Ndërlidhjet

Maqedoni: Kapërcehet kriza energjetike



Qeveria e Maqedonisë thotë se ka tejkaluar krizën energjetike të shpallur vetëm para tre ditëve, kur njoftoi se vendi ka energji elektrike për jo më shumë se 48 orë.

Nga shtabi i emergjencës bëjnë të ditur se në tenderin e paraqitur për blerje të energjisë nga jashtë, tashmë janë paraqitur disa kompani që ofrojnë energji me çmime shumë të leverdishme.

Kjo, sipas tyre, krijon kushte të favorshme, pasi nuk do të ketë nevojë për vënien në përdorim të termocentralit rezervë të Negotinës që do të kishte kosto shumë të lartë të prodhimit te energjisë, se sa eksporti i saj nga jashtë.

Zyrtarët e kompanisë shtetërore për prodhimin e energjisë, thonë përveç për muajin shkurt, zgjidhje është gjetur edhe për muajin e ardhshëm.

Për muajin mars kemi situatë shumë më relaksuese. Janë ofruar kushte edhe më të mira, 80 euro për një megavat orë energji elektrike, gjë që stabilizon gjendjen e krijuar, por edhe tregun e furnizimit me energji elektrike”, thotë Vllatko Çingovski, drejtor i kompanisë shtetërore ELEM, që merret me prodhimin e energjisë elektrike.

Kriza energjetike u paraqit pas vendimit të Bullgarisë për të ndaluar eksportin e energjisë, prej nga edhe Maqedonia merr sasi të konsiderueshme të energjisë.

Gjendja është stabile, sistemi energjetik është stabil, mirëpo patjetër duhet të respektohen të gjitha masat të cilat qeveria i ka miratuar në mbledhjen e fundit. Prandaj, edhe njëherë do të apeloj që të vazhdojnë edhe më tutje me shfrytëzimin racional të energjisë elektrike”, deklaroi Ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini.

Zgjidhja e krizës nuk nënkupton edhe shfuqizimin e vendimit për ndalimin e eksportit të energjisë për vendet tjera.

Ndalesa do të vazhdojë deri më 29 shkurt, thonë nga shtabi i emergjencës, duke shtuar se në rast të heqjes së tij, atëherë masat tjera, përfshirë edhe atë të importit të energjisë, nuk do të jepnin kurrfarë rezultati.

Nga ana tjetër, opozita për gjendjen e krijuar kërkon përgjegjësi nga qeveria për shkak të, siç thuhet, mungesës së një strategjie afatgjate për zgjidhjen e problemit me energjinë elektrike, gjë që do të ndikonte edhe në uljen e çmimeve, që për momentin janë ndër më të lartat në rajon.

Ne duhet si shtet, të ndërtojmë një objekt serioz termo-energjetik në pronësi shtetërore, i cil, do të prodhonte energji elektrike më të lirë, pasi nëse vazhdohet kështu, ne rrezikojnë që të varemi deri më 70 për qind nga importi i energjisë elektrike”, thotë Atanaso Tuneski, ekspert i energjisë në Lidhjen Socialdemokrate.

Problemet në sistemin energjetik erdhën si pasojë e reshjeve të mëdha të borës dhe rënies së ndjeshme të temperaturave, që detyrimisht rriti kërkesat për konsumin e energjisë.

Kryeqendra e Maqedonisë, të martën në mbrëmje ka regjistruar temperaturën më të ulët për këtë sezonë, minus 23 gradë celsius.
XS
SM
MD
LG