Ndërlidhjet

Përfundon takimi i Lloja Xhirgas


Asambleja nacionale e Afganistanit-Lloja Xhirga, përfundoi takimin katërditor me një rezolutë në mbështetje të forcës ndihmëse të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara për një periudhë afatgjate-me kusht përmbushjen e kritereve të caktuara.

Në fjalimin përmbyllës, presidenti afgan, Hamid Karzai, i cilësoi konkluzionet e Lloja Xhirgës si “të plota dhe të pranueshme”.

Rezoluta jodetyruese i jep Karzait mbështetje publike në negociimin për praninë ushtarake të Amerikës në Afganistan përtej vitit 2014, kur pjesa më e madhe e forcave ndërkombëtare pritet ta kenë lëshuar vendin.

Uashingtoni i ka ofruar Afganistanit asistimin e forcave të sigurisë në formën e inteligjencës së përbashkët dhe forma të tjera të mbështetjes.

Rezoluta e miratuar kundërshton një prani të përhershme ushtarake të Shteteve të Bashkuara në vend, ndërsa kërkon ndërprerjen e menjëhershme të bastisjeve gjatë natës të shtëpive afgane nga këto trupa.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët njoftuan se dy policë afganë janë qëlluar për vdekje nga trupat ndërkombëtare kur këto të fundit po zbatonin një bastisje nate në krahinën Ganzi.

Zyrtarët thanë se dhuna ishte shkaktuar nga problemet në komunikim ndërmjet forcave afgane dhe atyre ndërkombëtare.

Mësohet se asambleja nacionale e Afganistanit u kërkoi trupave amerikane që t’i ushtrojnë forcat vendore rreth ndërmarrjes së veprimeve të pavarura nga strukturat alternative të administratës.

Pjesë e kërkesave të asmablesë ishte edhe reformimi i Këshillit të Lartë Afgan për Paqe-që udhëhiqej nga ish-presidenti i vrarë, Burhanudin Rabani, dhe emërimi i një lideri të ri të këtij trupi.

Takimet e Lloja Xhirgas kanë pasur një rol të rëndësishëm në historinë e Afganistanit.

Takimi i fundit i këtij trupi në qershor të vitit të kaluar nuk u pat ndërprerë pavarësisht një sulmi të talebanëve, si pasojë e të cilit patën vdekur dy civilë.
XS
SM
MD
LG