Ndërlidhjet

NI: Ultimatumi evropian i Serbisë


Pamje nga Serbia
Pamje nga Serbia
"National Interest"

Shkruajnë: Motron Abramovic dhe Xhejms Huper.


Muajin e kaluar, toka e Ballkanit ka lëvizur. Forcë lëvizëse ishte liderja gjermane, Angela Merkel. Ajo shkoi në zyrën e presidentit serb, Boris Tadiq, dhe gjatë bisedimeve për integrim në Bashkimin Evropian, i bëri të qartë se loja politike e Serbisë në Kosovë, ka marrë fund; se Kosova nuk do të ndahet; se zona e banuar me serbë në veri të Lumit Ibër është territor i Kosovës; se Serbia duhet të ndalojë përzierjen në atë pjesë dhe se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet para se Serbia të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Mesazhet e Merkelit i kujtojnë diplomatët Morton Abramovic dhe Xhejms Huper në artikullin e botuar në revistën “National Interest”.

Sipas tyre, ato ishin goditje për Tadiqin, një i preferuar i Perëndimit, i cili ishte inkurajuar nga komisioni i BE-së dhe disa shtete evropiane se mund ta mbajë të pushtuar politikisht çështjen e Kosovës, për një kohë të pacaktuar – në njërën anë duke mbajtur një linjë të ashpër në veri dhe një pozicion refuzues ndaj ekzistencës së shtetit të pavarur të Kosovës dhe, në anën tjetër, duke shpresuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, pa zgjidhjen e problemit.

Zëri i Merkelit ishte i rëndësishëm, ndërsa qasja e saj e drejtpërdrejtë ka tronditur qarqet politike në Beograd dhe ka çuar në ankth e pesimizëm. Vërejtjet e saj kanë ndryshuar tashmë tonin e Beogradit në lidhje me veriun e Kosovës.

Dy diplomatët thonë se, kohët e fundit, në Kosovë është bërë një përparim i rëndësishëm politik lidhur me veriun, duke detyruar pakëz Serbinë të tërhiqet dhe duke përmirësuar pozitën e Qeverisë së Kosovës në këtë zonë. Në korrik, Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi, në mënyrë të njëanshme, ka dërguar njësi të vogla të policisë në veri të Kosovës, për të marrë përsipër kontrollin e doganave në dy vendkalimet kufitare me Serbinë.

Duke vepruar në përputhje me parimet e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, por në të shumtën duke i bërë hapat vetë sa i përket përfshirjes së veriut brenda sovranitetit të Prishtinës, Qeveria e Kosovës ka nisur t’i funksionalizojë – ndonëse dobët – kufijtë ekzistues, në vend se të pranojë ndryshimet de facto të Serbisë. Ky ishte një demonstrim i vogël i sovranitetit, i cili ishte kundër dëshirës, por i pranuar me vendosmëri nga ndërkombëtarët në Kosovë.

Për më tepër, pavarësisht veprimit të Kosovës, dy palët më në fund kanë arritur marrëveshjen e pranimit të vulave doganore nga zyrtarët e Doganave të Serbisë, çfarë lehtëson edhe tregtinë midis dy vendeve.

Përpjekjet e Kosovës për të ndryshuar situatën në veri dhe për të marrë administrimin e stacioneve doganore, jo çuditërisht, kanë çuar në bllokimin e rrugëve nga ana e serbëve lokalë. NATO-ja ka ndërhyrë për pastrimin e disa rrugëve, por tensionet duket të jenë larg fundit, shkruajnë dy diplomatët.

Më 16 shtator, misioni evropian ka dërguar përmes ajrit në veri ekipe të vogla policësh dhe doganierësh kosovarë, për të shmangur konfrontimet me serbët, që protestojnë marrëveshjet e reja kufitare dhe praninë simbolike të zyrtarëve kosovarë atje. Beogradi, siç duket, nuk do dhunë në veri të Kosovës, nga frika se një gjë e tillë do të mund të ishte kundër-produktive për kandidaturën e tij evropiane këtë vit.
Kosova ka ndryshuar agjendën ndërkombëtare, duke përafruar veprimet e saj me parmet e BE-së dhe të SHBA-së. Problemi në veri, padyshim, është ende i rrezikshëm dhe larg zgjidhjes; dhuna mund të shpërthejë në çdo moment.

Abramovic dhe Huper thonë se mesazhet e zonjës Merkel në Serbi kanë implikime dhe për Bosnjën, e cila vazhdon të përballet me ndarje të mprehta etnike. Separatistët serbë në Republikën Serbe kanë përçmuar marrëveshjen e Dejtonit, duke hedhur themelet për shkëputje eventuale. Lideri Millorad Dodik ka alternuar retorikën e tij midis autonomisë së plotë dhe pavarësisë për entitetin e tij etnik.

Në Serbi ka nacionalistë që e shohin entitetin serb në Bosnjë si pjesë reale të Serbisë. Presidenti Tadiq gjithmonë riafirmon përkushtimin e tij për marrëveshjen e Dejtonit, por nuk bën asgjë për të kufizuar Dodikun. Merkel ka përçuar qëndrimin e Berlinit se kufijtë e Bosnjës janë të vendosur me marrëveshjen e Dejtonit.

Zhvillimet e fundit në Kosovë kanë ndihmuar të qartësojnë se shumica e Perëndimit ka humbur durimin për bisedime rreth ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe se ndarjet e mëtejshme janë të padëshirueshme. Si çmim për t’iu bashkuar Evropës moderne, Serbia pritet të heqë dorë nga pretendimet territoriale dhe ambiciet në fqinjët e saj, ashtu siç kanë bërë shtetet e tjera evropiane që nga viti 1945, shkruan Abramovic dhe Huper në National Interest.(v.t.)
XS
SM
MD
LG