Ndërlidhjet

Lotët e verikoreanëve





Për të huajt, shumë imazhe që vijnë nga Koreja e Veriut duken koreografi. Por, intensiteti i zisë që nga vdekja e Kim Xhong Ilit duket se flet për diçka tjetër.

Ushtarët dhe qytetarët u shfaqën në televizionin shtetëror duke qarë në mënyrë të pakontrolluar, përderisa gratë e moshuara binin në tokë “nga vuajtja”. Madje, edhe mjegulla dhe shirat që mbuluan kryeqytetin verikorean u cilësuan si lot të qiellit.

A mund të ndodhë që qytetarët e këtij vendi ekstremisht të izoluar janë vërtet aq të mërzitur me humbjen e “liderit të tyre të dashur”? A është bota e jashtme dëshmitare e një fenomeni kulturor, për të cilin nuk ishte në dijeni?

Apo ka emocione të tjera në lojë – ndoshta frika… Apo edhe kanë qenë të udhëzuar të veprojnë në këtë mënyrë, ndoshta për qëllime politike, të brendshme dhe ndërkombëtare.

Jang Ji-Hiang, një specialiste rajonale në Korenë fqinje të Jugut, thotë se ekrani është mënyra më e mirë për të kuptuar rrethanat në të cilat jeton popullsia 24-milionëshe e Koresë Veriore – politikat dhe pikëpamjet e saj botërore.

Jang, e cila është po ashtu hulumtuese në Institutin për Studime të Politikave në Seul, thotë se shprehja publike e emocioneve është qendër e kulturës koreane. Ajo thotë se hidhërimi i shprehur publikisht në funerale konsiderohet si gjest njerëzor, ndërsa “tregon dashurinë e dikujt për një familje apo komunitet”. Andaj, edhe pikëllimi mund të konsiderohet i vërtetë, thotë Jang.

Por, megjithatë, mediat në Korenë e Jugut e kanë përshkruar shfaqjen e zisë publike si “histerike dhe të çmendur”. Jang ka një shpjegim...

“Nuk ka të bëjë vetëm me kulturën, ka të bëjë edhe me gjendjen thellësisht të kontrolluar, të mbyllur dhe me politikat”, thotë ajo.

Gjatë një shekulli, vendi ka kaluar nga sundimi dinastik në okupim e në komunizëm, ndërkohë që shoqëria ka mbetur e mbërthyer në kohë.

“Njerëzit e moshuar mendojnë se mbretërit e tyre kanë vdekur dhe, si shërbyesit e tyre, ata ndjehen të trishtuar, si një shoqëri jomoderne. Unë po ashtu mendoj se ata janë frikësuar për ta shprehur në publik mjerimin e tyre të thellë dhe pikëllimin. Ata jetojnë në një sistem shumë të frikshëm dhe të mbyllur. Dhe, disa nga ta janë vërtet të gatshëm për të shprehur pikëllimin e tyre shumë hapur”, thotë Jang.

“Lideri i dashur” i verikoreanëve, Kim Xhong Il, ka ndërruar jetë më 17 dhjetor, në moshën 69-vjeçare, nga një sulm në zemër. Pas 12 ditë zie, Phenjani, dje dhe sot, ka zhvilluar ceremonitë e funeralit të tij shtetëror. (v.t.)


Phenjan: Dita e dytë e funeralit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:31 0:00
XS
SM
MD
LG