Ndërlidhjet

Maqedoni: Shkelje e parimeve demokratike


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Në raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit thuhet se në Maqedoni vazhdon shkelja e parimeve demokratike, veçanërisht sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, duke fokusuar luftën kundër diskriminimit politik si dhe procedurat jo transparente gjyqësore.

Goran Kallajxhiev, kryetar i Komitetit të Helsinkit, si rast eklatant për vitin 2011, sa i përket diskriminimit për gjykim të drejtë, fokuson rastin e arrestimit, si dhe procesin gjyqësor ndaj Lube Boshkovskit, ish-ministër i Punëve të Brendshme një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme vitin e kaluar, ku, sipas të dhënave të organizatës në fjalë, ka indicie për një proces të motivuar politik.

“Procesi i gjykimit ndaj Lube Boshkovskit, fare nuk është transparent, madje në masë të madhe ai ishte tërësisht i mbyllur për opinionin. Njëherësh, të akuzuarit nuk iu mundësuan as kushtet elementare që ai të mbrohet ndaj akuzave të parashtruara”, thotë Kallajxhiev.

Ai nënvizon se ky rast flet qartë se si në Maqedoni “në formë eklatante thyhet neni 6 i konventës evropiane si dhe garancive të vendit për sigurim të kushteve për gjykim të drejtë”.

Nga ana tjetër, si sfera shpeshta të diskriminimit sipas përvojave personale të qytetarëve, është apostrofuar diskriminimi gjatë punësimit dhe shërbimeve në administratën publike, veçanërisht në polici dhe shëndetësi.

Rizvan Sulejmani, ekspert, duke folur për diskriminimin politik, konsideron se Maqedonia si shtet multi-etnik ka specifikat e veta, të cilat janë larg standardeve që vlejnë për vendet e Bashkimit Evropian.

Sulejmani thotë se rezistenca e palës maqedonase për të inkorporuar brenda institucioneve shtetërore shqiptarët, është proces që nuk mund të tejkalohet brenda natës. Në këtë kontest, ai fton për më shumë syçeltësi nga ana e faktorëve politikë shqiptarë për të konkurruar në institucione me vlera dhe jo fajtori të kërkohet gjithmonë te pala maqedonase.

“Sistemi i shtetit multi-etnik duhet të funksionojë kur të ketë edhe qeveri të keqe, edhe qeveri të mirë, ngase kur është konceptuar shteti, nuk është nisur nga parimi se kjo situatë do të ndryshojë. Këtu kemi konceptin e paradigmës së ndërtimit të shtetit multi-etnik mbi parimin e getoizimit, mbi parimin e integrimit. Tani Maqedonia ballafaqohet me një realitet të ri. Tani shqiptarët dhe maqedonasit takohen në rrugë, kafene, madje edhe në punë", thekson Sulejmani.

Ndryshe, sipas Emil Kërstanovskit, është e nevojshme që sa më parë të gjenden forma për ta luftuar diskriminimin gjinor, i cili është i pranishëm gjithnjë e më shumë në Maqedoni, ngase në këto rrethana vështirë se mund të realizohet pretendimi i Maqedonisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Gratë në Maqedoni zakonisht bëjnë punë, të cilat paguhen më pak, derisa burrat janë të përqendruar në profesione, të cilat janë më mirë të paguara. Gjithashtu vlen të theksohet se burrat më pak goditen me largim nga puna sesa femrat”, vlerëson Kërstanovski nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.
XS
SM
MD
LG