Ndërlidhjet

Ministria për Veriun - e panevojshme


Mitrovicë
Mitrovicë
Shtimi i kapaciteteve për integrimin e veriut të Kosovës është i domosdoshëm, por krijimi i Ministrisë për Veriun - ide të cilën e ka lansuar Dukagjin Gorani, këshilltari i kryeministrit të Kosovës - është i panevojshëm, vlerësojnë përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës në vend.

Gorani ka vlerësuar se kërkesa e Komisionit Evropian për agjendën gjithëpërfshirëse për veriun, do të nënkuptonte formimin e një ministrie për këtë çështje.

Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se ideja e tillë, deri më tash, nuk është shtruar në Qeverinë e Kosovës.

“Mund të them se është hera e parë që po e dëgjoj këtë ide. Besoj që është çështje që duhet ta diskutojmë brenda për mënyrën operacionale, por asnjëherë nuk duhet të mendojmë që të bëjmë ndonjë veprim, i cili nuk ka efektivitet të veçantë”, thotë Kuçi për Radion Evropa e Lirë.

Sadri Ferati, ish-ministër i Pushtetit Lokal dhe aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk preferon ta komentojë idenë për krijimin e një Ministrie për Veriun e Kosovës. Por, ai thotë se ngritja e kapaciteteve institucionale në veri është e domosdoshme.

Sadri Ferati
Sadri Ferati
“Është një numër i madh i qytetarëve në pritje se kur po shtrihet dora e institucioneve të Kosovës. Prandaj, ngritja e kapaciteteve është diçka e domosdoshme, përveç asaj që është obligim. Në realitet, është e vetmja mënyrë që atje (në veri) të ulen tensionet dhe të fillojë mirëbesimi për pretendimet e institucioneve të Republikës së Kosovës, se atje duhet të krijohet një ambient normal”.

“Pra, unë plotësisht pajtohem - kushdo që ka dhënë ide për ngritje të kapaciteteve. Por, meqenëse tash mora informacionin për idenë e vetë ministrisë, nuk dua të lëshohem në atë se a duhet të jetë ministri apo diçka tjetër. E rëndësishme është që duhet të rriten kapacitetet e veprimit në veri
”, thotë Ferati.

Ndërkaq, Burim Ramadani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e quan të çuditshme idenë e zotit Gorani, për krijimin e një Ministrie për Veriun. Ai edhe e kundërshton atë.
Kjo është një kopje e keqe e modelit të Serbisë, që ka Ministri për Kosovën. Kjo kopje është e panevojshme.

“Kjo është një ide e çuditshme dhe po ashtu tregon papjekurinë qeveritare të Qeverisë së Kosovës. Definitivisht, do të duhej të kishte plan të sundimit të ligjit dhe ekonomik për atë pjesë të Kosovës, por assesi nuk është e nevojshme që të ketë aranzhime të reja edhe në nivel institucional”.

“Thënë thjesht, kjo është një kopje e keqe e modelit të Serbisë, që ka Ministri për Kosovën. Kjo kopje është e panevojshme dhe ky interpretim i kërkesës së Komisionit Evropian është një paradoks në vete”,
deklaron Ramadani.

Por, zëvendëskryeministri Kuçi thotë se Qeveria e Kosovës e ka diskutuar çështjen e agjendës gjithpërfshirëse për veriun me Komisionin Evropian, ku edhe i ka shpërfaqur qëndrimet e veta.

“Ne e kemi diskutuar këtë çështje me Komisionin Evropian dhe kemi ardhur në përfundim se duhet të ketë angazhime, jo vetëm për rendin dhe ligjin, por edhe për zhvillimin ekonomik, infrastrukturor dhe për atraktivitete të tjera që duhet t’i kemi për qytetarët serbë atje”.

“Por, kjo nuk nënkupton në asnjë rast ndryshimin e pozitës juridike apo politike të asaj pjese apo të ndonjë komune të atij etniteti”,
thekson Kuçi.

Këshilltari i kryeministrit, Dukagjin Gorani, duke lansuar idenë për krimin e një Ministrie për Veriun, ka theksuar se e tërë barra për veriun e Kosovës i ka rënë qeverisë së vendit dhe se në këtë kuadër, siç ka deklaruar ai, ajo nuk e ka mbështetjen e opozitës e as të shoqërisë civile.
XS
SM
MD
LG