Ndërlidhjet

A përfitoi Kosova?


Kosovo - Kosovo products, undated
Kosovo - Kosovo products, undated
Fillimi i respektimit të marrëveshjes për vulat doganore të Kosovë nga ana e Serbisë, për Kosovën nënkupton një sukses politik, ndërkaq, për prodhuesit kosovarë një shans më shumë për të depërtuar në tregjet e rajonit dhe ato evropiane, vlerësojnë analistët e çështjeve politike dhe ekspertët e ekonomisë.

Ismail Hasani, analist i çështjeve politike thotë për Radion Evropa e Lirë se respektimi i kësaj marrëveshjeje nga Serbia, gjë që u vu në dukje në dy ditët e fundit, pas hyrjes së mauneve me mallra në Serbi, me dokumentacion të Kosovës, i ka siguruar palës kosovare mundësinë që në bisedimet me palën serbe të jetë më komode.

Sado që një kohë të gjatë e patëm nga pala serbe bojkotimin, shantazhin e këtij dakordimi, më në fund ky mekanizëm ka filluar të funksionojë dhe kjo është mirë.
Sado që një kohë të gjatë e patëm nga pala serbe bojkotimin, shantazhin e këtij dakordimi, më në fund ky mekanizëm ka filluar të funksionojë dhe kjo është mirë. Rifillimi i zbatimit të krijimit të mundësive për qarkullim të lirë në nivel të këmbimit tregtar dhe transportit të mallrave, domosdo se palës kosovare, i krijon mundësi që të ndjehet më komode në bisedat, të cilat janë paralajmëruar se do të mbahen së shpejti në zyrat e Brukselit”, thotë Hasani.

Analististi Hasani, gjithashtu thekson se zbatimi i marrëveshjes për vulat doganore të Kosovës, nga ana e Serbisë, mund të jetë kalkuluar edhe si mundësi për të fituar shansin që në dialogun me Kosovën t’i parashtrojë si çështje vendkalimet kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. Por, sipas tij, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Në rastin konkret, Kosova shkon më e avancuar, për faktin se ka respektuar diçka që ishte e dakorduar.
Unë konsideroj se legalizimi i vendkalimeve kufitare me ekstra-territorialitet nuk mund të negociohet, për faktin se ajo është pako tjetër. Ajo çka u kërkohet palëve, është respektimi i marrëveshjeve apo dakordimeve të deritashme që kanë pasur të dyja palët gjatë sesioneve të takimeve që kanë mbajtur në Bruksel. Në rastin konkret, Kosova shkon më e avancuar, për faktin se ka respektuar diçka që ishte e dakorduar”, thekson Hasani.

Ndërkaq, eksperti për çështje të ekonomisë, Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se Kosova, nga pranimi i vulave doganore të saj nga ana e Serbisë, më shumë do të përfitojë mundësinë e shfrytëzimit të këtij vendi si transit për në tregjet evropiane se sa për vetë tregun e Serbisë.

Kjo çështje ka më tepër karakter politik, që është një kërkesë e Bashkimit Evropian, si dhe respektimi i marrëveshjes së CEFTA-s.
Kjo çështje ka më tepër karakter politik, që është një kërkesë e Bashkimit Evropian, si dhe respektimi i marrëveshjes së CEFTA-s. Në aspektin ekonomik, Kosova nuk do të përfitojë edhe aq shumë për të eksportuar mallra dhe shërbime në Republikën e Serbisë. Por, unë besoj se shumë më shumë do të shfrytëzohet Serbia si transit për të eksportuar mallrat në shtetet e Bashkimit Evropian apo në shtetet e Evropës lindore”, thotë Bektashi.

Ai ka shtuar se struktura ekonomike e Kosovës, aktualisht nuk ka potencial të mjaftueshëm për të eksportuar në tregjet e huaja, por, në këtë drejtim, sipas tij, Kosova tashmë ka filluar hapat e para.

Unë besoj se mallrat që eksportohen nga Kosova në tregjet e huaja, do të kenë një depërtueshmëri më të madhe, por edhe mallrat që importohen nga shtetet tjera për Kosovën, do ta kenë tash një kosto pak sa më të ulët. Besoj se ne jemi në hapat e para të depërtimit në disa tregje me disa produkte. Ndoshta shumë shpejtë mund të pritet që të fillojë punimin eksporti, ndoshta jo i metaleve me ngjyra, por i xeheve nga Trepça apo mineraleve të tjera, që mund të përpunohen në shtetet e rajonit”, shprehet Bektashi.

Ndryshe, zyrtarët e Doganave të Kosovës, dy ditë më parë kanë konfirmuar se maunet me mallra nga Kosova kanë filluar të hyjnë në Serbi, ndonëse krahasuar me maunet të cilat hyjnë nga Serbia në Kosovë, numri është tejet i vogël.

Kjo sipas ekspertëve të ekonomisë, shpërfaqë fuqinë e dobët eksportuese të Kosovës edhe bilancin tregtar negativ që Kosova ka në raport me Serbinë.
XS
SM
MD
LG