa të rrepta për rritjen e të ardhurave.
XS
SM
MD
LG