Ndërlidhjet

Kurrfarë reciprociteti


Kufiri Kosovë - Serbi, në Merdare.
Kufiri Kosovë - Serbi, në Merdare.
Reciprociteti në fushën e tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në fazën e tashme, nuk është i plotë dhe si i tillë, ai nuk është kurrfarë reciprociteti, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”. Sipas tij, marrëdhëniet e pabarabarta në relacion me Serbinë, e cila, siç thotë ai, i shkel parimet e Bashkimit Evropian për qarkullimit të lirë të mallrave dhe njerëzve, i kanë dëmtuar bizneset kosovare, tregun e Kosovës dhe vetë konceptin e shtetit. Ai kritikon Qeverinë e Kosovës edhe për procesin e privatizimit të aseteve publike, të cilat, sipas tij, Qeveria i ka zhvlerësuar.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Abdixhiku, si i shihni ju zhvillimet e fundit lidhur me reciprocitetin në rrafshin tregtar, të Kosovës me Serbinë dhe në ç’mënyrë reflektojnë këto zhvillime në ekonominë kosovare?

LUMIR ABDIXHIKU
Mendoj se Kosova është vonuar jashtëzakonisht shumë me vendosjen e marrëdhënieve reciproke me Serbinë dhe me Bosnjën, pasi që e ka disa vjet, më konkretisht që nga shpallja e pavarësisë që Kosova ka marrëdhënie jo të barabarta me këto dy vende. Me gjithë marrëveshjet e nënshkruara me vetë CEFTA-n, Kosovës i është garantuar e drejta e përgjigjes.

Fatkeqësisht për vendin, ne kemi një ndarje në qëndrime në skenën politike rreth marrëdhënieve të reciprocitetit, dhe a duhet Kosova të recipropojë apo jo. Por parimisht, çdo vend, çdo shtet serioz ka relacione të tilla me çdo vend tjetër, madje vetë Bashkimi Evropian është i ndërtuar mbi parimet e reciprocitetit.

Jo më larg se këtë javë presidenti Barak Obama ndërtoi një trupë, me qëllim të reflektimit të marrëdhënieve reciproke ndërmjet SHBA-së, Kinës dhe Rusisë. Pra, marrëdhëniet e reciprocitetit janë pas çdo shteti dhe Kosova ka të drejtë morale, të drejtë ligjore dhe ka obligim kushtetues që të bëjë reciprocitet me vendet tjera.
Reciprociteti në këtë fazë nuk është i plotë dhe nëqoftëse nuk është i plotë atëherë nuk ka kurrfarë reciprociteti.

Reciprociteti në këtë fazë nuk është i plotë dhe nëqoftëse nuk është i plotë atëherë nuk ka kurrfarë reciprociteti. Them se nuk është i plotë, meqenëse kosovarëve iu zhbëhet identiteti në kalim e sipër në Serbi, domethënë targat e veturave të Kosovës nuk njihen atje, ndërkaq të Republikës së Serbisë njihen në Kosovë; nuk njihen dokumentet me termin republikë dhe rrjedhimisht Kosova po sakrifikon vetë simbolet e shtetësisë për të pasur marrëdhënie të mira me Serbinë.

​Një rezolutë e Parlamentit çfarë ka qenë në fillim, ka pasur tendencë t’i rregullojë këto çështje, pra të vërë reciprocitet tregtar dhe ekonomik, por fatkeqësisht sot kemi një rezolutë të re, e cila shfuqizon barazinë dhe kërkon jobarazi. Për mendimin tim, Kosova tash ka një marrëdhënie mishmashe në relacion me Serbinë, pa kuptim të qartë se ku janë kufijtë e reciprocitetit dhe cili është kuptimi i reciprocitetit.

Thënë shkurt, Kosova duhet domosdo të ketë një unitet në këtë drejtim, meqenëse marrëdhëniet jo të barabarta gjithmonë kanë dëmtuar bizneset kosovare, vetë tregun e Kosovës, dhe në fund të fundit kanë dëmtuar vetë konceptin e shtetit çfarë është një shtet, i cili nuk mund të sillet drejt ndaj vendeve tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Situata e tanishme domethënë në këtë aspekt, si mund të ndikojë në ekonominë kosovare?

LUMIR ABDIXHIKU
Ne, për disa vjet kemi pasur raport prodhues edhe tregtar në rregulla jo të barabarta të tregut me serbët dhe Republikën e Bosnjës. Meqenëse kemi një ambient të tillë të pabarazisë, është pak e vështirë të presësh që bizneset tona do të jenë konkurrente me këto dhe dëmi kryesor i bëhet pikërisht ambientit biznesor.

Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku
Pra, kosovarët nuk kanë fuqi të njëjtë me bizneset serbe dhe ato të Bosnjës. Dhe, meqë s’kanë fuqi të njëjtë, atëherë aftësia e tyre për të krijuar vende të reja të punës dhe për ta zvogëluar papunësinë, e rrjedhimisht edhe varfërinë në Kosovë, mbetet mjaft e ulët.

Prandaj dëmet ekonomike të Kosovës nga një marrëdhënie reciproke janë të shumta. Pos tyre, janë edhe dëmet politike pasi ne nuk sillemi si shtet. Çështja e reciprocitetit është shumëdimensionale dhe pak vende në botë kanë dyshime në këtë drejtim. Edhe Kosova besoj se nuk do të duhej të kishte.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, nëse Kosova do të vepronte në të kundërtën e kësaj që po vepron tash, a nuk do të binte ndesh me parimet e BE-së për qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve?

LUMIR ABDIXHIKU
Kosova në katër vjet ka treguar tolerancë - ne kemi pritur që nga shpallja e pavarësisë dhe më herët që Serbia të mbushet mend. Parimet e lëvizjes së lirë janë vulosur prej Kosovës. Në anën tjetër, ne kemi Serbinë, e cila bën shkeljen e këtyre parimeve. Vetë fakti që ajo nuk lejon produktet kosovare me identitetin kosovar të kalojnë në e nëpër Serbi, është shkelje e lëvizjes së lirë. Pra, reciprocikimi, para së gjithash, është masë që shpie drejt lëvizjes së lirë.

Gjatë 45 ditëve që kemi pasur reciprocitet presioni ka qëndruar në bizneset serbe. Kemi pasur deklarime të shpejta të organizatave biznesore në Serbi dhe presion në Qeverinë serbe për zgjidhje të problemit. Pa dyshim se e kemi pasur këtë zgjidhje në dialog si pjesë e agjendës së parë të Serbisë, sepse ka qenë interesi i Serbisë të zgjidhet problemi. Prej një situate të mbyllur nuk përfiton askush, por një situatë reciprocikuese e shpejton zgjidhjen. Vetëm nëpërmjet reciprocitetit ne do të mund t’i zgjidhim të gjitha problemet e lëvizjes së lirë çfarë i kemi tani. Mosreciprokimi nuk është zgjidhje e lëvizjes së lirë, pasi ne nuk jemi të lirë në lëvizje. Kosova momentalisht nuk mund të lëvizë lirë në e nëpër Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Procesi i privatizimit vazhdon të jetë aktual edhe sot. Çfarë po ndodh me asetet nacionale?

LUMIR ABDIXHIKU
Fatkeqësisht për Kosovën asetet nacionale kanë kaluar nëpër një proces të zhvlerësismit nëpër vite. Pjesa më e madhe e tyre janë menaxhuar me një prezencë të madhe të aferave korruptive, me një menaxhim tejet regresiv dhe rrjedhimisht humbje të vlerës. Kemi rastin e PTK-së, KEK-ut, dhe ndërmarrjeve tjera publike, të cilat kanë mbetur në Kosovë, e që nuk po arrijnë ta marrin veten nëpërmjet ristrukturimit, rritjes së vlerës dhe më pas shitjes me një vlerë më të madhe.

Ajo çfarë po ndodh në Kosovë është shitja e këtyre aseteve për nguti dhe borxh dhe në një ambient mjaft të rëndë për investitorët – si rasti i PTK-së, tërheqja e investitorit dhe sinjali që mund të dërgojë jashtë një rast i tillë.

Domethënë, Kosova ende nuk po dërgon sinjale serioze se ka fuqi të krijojë një ambient të sigurt biznesi dhe të tërheqë investitorë dhe, në anën tjetër, nëpërmjet menaxhimit të tanishëm të këtyre ndërmarrjeve, po humb një rast të mirë që të gjenerojë mjete të bollshme financiare, që më pas do t’i kishte përdorur në shumë nevoja zhvillimore që ka Kosova.
Asetet publike janë pre e një politike adekuate të zhvillimit ekonomik, një politike të ngutshme të borxheve dhe të grupeve të caktuara të interesit, që në fund po e dëmtojnë vlerën e vetë aseteve...

Asetet publike janë pre e një politike adekuate të zhvillimit ekonomik, një politike të ngutshme të borxheve dhe të grupeve të caktuara të interesit, që në fund po e dëmtojnë vlerën e vetë aseteve dhe rrjedhimisht edhe pasurinë e kosovarëve. Asetet në Kosovë nuk janë menaxhuar me nivelin e pritshmërisë. Vitin e kaluar e kemi zhvleftësuar PTK-në, edhe sivjet po e zhverësojëm me futjen e saj në buxhet, kemi paracaktuar vlerën e saj; ndërmarrja elektro-energjetike, në anën tjetër, ka kaluar nëpër një proces mjaft të mjegullt sa i përket menaxhimit dhe shitjes së saj. Sot kemi një proces të privatizimit të distribuimit, i cili pavarësisht shumë shembujve që na janë dhënë në rajon, nuk po ndërpritet, pra po kemi një vazhdimësi të gabimeve që i kanë bërë vendet tjera rajonale.

Them se Kosova duhet të ndjekë storiet e suksesit dhe ato vijnë nga vendet e Evropës Qendrore, që e kanë kaluar tranzicionin, të cilat parimisht kanë rritur vlerën e këtyre aseteve dhe më pas e kanë bërë shitjen e tyre për një vlerë më të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
A pritet që kriza, e cila ka kapluar disa vende të Evropës, ta prekë edhe Kosovën?

LUMIR ABDIXHIKU
Po Kosova ka një model zhvillimor mjaft interesant dhe unik mbështetur në shpenzimet qeveritare, remitencat dhe investimet e jashtme dhe këto dy burime të fundit preken drejtpërdrejt nga kriza e fundit. Remitencat preken meqenëse dërguesit e parave - emigrantët tanë, do të sillen drejt kursimeve dhe rrjedhimisht do të dërgojnë më pak para në Kosovë. Në anën tjetër, investimet e jashtme, por edhe donacionet si pjesë e ndihmës nga jashtë, do të kenë rënie, pasi që vendet kontribuuese kanë probleme financiare me buxhetet e tyre respektove.

Rrjedhimisht, Kosova do të preket në dy prej burimeve kryesore të rritjes ekonomike dhe kjo konfirmohet nga letra e fundit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku thuhet se rritja ekonomike nga 5 sa është planifikuar, do të bjerë në 4 për qind. Me rritje ekonomike prej 4 për qind, normalisht, do të kemi mundësi më të vogla zhvillimore, do të kemi mungesë të adresimit të problemeve kryesore të Kosovës dhe rrjedhimisht stagnim në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në zbutjen e varfërisë që janë problemet thelbësore të vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi ka pasur ulje të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe heqje të taksës doganore për lëndën e parë për lehtësim të zhvillimit të bizneseve në Kosovë. A mendoni se janë të nevojshme ndryshimet e politikave fiskale nga Qeveria e Kosovës edhe më tutje dhe në ç’mënyrë?

LUMIR ABDIXHIKU
Ambienti biznesor i Kosovës në vitin 2011 ka kaluar me një gjendje regresive. Vlerësimet e Bankës Botërore në raportin “Të bërit biznes” thonë se Kosova ka humbur për disa vende në mbrojtjen e investitorëve, në kontrata, në lëshimin e licencave etj, dhe rrjedhimisht ne kemi ecur prapa. Kjo është shkaktuar edhe si rezultat i prezencës së barrierave të institucioneve - këto barriera në rend të parë vijnë nga barra fiskale dhe nga licencimet e tepërta që ka ambienti biznesor.

Barra fiskale është bërë gjithmonë si rezultat i presioneve në nevojë për ta mbushur arkën e shtetit pas deficitit të paraparë ku janë targetuar bizneset e rregullta, e nuk është targetuar baza që është evazionistëve ose e vjedhësve të tatimit. Pavarësisht kësaj, çdo reformë që synon uljen tatimeve dhe normave tatimore në Kosovë, do të jetë e mirëseardhur për bizneset kosovare, të cilat shtyhen në ambiente jo të favorshme, sidomos në krahasim me vendet e rajonit.

Kosova ka një normë jashtëzakonisht të lartë të pagesës së TVSH-së për lëndën e parë e që është një praktikë si askund tjetër. Pra bizneset kosovare shtyhen me konkurrentët e tjerë rajonalë në kushte jo të barabarta të trajtimit fiskal prej vendeve respektove. Them se ulja e këtyre tatimeve do t’u lërë më shumë para bizneseve në posedim dhe posedimi i parasë prej bizneseve, nënkupton hapje të reja të vendeve të punës. Prandaj, përveç kësaj, Qeveria duhet të krijojë kushte të barabarta të konkurrencës.

Një prej barrierave kryesore të bizneseve në Kosovë është konkurrenca jo “fer”, dhe kjo vjen mu prej pagesës së tatimeve, sepse kemi një grup të bizneseve që paguajnë dhe një pjesë tjetër që është evazionist. Targetimi i joformalitetit dhe evazionit duhet të jetë qëllimi kryesor i Qeverisë.

Ky targetim i joformaliteti në disa sektorë, bëhet nëpërmjet uljes së normave të TVSH-së me qëllim të nxitjes së akterëve për të marrë pjesë në formalitet. Them se reformat edhe më tutje duhet të zhvillohen, por parimisht lufta ndaj joformalitetit dhe evazionit duhet të jetë prioritet në këto politika fiskale.
XS
SM
MD
LG