Ndërlidhjet

"Shpërblimi" i BE-së për fusnotën


Pasaportat e Kosovës
Pasaportat e Kosovës
Pas pajtimit të Qeverisë që Kosova të përfaqësohet në nismat rajonale me fusnotë, zyrtarë të institucioneve të vendit thonë se Kosova do të marrë shpërblim një pako stimuluese nga BE-ja, përfshirë liberalizimin dhe marrëdhëniet tregtare me BE-në.

Shefi i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi në takimin e radhës të Këshillit Ndërministror për Integrimeve Evropiane, deklaroi se brenda një periudhe kohore, Kosova do të marrë udhërrëfyesin nga Bashkimi Evropian.

Thaçi tha po ashtu se integrimi evropian është një përkushtim i të gjitha institucioneve të vendit.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të plotësojë të gjitha kushtet e procesit të liberalizimit të vizave në afat rekord, pas pranimit të udhërrëfyesit. Në bashkëpunim me Komisionin Evropian, presim që udhërrëfyesi t’í dorëzohet qeverisë gjatë muajve në vijim. Në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, vazhdon koordinimi intensiv lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe në Bankë Evropiane për Investim”, deklaroi Thaçi.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, Venera Hajrullahu, njohëse e integrimeve evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave mund të merret brenda një periudhe të shkurtë kohore, gjë që sipas saj, marrja e këtij dokumenti është tejet i vonuar.

Dhënia e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave është e stërvonuar. Kjo vonesë është e paarsyeshme dhe ndikon negativisht në dinamikën e dialogut për liberalizim të vizave. Për më tepër, e ekspozon Kosovën në ashpërsimin e kushteve për liberalizim të vizave bazuar në përvojën e vendeve tjera të rajonit, zhvillimet brenda vet BE-së e të tjera. Për më tepër, e vendosë Kosovën para një procesi më të vështirë se vendet tjera të rajonit, në kohën kur ajo gjithsesi ballafaqohet me një proces të integrimit evropian të rënduar nga mosnjohja e 5 vendeve anëtare të BE-së”, u shpreh Hajrullahu.

Që moti zyrtarët qeveritarë, procesin e liberalizimit e kanë ndërlidhur me dialogun Prishtinë - Beograd, duke e cilësuar nisjen e dialogu për viza si shpërblim për rezultatet e treguara në bisedimet më palën serbe.

Venera Hajrullahu tha se kjo ndërlidhje është e pabazë dhe e dëmshme.

Udhërrëfyesi për liberalizim të vizave në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si iniciativë apo shpërblim në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi, dhe as si avancim i relacioneve Kosovë - BE, sepse formalisht nuk ndikon aspak në avancimin e marrëdhënieve kontraktuale, si një objektiv strategjik minimal i Kosovës dhe atë në afat të shkurtë”.

Dialogu për liberalizim të vizave, i bazuar në një udhërrëfyes që i bën transparente edhe kushtet, edhe vlerësimin e progresit të Kosovës në këtë drejtim, ndikojnë pozitivisht në reformat evropiane në vend, por edhe në menaxhimin e pritjeve të qytetarëve në raport me lëvizjen e lirë në kuadër të hapësirës Shengen”, tha zonja Hajrullahu.

Ajo theksoi rëndësinë që pala kosovare, sa më parë ta ketë në duart e veta udhërrëfyesin për liberalizim vizave për të dalë nga, siç tha ajo, izolimi aktual i qytetarëve të Kosovës.

Sido që të jetë, kryeministri Thaçi tha se Kosova ka një qëllim dhe një vizion të vetëm, e ai është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Ai pohoi se perspektiva evropiane e Kosovës në anëtarësim në Bashkimin Evropian është konfirmuar në vazhdimësi në të gjitha nivelet.

Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me zotësinë më të madhe, me përkushtimin më të madh, që të arrijmë sa më shpejtë dhe suksesshëm këtë qëllim. Ne kemi perspektivë të sigurt evropiane, sepse jemi duke punuar maksimalisht për implementimin e të gjitha reformave demokratike”, u shpreh Thaçi.

Riatdhesimi, riintegrimi, menaxhimi i integruar i kufijve, siguria e dokumenteve të udhëtimit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vlerësohet të jenë kushtet kryesore të cilat duhet të përmbushen nga pala kosovare lidhur me liberalizimin e vizave.
XS
SM
MD
LG