Ndërlidhjet

Prelec: BE, e padukshme në veri


Marko Prelec
Marko Prelec

"Bashkimi Evropian është tërësisht i padukshëm në veri të Kosovës. Thjesht, në asnjë kuptim nuk është faktor. Dhe, ky është një nga dështimet më të mëdha të politikës së jashtme të BE-së që nga Traktati i Lisbonës", thotë për Radion Evropa e Lirë Marko Prelec, drejtor për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Prelec, veriu vazhdon të mbetet pikë e nxehtë. Ju, në muajin shtator, keni paralajmëruar për një përkeqësim të mundshëm të situatës. Si e vlerësoni gjendjen aktuale?
MARKO PRELEC
Aktualisht është qetë, veçanërisht në veri të Mitrovicës, edhe tash kur po flas me ju. Është më pak e tensionuar seç ka qenë javën e kaluar. Duket të jetë një stabilitet i përkohshëm mes KFOR-it dhe popullatës lokale, edhe pse barrikadat gjenden ende atje, por nuk kemi situatë shumë të tensionuar.

Po ashtu dihet se nuk mund të vazhdojë kështu dhe se ka ende rrezik, ka ende pika krize që mund të shpërthejnë në muajt e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju po thoni se aktualisht është situatë e qetë, por si e shihni gjendjen në një plan më afatgjatë?
MARKO PRELEC
Në plan afatgjatë shoh një konflikt fundamental lidhur me atë se kush e ka kontrollin në veri të Kosovës. Deri në çfarë mase është autoriteti i Prishtinës e deri në çfarë mase autoriteti i Beogradit? Cili është roli i bashkësisë ndërkombëtare? Të gjitha këto janë çështje të pazgjidhura.

Është një konsensus i gjerë ndërkombëtar se veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës, por ju keni virtualisht 100 për qind të popullatës së atij rajoni që e konsideron veten pjesë të Serbisë. Pra, këtu është konflikti; konflikt që ka potencial të shpërthejë në dhunë.

Është shumë me rëndësi që në muajt e ardhshëm secili të ruajë qetësinë dhe të përpiqet ta zgjidhë këtë në rrugë paqësore, përmes një dialogu, dialogu politik, se si të ecet përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
Dialog politik mes kujt?
MARKO PRELEC
Në mes të të gjithë aktorëve, dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, përfaqësuesve të popullatës lokale, me pjesëmarrjen e komunitetit ndërkombëtar, të pranishëm në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Për zgjidhjen e çështjes së veriut ka pasur ide të ndryshme, duke u nisur nga “Ahtisari plus”, shkëmbimi i territoreve, ndarja... Si Grup Ndërkombëtar i Krizave, cila vlerësoni se do të ishte zgjidhja më e mirë, me qëllim që të ulen tensionet dhe të kthehet normaliteti në atë pjesë të Kosovës?
MARKO PRELEC
Është shumë herët që të flitet për zgjidhjen më të mirë. Ne, si GNK, i kemi theksuar të gjitha përgjigjet e mundshme, të gjitha zgjidhjet e mundshme, që nga Plani i Ahtisarit e deri te një lloj modifikimi i Planit të Ahtisarit, apo një lloj shkëmbimi i territoreve.

Mendoj se aktualisht është me rëndësi që të ketë një pajtim për parimet e dialogut, që të gjendet zgjidhja përmes dialogut dhe jo të përdoret forca ose presioni. Pra, fokusi të jetë në shmangien e dhunës.

Mendoj se ka mundësi shumë të pakta reale për ndonjë shkëmbim territori, për ndonjë lloj ndarjeje, sepse, thjesht, kjo është refuzuar nga pothuajse e gjithë bashkësia ndërkombëtare. Askush nuk dëshiron ta shohë këtë. Pra, ka diçka që serbët e duan me ngulm, por ajo nuk përputhet me pozicionin e Serbisë në komunitetin ndërkombëtar.

Mendoj se vetëdija për këtë po rritet në Beograd, por nuk duket se po rritet ende në veri të Kosovës. Mendoj se ekziston një distancë, një distancë psikologjike në mes të realitetit të Mitrovicës dhe realitetit të Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dymbëdhjetë vjet pas luftës, veriu mbetet vatër krize dhe për këtë më së shumti fajësohet prania ndërkombëtare në Kosovë, si: UNMIK-u, EULEX-i. Çfarë mund të bëjnë qendrat ndërkombëtare si Bashkimi Evropian? A mund të bëjnë presion mbi Serbinë, për ta ndryshuar situatën?
MARKO PRELEC
Mendoj se Bashkimi Evropian është tërësisht i padukshëm në veri të Kosovës. Thjesht, në asnjë kuptim nuk është faktor. Dhe, ky është një nga dështimet më të mëdha të politikës së jashtme të BE-së që nga Traktati i Lisbonës.

Ajo që duhet të bëjë Brukseli, është se duhet t’i japë Kosovës një perspektivë të vërtetë evropiane, diçka që nuk e ka bërë deri tash. BE-ja ka dhënë një siguri se Kosova ka të ardhme evropiane, por ka refuzuar që të shpjegojë, të tregojë udhërrëfyesin, udhërrëfyesin për Evropën, për anëtarësimin.

Ka shumë gjëra që Brukseli mund t’i bëjë, si Marrëveshja për Stabilizim Asociim e Kosovës apo hapat drejt saj. Mendoj se është e rëndësishme që Kosova t’i bëjë gjërat e njëjta që është duke i bërë Serbia, të punojë në integrimin evropian. Mendoj se kjo do të kontribuonte në stabilizimin e situatës.

Mendoj se për komunitetin ndërkombëtar si tërësi, më së miri është që të shërbejë si lehtësues i dialogut mes Prishtinës, popullatës lokale të veriut të Kosovës dhe Beogradit. Pra, në mes të këtyre treve, në mënyrë që të ndihmojë për raportet e tyre të ndërsjella.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka gatishmëri në Bruksel për ta bërë këtë?
MARKO PRELEC
Ende duket të jetë një gatishmëri e dobët. Duhet të shpresojmë, sepse nuk ka zëvendësues. Por, nuk jam shumë optimist për këtë.
XS
SM
MD
LG