Ndërlidhjet

Volebek: Maqedonia t’i parandalojë konfliktet


“Incidentet e fundit në Strugë përkujtuan se tensionet ndëretnike, fatkeqësisht, nuk i takojnë vetëm të kaluarës. Nëse ato nuk pengohen, paraqesin kërcënim për shoqërinë në përgjithësi në Maqedoni”.

“Pra, autoritetet janë të detyruara të angazhohen maksimalisht, me të gjitha kapacitetet demokratike, për t’i parandaluar konfliktet e tilla”.

Kjo ishte porosia e komisionarit të lartë të OSBE-së për pakica, Knut Volebek, drejtuar deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë.

“Djegia e flamujve, duke shprehur gjuhë të urrejtjes, si dhe dhuna e shfaqur ndaj monumenteve fetare, flasin për një politikë, e cila, nëse nuk parandalohet, mund të paraqesë problem serioz për zhvillimet demokratike të vendit”.

“Incidentet e fundit janë tregues se ka tensione dhe se shumë pak nevojitet për t’u ndezur situata dhe për të dalë nga kontrolli. Prandaj, duhet të trajtohen në mënyrë adekuate. Mendoj se qeveria i është qasur mirë problemit, por nevojitet angazhim edhe më i madh që të zbardhen tërësisht këto incidente”, deklaroi Volebek.

Ai tha se duhet të vazhdohet me punë në të gjitha sferat, e jo vetëm në sferën e arsimit.

“Vlerësoj se nevojitet një bazë e mirë për shoqërinë multi-etnike”, tha Volebek, duke rikujtuar angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojë në promovimin e vlerave të shoqërisë multi-etnike.

Komisionari Volebek, gjatë qëndrimit dyditësh në Shkup, ka takuar përfaqësuesit e partive politike parlamentare, si dhe përfaqësuesit e bashkësive fetare në Maqedoni.

Gjatë ditës së enjte, ai realizon takime me krerët shtetërorë të Maqedonisë, presidentin Gjorgje Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski dhe zëvendëskryeministrin përgjegjës për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi. (z.h.)
XS
SM
MD
LG