Ndërlidhjet

Zyrtarët rusë: Imigrantët taxhikë kanë infeksione të rrezikshme


Zyrtarët rusë thonë se një ndalesë e përkohshme për shfrytëzimin e punëtorëve imigrantë nga Taxhikistani, mund të imponohet për shkaqe mjekësore.

Insopektori kryesor sanitar i Rusisë, Genadij Onishçenko, tha se shumë punëtorë imigrantë nga Taxhikistani, aktualisht janë diagnostikuar me sëmundjen Sida dhe me tuberkuloz.

Ai nuk i ka shpjeguar rrethanat nën të cilat taxhikët ishin testuar për këto dy sëmundje.

Onishçenko ka thënë se “zgjidhje e mundshme në këtë rast është ndalesa e plotë e shfrytëzimit të punëtorëve imigrantë nga ky vend, derisa së paku, të mos krijohet një kujdes shëndetësor minimal”.

Ai theksoi se vitin e kaluar, 188 taxhikë ishin dëbuar nga Rusia për shkaqe shëndetësore.

Nga ana tjetër, Konstantin Ramodanovski, nga Shërbimi Federal i Migrimit, tha se 297 shtetas të Taxhikistanit, së shpejti do të dëbohen nga Rusia, për shkak të shkeljes së ligjeve ruse.

Ky zhvillim po ndodhë, pasi javën e kaluar një gjykatë në Taxhikistan, i ka dënuar dy pilotë të aviacionit rus, me tetë 8.5 vjet burg secilin, për shkelje të kufirit dhe kontrabandë.

Ata ishin arrestuar pas aterimit në Taxhikistan në muajin mars, së bashku me dy aeroplanët e tyre, në fluturimin nga Afganistani për në Rusi.

Ata thonë se në Afganistan kishin bërë punë humanitare.
XS
SM
MD
LG