Ndërlidhjet

Dilemat e rgjistrimit


Pamje nga Maqedonia
Pamje nga Maqedonia
Komisioni Shtetëror për regjistrimin e popullsisë është në përfundimi të aktiviteteve për realizimin e këtij procesi që pritet të fillojë më 1 tetor dhe të zgjasë 15 ditë.

Pas tejkalimit të dallimeve për përbërjen etnike të regjistruesve që mbante peng një kohë të gjatë këtë proces, tani anëtarët e komisionit besojnë në suksesin e tij.

Kryesisht jemi të kënaqur me atë që ka ndodhur ditëve të fundit dhe shpresojmë se më 1 tetor do të fillojë realizimi i procesit të regjistrimit të popullsisë. Konkursi për pranimin e regjistruesve ka ecur sipas ritmeve të parapara dhe atje ku nuk do të ketë plotësim të numrit do të bëjnë zhvendosje të regjistruesve nga zonat ku numri i tyre është më i lartë”, deklaroi Vesna Janevska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Regjistrim.

Anëtari i këtij komisioni, Milaim Ademi, tha se shtrirja e regjistruesve është bërë në bazë të strukturës etnike të popullatës, andaj edhe beson se regjistrimi i shqiptarëve do të bëhet sipas parashikimeve, në përputhje të plotë me të gjitha standardet.

Unë mendoj se megjithatë duke parë tabelorin e përfaqësimit të regjistruesve në terren, do të shihni se megjithatë shqiptarët janë të përfaqësuar në të gjitha rrethet regjistruese në përputhje me ligjin, përkatësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare. Dilemat është mirë që ekzistojnë pasi ajo shtynë anëtarët e komisionit dhe regjistruesit që të jenë më të vetëdijshëm për të përmbushur standardet dhe normat juridike që lejon ligji”, u shpreh Ademi.

Por, vlerësime të ndryshme ka paraqitur Partia Demokratike Shqiptare e opozitës, e cila është kundër mbajtjes së regjistrimit në tetor.

Ajo, kërkon që ky proces të zhvillohet vitin e ardhshëm, gjatë muajit korrik, meqë sipas kësaj partie atëherë në vend do të kthehen dhe shumica e mërgimtarëve, meqë regjistrimi në tetor ata do t’i linte jashtë procesit.

PDSH-ja nuk do të bëjë thirrje për bojkot pasi edhe është e bindur në dështimin e regjistrimit.

Ne nuk bëjmë thirrje, nuk apelojmë për bojkot të procesit të regjistrimit që të mos jemi ne fajtorët pas që kemi një servilitet të pandërprerë nga BDI-ja, të mos konsiderohemi se ne jemi fajtorët për mossuksesin e regjistrimit, por të tërheqim vërejtjen dhe alarmojmë se regjistrimi në Maqedoni do të dështojë”, ka theksuar Metin Izeti, Sekretar i Përgjithshëm i PDSH-së.

Por, anëtari i Komisionit Milaim Ademi, nuk beson në pretendimet e opozitës pasi bindje të tilla sipas tij kishte edhe para 10 viteve.

Një thirrje të tillë kishte edhe para 10 vjetësh kur të gjithë mendonin se kjo do të dështojë, megjithatë regjistrimi u mbajt dhe doli i suksesshëm. Kam bindjen se në tetor i tërë ky proces do të fillojë për së mbari, sepse më në fund do të mbizotërojë ndërgjegjja mes të gjitha komuniteteve”, deklaroi anëtari i komisionit shtetëror për regjistrim, Milaim Ademi.

Regjistrimi i popullsisë do të mbikëqyret nga 10 deri 15 vëzhgues të Eurostatit, të cilat, gjatë dy javëve sa do të zgjasë procesi, do të vizitojnë vendbanime të ndryshme.

Rezultatet e preliminare nga regjistrimi do të publikohen një ditë pas mbylljes së regjistrimit, ndërsa ato përfundimtare pas një viti kur edhe do të dihet përbërja, numri dhe struktura etnike e popullsisë në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG