Ndërlidhjet

GNK: Veriu – rrezik për dialogun Kosovë – Serbi


Në raportin më të ri të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (GNK), pos tjerash, theksohet se situata e dhunshme në pjesën veriore të Kosovës, rrezikon ndaljen e dialogut të ndjeshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe e kërcënon stabilitetin e brendshëm të Kosovës dhe procesin kandidues të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Mëtutje në rekomandimet e grupit theksohet se përpjekja e Prishtinës për ta kontrolluar gjithë territorin e shtetit të ri, e veçanërisht kufijtë e vet me Serbinë, dhe vendosmëria e serbëve të veriut të Kosovës për të rezistuar, mund të prodhoj më tepër viktima.

Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duhet ta inkurajojnë Beogradin, që ta pranoj qeverinë në Prishtinë si të barabartë, bile edhe pa njohje formale, por nuk duhet të pritet që kjo do ta detyronte bashkëpunim lokal në veri të Kosovës, thuhet në raportin më të ri të GNK-së.

Të gjitha palët duhet të synojnë gjetjen e mënyrave për minimizimin e rrezikut të konfliktit të mëtejmë, duke u fokusuar në implementimin e çështjeve për të cilat është arritur pajtueshmëri në dialogun teknik dypalësh.

Raporti thotë se tenisonet ishin shtuar më 25 korrik të vitit 2011, kur Prishtina e kishte dërguar policinë në dy pika doganore përgjatë kufirit me Serbinë. Serbët lokalë e kishin rrethuar policinë dhe i detyruan ata që të tërhiqeshin; një oficer ishte vrarë nga një pritë, ndërsa pikës kufitare i ishte vënë zjarri.

Mëtutje, GNK thekson se të gjitha rrugët që çonin në pikat doganore ishin barrikaduar nga serbët e Kosovës, me qëllim që të pengohet vendosja e zyrtarëve të Kosovës.

Përderisa bllokada e rrugëve në përgjithësi ishte paqësore, dhuna shpërtheu në së paku tri raste, gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, kur misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ishte përpjekur t’i demontoj barrikadat dhe i kishte shtyrë prapa serbët e Kosovës.

Mospajtimi për dogana është vetëm simptom i mospajtimeve të Serbisë dhe Kosovës lidhur me sovranitetin, veçanërisht sa i përketë pjesës veriore, thuhet pos tjerash, në raportin më të ri të Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
XS
SM
MD
LG