Ndërlidhjet

Putin do bisedime me opozitën


Kryeministri rus, Vladimir Putin, ka thënë se është i gatshëm të bisedojë me forcat opozitare, por ka shprehur dyshime nëse liderët e tyre duan të bisedojnë me të.

Ai ka kujtuar se disa figura të opozitës janë ftuar për bisedime, “jo shumë kohë më parë”, por “kanë dështuar të vijnë në takim”. Nga deklaratat e tij nuk është bërë e qartë se për cilët kundërshtarë është fjala dhe as koha kur janë ftuar.

“Ata thonë: ‘Ne duam bisedime, por autoritetet nuk na dëgjojnë'. Ne i kemi ftuar, por nuk kanë ardhur. Unë kam një pyetje: çfarë duan ata? Duan të thonë se nuk ka bisedime, apo nuk duan bisedime”, është shprehur Putin gjatë takimit me personelin e medias ruse në rezidencën e tij.

Ai po ashtu ka akuzuar radio-stacionin “Ekho Moskvy”, i cili mbulon veprimtarinë e opozitës, për fyerje ndaj tij dhe për shërbim të interesave të huaja.

Putin, kohët e fundit, është përballur me presionin në rritje të opozitës, përkatësisht me akuza për mashtrim në zgjedhjet e dhjetorit të kaluar.

Ai po ashtu do të kandidojë për rikthim në postin e presidentit në muajin mars, kur edhe do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Rusi.
XS
SM
MD
LG