Ndërlidhjet

Çka tash në veri?!


Mitrovicë
Mitrovicë
Shumë plane, pak zbatim - në mos dështim - janë fjalët që njohësit e rrethanave politike në Prishtinë dhe Beograd përdorin për të shpjeguar gjendjen në veri të Kosovës që nga paslufta, e sidomos që kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Njoftimi i autoriteteve vendore e ndërkombëtare për shtyrjen e serishme të procesit të decentralizimit në veri nuk shkakton habi te politologët e të dyja vendeve, të cilët shprehen skeptikë për ndryshime pozitive në këtë drejtim.

Analisti Behlul Beqaj tha se krijimi i planeve dhe strategjive të reja për të zgjidhur ngërçin mbi dhjetëvjeçar në veri të Kosovës është i pamjaftueshëm, përderisa nuk gjenden modalitete për zbatimin në terren të ideve të tilla.

“E keqja e këtyre propozimeve është se në vend se t’i përafrohen realitetit objektiv, këto propozime po largohen nga ky realitet për faktin se gjithnjë e më pak janë të mundshme që të bëhen veprime konkrete”, tha Beqaj.

Një përpjekje për të rikthyer kontrollin në veri të Kosovës u bë në fund të muajit korrik të këtij viti përmes një aksioni policor, i cili u ndërpre, për të çuar më pas në vënien e barrikadave në veri - barrikada që vazhdojnë të mbesin me këmbënguljen e serbëve lokalë.

Ngjarjet e korrikut kishin shkaktuar dhe ndërprerjen e dialogut Prishtinë –Beograd, i cili shihej si mundësi për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyja palëve.

Politologu serb, Predrag Simiq, tha se pas këtyre zhvillimeve nuk mund të pritet që Beogradi ta ndryshojë qasjen karshi veriut të Kosovës, pavarësisht insistimit edhe të Brukselit zyrtar për këtë çështje.

Ai tha se ka humbur besimi ndërmjet Kosovës dhe shtetit serb, ndërsa shfaqi dyshimin se mund të përmirësohet diçka brenda vitit të ardhshëm, kur dhe mund të ndryshojë përbërja qeveritare në shtetin serb.

“Deri në zgjedhje nuk besoj që mund të pritet ndryshimi i politikës ndaj Kosovës. Ngjarjet e 25 korrikut kanë kontribuar në kthimin te pika fillestare të një procesi që ishte arritur në Bruksel. Për shkak të kësaj, tash ekziston një qëndrim i fuqishëm te partitë politike, posaçërisht tek opozita si dhe te serbët e veriut dhe nuk besoj që zgjedhjet e ardhshme të mund të ndryshojnë diçka”, tha ai.

Ndikimi i Beogradit, veprimi i strukturave paralele dhe kriminale në veri të Kosovës janë përmendur, deri më tani, si pengesa kryesore për shtrirjen e sovranitetit në veri të Mitrovicës. Analisti Beqaj theksoi se i takon vetë Qeverisë së Kosovës t’i mënjanojë këto probleme.

“Njëri nga shkaqet pse është kjo gjendje, buron pikërisht nga politika që e ka zhvilluar Qeveria e Kosovës”, u shpreh ai.

Rëndësia për përmirësimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë - me theks të veçantë te pjesa veriore e vendit - ishte theksuar në fund të muajit gusht edhe nga kancelaria gjermane, Angela Merkel, gjatë vizitës së saj në Beograd, ndërsa u përmend dhe si parakusht për avancimin në integrimin evropian të Serbisë.

Merkel pritet të qëndrojë të hënën në Kosovë, ndërsa nuk dihet se cili do të jetë mesazhi drejtuar Prishtinës zyrtare.
XS
SM
MD
LG