Ndërlidhjet

Huaja 107 milionëshe stabilizon financat e shtetit


Ilustrim
Ilustrim

Marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila parasheh një program të ri 20 mujor, në vlerë prej 107 milionë eurosh, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, do ta stabilizojë buxhetin e Kosovës dhe do ta forcojë sektorin financiar.

Në të kundërtën, pa këto mjete, thonë ata, do të kishte probleme të mëdha në mbulimin e deficitit buxhetor.

Drejtori i Instituti “Riinvest”, Lumir Abdixhiku thotë se këto mjete janë esenciale në barazimin e të hyrave me shpenzime buxhetore të Kosovës.

Sipas tij, këto mjete janë domosdoshmëri e rregullimit të deficit buxhetor të parashikuar për këtë vit.

Unë mendoj se këto ndihmat e FMN-së dhe BB-së janë pjesë e kategorive buxhetore, dhe qëllimi i tyre është më së shumti për stabilizim të buxhetit, në theks të veçantë për stabilizimin e deficitit buxhetor, dhe shpenzimi i tyre vjen konform projeksioneve të buxhetit të Kosovës. Nëse duhet t’i shfrytëzojmë paratë e ndihmave, do të ishte mirë ato të shkojnë drejtë investimeve kapitale, por domosdoshmërish të mos shkojnë në një projekte kapitale, siç është autostrada, pasi që investimi kapital vetëm në një projekt nuk po i sjell rezultate zhvillimit ekonomik të Kosovës”, thekson ai.

Pa këto mjete të Fondit Monetar Ndërkombëtar, thekson Abdixhiku, Qeveria e Kosovës do të kishte pasur mjaft problem në mbulimin e deficitit buxhetor për këtë vit, si dhe sigurimin e një bilanci bankar të nevojshëm për një stabilitet financiar të Kosovës.

Sipas Lumir Abdixhikut, Kosova ka bërë mirë që i ka stabilizuar financat e veta, por siç thotë ai, stabilizimi i financave të Kosovës, po transferohet rrjedhimisht në krizë ekonomike.

Si rezultat i nevojës për balancim të buxhetit të shtetit, ne jemi duke pasur kosto ekonomike, dhe kjo rrjedhimisht do të thotë se edhe këtë vit Kosova nuk do të mund t’i adresojë problemet kryesore të varfërisë dhe papunësie. Ndodh kështu, se kemi shpenzuar mjaft, dhe tash për t’i barazuar librat, duhet domosdoshmërish të kemi një kosto ekonomike”, thekson Abdixhiku.

Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë një vizite që i ka bërë Kosovës ka bërë të ditur se planifikon të vazhdojë ndihmën financiare për Kosovën, pasi që pat pezulluar fondet në vitin e kaluar, për shkak të një kontesti me Prishtinën, pas rritjes së pagave për shërbyesit civilë.

Përfaqësuesit e FMN-së kanë thënë se kanë arritur marrëveshje me autoritetet kosovare për një program të ri 20 mujor në vlerë prej 107 milionë eurosh.

Lidhur me këto mjete, edhe drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, thotë se qëllimi i këtyre mjeteve të FMN-së nuk është për asgjë tjetër, vetëm për stabilitetit të buxhetit të Kosovës.

Këto para nëse analizohen edhe tabelat buxhetore janë për financimin e deficitit buxhetor. Njëra prej mënyrave të financimit është edhe huadhënia, do të thotë është intervenimi nga jashtë. Dhe politikat buxhetore nuk ndërrohen, ndërsa këto mjete hynë në kuadër të tyre”, thekson Rexhepi.

Sidoqoftë, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Ibrahim Rexhepi, këto mjete do të jenë zgjidhje për një vit fiskal, por që nuk është zgjidhje afatgjate.

Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë me krijimin dhe gjetjen e burimeve tjera për investimet e mëtutjeshme që do të ketë. Nëse edhe gjatë vitit të ardhshëm do të vazhdojë ndërtimi i autostradës, apo edhe i autostradave tjera për të cilat ka shumë problem t’i financojë, intervenimi i FMN-së është i domosdoshëm, në mënyrë që të mos vijë në një krizë të hyrjes së borxheve apo rritjes së borxheve qoftë të brendshme, qoftë të jashtme”, thekson ai.
XS
SM
MD
LG